Bislimi e Gjukanoviq flasin mbi bashkëpunimin e dy qeverive
Fadil Sertolli/ RTKlive.com
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka pritur sot në takim presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq.
Këtë e ka bërë të ditur vet Bislimi përmes një postimi në Facebook.
Ai ka shkruar se me presidentin Gjukanoviq ka folur mbi bashkëpunimin e dy qeverive dhe për të lëvizur drejt nënshkrimit të marrëveshjeve ekonomike në të mirë të qytetarëve, mirëqenies së përgjithshme dhe zhvillimit ekonomik të të dyja vendeve.
Sipas numrit dy të Qeverisë së vendit, Kosova është e përkushtuar në përkrahjen e komunitetit malazez dhe mirëpret kontributin e rëndësishëm të tyre në zhvillimin e vendit.
“E ardhmja e dy shteteve tona është në BE. Përkushtimi ndaj Procesit të Berlinit dhe përmbushjes së agjendës evropiane, janë objektiva tona të përbashkëta. Bashkëpunimi rajonal është një prej mënyrave përmes së cilës konsolidojmë përafrimin e vendeve tona dhe angazhimin pozitiv ndaj fqinjësisë së mirë”, ka shkruar Bislimi.























