Haradinaj takon Gjukanoviq: Kufiri do të demarkohet me korrigjim
Emine Hoti / RTKlive
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka takuar të enjten presidentin malazez, Milo Gjukanoviq me të cilin ka biseduar për demarkimin kufitar mes dy shteteve.
Këtë e ka bërë të ditur vet Haradinaj, përmes një postimi në Facebook. "Bashkë do të bëjmë realitet edhe obligimet që kemi marrë, për të përmbyllur me sukses demarkimin e kufirit, me korrigjim në sektorët e caktuar", ka shkruar ai.
Haradinaj ka theksuar se Kosova dhe Mali i Zi kanë traditë të bashkëpunimit korrekt ndërshtetëror, derisa ka vlerësuar se edhe takimi me Presidentin Gjukanoviq ka kaluar në frymën e marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve tona.
Tutje, Haradinaj ka falënderuar Presidentin Gjukanoviq për mbështetjen e tij për Kosovën dhe gatishmërinë e Malit të Zi për të përkrahur antarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, me theks të veçantë në NATO dhe Këshillin e Evropës.
Haradinaj ka siguruar se Kosova e Mali i Zi do të qëndrojnë bashkë përballë çdo rreziku që ka për qëllim destabilizimin e Ballkanit.























