Mbyllet seanca për sigurinë, s’ka kuorum për votimin e rezolutës së AAK
Muharrem Miftari/RTKLive
(E plotësuar: ora 19:15) Ka përfunduar seanca e thirrur plenare nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ku u debatua lidhur me situatën e sigurisë në vend.
Pas përfundimit të debatit, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, në cilësinë e propozuesit të debatit paraqiti një rezolutë për votim me disa rekomandime. Në mungesë kuorumi, u vendos që rezoluta të hidhet për votim në ndonjë prej seancave të ardhshme.
Pikat e rezolutës së propozuar janë:
-Qeveria e Republikës së Kosovës duhet ta ketë prioritet mbi prioritetet çështjet që lidhen me siguri;
- Të miratohet dhe procedohet sa më shpejt në Kuvendin e Kosovës, Strategjia e Sigurisë Kombëtare së Kosovës;
-Ruajtja e Partneritetit Strategjik me SHBA në raport me forcimin e FSK-së;
-Njëkohësisht, sigurimi i të gjitha kushteve logjistike dhe armatimi i kësaj ushtrie me mjetet moderne;
Mbështetja e Fondit të Sigurisë;
-Krijimi i tri kushteve minimale për Policinë e Kosovës:
-Pagë të dinjitetshme - miratimi i Ligjit të Pagave;
-Sigurimi Shëndetësor për pjesëtarët e Policisë së Kosovës;
- Procedimi i Ligjit për Pensionim të Parakohshëm;
- Mbështetja e vazhdueshme për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencës.
Konjufca: E kam dhënë pagën për Fondin e Sigurisë, por s’ka nevojë për publicitet
(E plotësuar: ora 18:30) Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka reaguar ndaj shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, duke thënë se ai dhe shumë zyrtarë të tjerë publik e kanë dhënë pagën për Fondin e Sigurisë.
Konjufca duke replikuar ndaj Tahirit në seancën e sotme plenare për situatën e sigurisë në vend tha se dhënia e pagave për Fondin e Sigurisë nuk është publicitet.
“Unë për vete e kam dhënë (pagën), por nuk mendoj se duhet bërë publicitet për këtë punë. Mendoj se shumë prej zyrtarëve publikë e kanë dhënë (pagën), por nuk është punë e publicitetit. Meqenëse nuk e dite për mua nuk e dinë as për këta tjerët ”, i tha Konjufca shefit të GP të PDK-së, Abelard Tahiri.
Sveçla: Në 2019 më shumë kishte arrestime të opozitës sesa të kriminelëve
(E plotësuar: ora 17:50) Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla dhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri kanë pasur një debat të ashpër lidhur me statistikat për luftimin e krimit dhe korrupsionit.
Ministri Sveçla gjatë fjalimit të tij tha se ai nuk blen armë zjarri me para të shtetit, sikurse ka bërë Tahiri kur ka qenë shef i kabinetit të ish-kryeministrit Hashim Thaçi.
“Policia e Kosovës ka qenë një nga faktorët kryesor pse pandemia është menaxhuar më së miri në rajon. Secilit që ka kontribuar në menaxhimin e pandemisë i bëj temena. Kur t’iu merr krahasimet merri qysh duhet. Në vitin 2019 më shumë ka pasur arrestime të opozitës sesa të kriminelëve të nivelit të lartë. Fundi i fundit asnjë skandal të qeverisë nuk e kemi pasur. Unë nuk blej allti me para të shtetit e me graviru dhe pastaj mos me kthy kur te lëshoj pozitën”, tha Sveçla.
Ndërkohë, në kundër replikën e tij deputeti i PDK-së tha se ministri Sveçla do të mbahet mend vetëm për nepotizëm.
“Je ministër që do të mbahesh mend në fillim të mandatit për punësimin e motrave, akrabave dhe të rrethit. Ti ma shumë mbahesh mend për familjarizëm se sa për angazhim në fuqizimin e rendit publik. Pra ky është një problem shumë i madh i yti dhe mendoj se ndihesh keq edhe me ardhur në foltore me fol sepse krejt çka të njohim ty është punësimi I vllaut, punësimi I motrës etj. Dhe këto janë çështjet për të cilat flet qytetari e media për ty, e jo për fuqizimin e sundimit publik”, tha Tahiri.
Ministri Murati e fton Tahirin të japë dorëheqje pas bastit
Ora 17:40 (E plotësuar) Ministri i Financave, Hekuran Murati, i është përgjigjur deputetit të PDK-së, Abelard Tahiri, i cili tha se nuk janë mbledhur as 2 milionë euro në Fondin e Sigurisë.
Murati e ka ftuar Tahirin që ta mbajë fjalen dhe ta dorëzojë dorëheqjen që sot, pasi sipas tij kjo shifër është arritur tashmë.
“Ju ftoi që sot të jepni dorëheqje, të shohim se sa i qëndroni fjalës. Dorëzoni dorëheqjen dhe mund të ju themi shifrat privatisht”, ka deklaruar Murati në Kuvend.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, më herët gjatë seancë e kritikoi Qeverinë Kurti për jotransparencë dhe dështim me fondin që ishte formuar për të mbledhur para për financimin e Ushtrisë së Kosovës. Tahiri vuri bast se nëse janë mbledhur mbi 2 milionë euro në Fondin e Sigurisë, ai do ta dorëzonte mandatin e deputetit.
(Ora 17-30) Tahiri nuk beson se janë mbledhur mbi 2 milionë euro për FSK
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka vënë në bast postin e tij të deputetit nëse janë mbledhur mbi 2 milionë euro në Fondin e Sigurisë për FSK-në.
Gjatë debatit parlamentar për gjendjen e sigurisë në vend, Tahiri tha se Qeveria Kurti dhe mazhoranca s’janë angazhuar për këtë fond.
“Sot kur kanë shkuar rreth 75 ditë, unë jam i bindur dhe nëse nuk del kështu unë po vë bast edhe po e lë postin e deputetit. Nëse kanë kaluar mbi 2 milionë euro në Fondin e Sigurisë unë e lë mandatin e deputetit. As dy milionë euro nuk keni arritur me i mbledh. Kënd doni me fajësuar, shoqërinë a, prandaj kjo është një marre e madhe...Fondi do të duhej të ishte një simbolik, kryeministri është dashur i pari të jep pagën dhe të thotë se ai së bashku me kabinetin qeveritar, pagat e prillit do t’i derdhin në Fondin e Sigurisë. Kemi pritur edhe një angazhim më të madh parlamentar prej mazhorancës”, tha ai.
(Ora 17-30) Mehaj: Realizojmë misionin kushtetues në ruajtjen e vendit
Ministri i FSK-së, Armend Mehaj, në seancën e thirrur për sigurinë në vend, foli për ministrinë që ai drejton, ku, sipas tij, është në bashkëpunim të ngushtë me institucionet tjera të sigurisë.
Ai përmendi Serbinë si shtet fqi që provokon për ta destabilizuar vendin tonë. Tutje ai përmendi veprimet e Republikës së Kosovës në koordinim me shtetet demokratike kundrejt Rusisë dhe vendet satelite të saj.
“Si ministër i Mbrojtjes, në bashkëpunim me SHBA dhe me aleatët tjerë realizojmë misionin tonë kushtetues në ruajtjen e mbrojtjen e vendit tonë nga provokimet që cenojnë sigurinë e integriteti tonë territorial”, theksoi mes tjerash ministri i Mbrojtjes Mehaj.
Tutje ai përmendi disa të arriturat në periudhën e tij si ministër i FSK-së, si në fushën e legjislacionit, ashtu edhe në të arriturat e kapaciteteve të FSK-së.
Ministri Mehaj përmendi edhe kontributin e FSK-së në si forcë paqeruajtëse, në bashkërendim me forcat tjera të SHBA-së dhe NATO-s kudo në botë.
(E plotësuar) Sveçla:Sigurojmë qytetarët për ligjshmëri
Minsitri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, foli për synimin e kësaj ministrie për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Një vit më parë kishim tjetër situatë prej të tanishmes, kishim pandeminë e tani kemi invadimin e Rusisë në Ukrainë”, deklaroi ministri Sveçla.
Ai më tej sqaroi se përmes situatës që tani po mbretëron në Ukrainë, Serbia po njihet edhe më mirë, si një shtet që përpiqet ta destabilizojë rajonin.
“Nuk parashikuam luftën por njohëm më shumë Serbinë, që mbështet politikat ruse, duke dëshmuar tendencat e saj për destabilizimin e rajonit, kjo na rrit vigjilencën karshi situatës. Situata e sotme ka lëvizur gjithë botën duke u përkushtuar në sigurinë e vendit, duke u vënë kundër ndikimeve ruse dhe jemi rreshtuar ne sanksione ndaj Rusisë e Bjellorusisë, duke i strehuar refugjatë nga Ukraina” theksoi mes tjerash Sveçla.
Ai përmendi luftën e pakompromis të organeve të rendit e të sigurisë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Më pastaj ai përmendi provokimet e vazhdueshme të Serbisë kundrejt Kosovës, sikundër është çështja e targave, provokimet ndaj policëve e civilëve në veri të vendit, etj., që sipas tij ato veprime ishin terroriste.
Tutje ai përmendi edhe marrëveshjet me institucione ndërkombëtare të sigurisë, etj.
(E plotësuar 16:53) Qalaj: Ushtria nuk mbahet me lëmoshë
Deputeti Rashit Qalaj, nga radhët e PDK-së, në fjalimin e tij u përqendrua në situatën në vend por edhe me luftën në Ukrainë, duke kritikuar vendet e BE-së, të cilët u vunë në varësi të gazit rus.
“Lufta në Ukrainë nuk do të jetë e njëjtë, realiteti gjeopolitik do të krijojë implikime ekonomike e politike në të ardhmen, sidomos në rajonin tonë, nëse nuk do të anëtarësohen në NATO”, theksoi mes tjerash Qalaj.
Tutje ai kritikoi veprimet “ad hoc” të organeve tona në fushën sigurisë, me theks në formimin e fondit për mbështetjen e FSK-së.
“Një ushtri nuk formohet e mbahet me lëmoshë, sidomos me popullin tonë që edhe ekonomikisht është i lodhur, por edhe me mërgatën”, tërhoqi vërejtjen deputeti Qalaj.
Ai më tej shtoi se PDK ka propozuar që për FSK-në të ndahet një buxhet prej 100 milionë eurosh për plotësimin e nevojave të këtij institucioni.
(E plotësuar 15:53 )Dugolli: Serbia, aleate e vetme e Rusisë në rajon
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, duke kritikuar fjalimin e deputetit të AAK-së për, siç tha ai, përzierjen e temave të trajtuara në këtë seancë, foli për angazhimin e SHBA-së dhe BE-së kundrejt Rusisë, ku ai përmendi edhe renditjen e Kosovës në vazhdën e vendeve demokratike kundrejt Rusisë e Bjellorusisë dhe solidarizimin me popullin e qeverinë ukrainase.
Dugolli kritikoi sjelljen e Serbisë ndaj situatës në Ukrainë, duke mos i vënë sanksione Rusisë dhe vuri në pah armatosjen e saj me armë nga Rusia e Kina, duke shtruar pyetjen: Prej kujt frikohet Serbia?
(E plotësuar, ora 15:43) Berisha: Të mos politizohen institucionet e sigurisë
Nis seanca e pasdites ku në rend dite është debati parlamentar në lidhje me situatën e sigurisë në vend.
Kjo pikë e rendit të ditës është parashtruar nga kryetari i Aleancës për Ardhmërinë të Kosovës, Ramush Haradinaj, e cila ka të bëjë me sigurinë e vendit.
Në Kuvend fjalën e mori deputeti Bekë Berisha, kryetar i Komisionit për Siguri në Kuvendin e Kosovës, i cili duke folur për historikun e themelimit të ushtrisë së Kosovës (FSK-së), ai theksoi rolin e këtij institucionit në sigurinë e vendit, që sipas tij është reflektim i gjendjes në vendin tonë.
Ai, mes tjerash kujtoi se është nevojë sjellja e strategjisë për zhvillimin e ushtrisë së Kosovës, duke shtuar se djemtë e vajzat tona që kujdesen për sigurinë e vendit duhet të kenë edhe të ardhura të dinjitetshme.
Deputeti Berisha tërhoqi vërejtjen, sidomos Ministrisë së Brendshme që të mos bëhet politizimi i këtij institucioni.
Ai tërhoqi vëmendjen në sigurimin edhe në aspektin ekonomik, duke përkujtuar luftën në Ukrainë.
Deputeti Berisha përmendi edhe kategoritë e dala nga lufta që të përfshihen në ligjin për paga.























