Mechthild Henneke nga Gjermania që shkroi roman për luftën e UÇK-së
Mechthild Henneke. Photo: AKUD
Kulturë

Mechthild Henneke nga Gjermania që shkroi roman për luftën e UÇK-së

Fadil Gashi/ Radio Kosova

Për shumë vite kishte qenë në Kosovë pas luftës. Kishte punuar në institucione ndërkombëtare dhe kishte njohur shumë kosovarë që i kishte zënë miq. Nga përjetimet e njërit prej tyre ishte frymëzuar të shkruajë një roman për luftën e UÇK-së.

Mechthild Henneke, është autorja, që ka shkruar librin “Ah mein Kosovo” dhe këto ditë e promovoi në Kosovës.

Në një intervistë për Radio Kosova ajo tregon rrëfimin e saj, se si i lindi ideja të shkruante këtë libër dhe po punon që ai të botohet edhe në shqip. 

Radio Kosova: Ka disa ditë që po prezantoni romanin tuaj me titullin “Ah mein Kosovo”.  Si erdhët deri te ideja që të shkruani një roman për luftën? 

Mechthild Henneke: Kam kaluar një kohë të gjatë në Kosovë dhe këtë që nga viti 2001 – 2008. Por, në Kosovë për herë të parë kam qenë në vitin 1999. Fati i Kosovës më ka përcjell në vazhdimësi, që nga përfundimi i luftës këtu në vitin 1999. Nga dita e parë e qëndrimit tim në Gjakovë, vazhdimisht e kam pyetur veten, se si ndodhi lufta, si erdhi deri te lufta dhe çfarë përjetuan këta njerëz. Kam qenë kureshtare të dija se çfarë u ka ndodhur këtyre njerëzve këtu. Dhe kur në vitin 2003 takova Naim Bardiqin, një kosovar, një pjesëmarrës i luftës, m’u duk se tek ai dhe përjetimet e tij gjeta shumë prej përgjigjeve dhe gjërave që kërkoja. Për mua ai ka qenë një frymëzim, sidomos për punën dhe përkushtimin e tij si një student i ri i mjekësisë i kthyer nga Gjermania për të luftuar në radhët e UÇK-se, duke u angazhuar në spitalin fushor ushtarak të UÇK-së, duke i operuar të plagosurit dhe duke shpëtuar jetën e ushtarëve të rinj dhe civilëve të plagosur. Rrëfimi i tij, më ka bërë për veti aq shumë sa kam thënë se këtë histori duhet ta mbaj për subjekt të romanit tim.

Radio Kosova: Po shpreheni e habitur se si një student i mjekësisë nga Kosova, që studionte mjekësinë në Gjermani, lë rehatinë dhe qetësinë atje dhe kthehet në Kosovë për të luftuar për atdheun e tij! Është ky motivi për të cilin po flisni?

Mechthild Henneke: Patjetër raporti, lidhja me Gjermaninë është element i rëndësishëm në roman. Është një libër që flet për dy kultura, sepse Naim Bardiqi vetë ka jetuar 7 vite në Gjermani dhe gati ishte asimiluar dhe pastaj me t’u kthyer në Kosovë, ka sjell shumë gjëra që kanë pasur ndikim kulturor te personaliteti i tij. Ai studionte mjekësinë, por njëkohësisht ka punuar në emergjencë dhe aty kishte mësuar shumë gjëra. Pastaj mënyra e punës, disiplina, përkushtimi e shumë elemente të tjera që kishe marrë ndërkohë atje, i kishte sjell me vete në Kosovë. Për mua  ka qenë interesant të shoh se si është bërë gërshetimi i këtyre dy kulturave dhe sa në fakt janë reflektuar ato në personalitetin e tij.

Radio Kosova: Pra, përmbajtja e romanit është e bazuar në rrëfime dhe histori reale, por sigurisht brenda përshkohet nga kreativiteti dhe magjia letrare, që ka letërsia, përmes figurave në funksion të përcjelljes së mesazheve?

Mechthild Henneke: Shumë episode janë prezantuar ashtu siç kanë ndodhur. Ka edhe rrëfime të tjera, që ndërlidhen me historinë e tij. Pra, ka histori që kam dëgjuar për luftën dhe krimet që janë kryer në Gjakovë, pastaj rrëfime nga komandantë të UÇK-së, të cilat unë natyrisht i kam shfrytëzuar për subjektin dhe tematikën e romanit. Por në epiqendër të librit janë përjetimet e Naim Bardiqit. Siç e thashë, ka kritere letrare, të cilave u jam përmbajt, që nuk janë pjesë e rrëfimeve të personazhit kryesor. Janë kritere letrare që shkrimtari i përdor për të ruajtur tensionin në linjën e narracionit letrar, në mënyrë që ngjarja të jetë sa më interesante dhe të arrijë kulminacionin. 
Radio Kosova: Si është pritur libri në Gjermani dhe a ka qenë e vështirë të gjeni një botues për librin?

Mechthild Henneke: Ka qenë shumë e vështirë të gjesh një botues, sepse shtëpitë e mëdha botuese botojnë libra vetëm të autorëve të njohur. Sidoqoftë,  unë kam gjetur një botuese shumë të mirë në Berlin, një botuese, që është e lidhur ngushtë me artin e fotografisë. Kam qenë e lumtur sepse për shkak të afërsisë ku banonim, kemi mundur të bashkëpunonim shumë mirë së bashku, kështu që libri u botua në nëntorin e vitit të kaluar, mirëpo publikimi ka marrë kohë edhe për arsye të pandemisë. Sidoqoftë, reagimi ka qenë shumë pozitiv. Më duhet të them se fillimi i luftës në Ukrainë, pra agresioni rus  më 24 shkurt, ka qenë një goditje për mua, sepse tema e luftës u bë aq e pranishme dhe aq e frikshme sa  në një klimë të tillë, një roman për një luftë tjetër kishte pak mundësi të depërtonte në opinionin publik. Tani kur gjërat janë qetësuar pak, njerëzit kanë filluar të lexojnë romanin dhe të heqin paralele ndërmjet dy luftërave të cilat kanë shumë ngjashmëri, sepse një vend është sulmuar nga një superfuqi dhe ai vend tani duhet të mbrohet.

Radio Kosova: Këto ditë i keni bërë një reklamë të madhe librit. A keni ndërmend ta botoni në shqip?

Mechthild Henneke: Jam optimiste se së shpejti do të marrim dritën e gjelbër për përkthimin në shqip. Jam në kontakt me botimet “KOHA”  dhe shpresoj se projekti TRADUK-I, që bashkëfinancohet nga qeveria gjermane do të mbështesë financimin e librit dhe unë tashmë kam identifikuar edhe përkthyesen. Ajo është Ilira Bushati, dekane e Fakultetit të Gjermanishtës në Shkodër. 

Radio Kosova: Do të vazhdoni edhe më tej të shkruani?
Mechthild Henneke: Shpresoj të kem mundësinë të vazhdoj tutje, të përcjell fatin e zotëri Bardiqit edhe pas luftës. Gjatë kohës kur isha në UNMIK e kam përcjell shumë mirë historinë e tij paslufte. Pra, dëshiroj të ndjek udhëtimin e personazhit kryesor të librit, Taras Galani. Mund të them se ende nuk kam vendosur 100 për qind, por  95 për qind, po kam vendosur, që të vazhdoj tutje me një libër të dytë.
 


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa