Kryeministri Kurti takoi kongresistin Brad Schneider
Foto: Kryeministria e Kosovës
Lajme

Kryeministri Kurti takoi kongresistin Brad Schneider

Emine Hoti/RTKlive

(E plotësuar, ora 14: 23 )Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës në Washington, D.C. ka takuar kongresistin Brad Schneider.

Në takim është biseduar për të arriturat gjatë qeverisjes njëvjeçare, stabilitetin institucional dhe angazhimin për të krijuar klimë të sigurt për investime në Kosovë.

Kryeministri Kurti ka thënë se Kosova është vend i përshtatshëm për investime meqenëse ka qeverisje demokratike, është e para sa i përket sundimit të ligjit në Ballkan sipas World Justice Project, sa i përket korrupsionit ka lëvizur lart për të mirë në 17 vende sipas Transparency International, ndërkaq sipas Reporterëve pa Kufij po ashtu 17 vende më lartë sa i përket lirisë së mediave. 

Prandaj, edhe qëllimi i vizitës në ShBA është që të ftojë ndërmarrjet dhe investitorët për sa më shumë investime në Kosovë dhe sa më shumë siguri për Kosovën, ka shtuar ai.

 Kryeministri Kurti ka thënë se invazioni dhe agresioni në Ukrainë, si dhe përpjekjet destabilizuese të Rusisë dhe të zgjatimeve të saj, siç është Serbia, kërkojnë vëmendje më të shtuar për sigurinë në Kosovë dhe në rajon.

 Duke shprehur mirënjohje për kontributin që kanë dhënë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, kryeministri Kurti ka thënë se Kosova është faktor i paqes dhe stabilitetit në Ballkan, ndërsa integrimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian është alternativa e vetme.

Kryeministri Kurti u takua me kongresisten, Carolyn Maloney

Progresi në një vit qeverisje, reformat e nisura në drejtësi dhe sundim të ligjit, si dhe ruajtja e paqes dhe sigurisë në Kosovë e rajon, u diskutuan në takimin që Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pati me kongresisten amerikane Carolyn Maloney, njëherësh kryesuese e Komitetit për Mbikëqyrje dhe Reforma.

Kryeministri Kurti tha se përmirësimi i indikatorëve të demokracisë në njërën anë dhe qeverisja e mirë e luftimi i krimit dhe korrupsionit në anën tjetër, janë themeli i një rritje të qëndrueshme ekonomike që i duhet vendit.

Ai theksoi angazhimin e Qeverisë dhe përparimin në luftimin e krimit dhe të korrupsionit, duke veçuar ngritjen e Kosovës për 17 vende sipas indeksit të perceptimit të korrupsionit të Transparency International, dhe renditjen si të parët në rajon sipas “World Justice Project”.

Lidhur me dialogun me Serbinë, kryeministri ritheksoi se duhet të jetë dialog parimor që respekton barazinë e palëve në bisedime dhe që në qendër të marrëveshjes ka njohjen e ndërsjellë.

Qeveria e Kosovës angazhohet dhe është e vendosur që kushtetutshmëria, integriteti territorial, sovraniteti dhe ligjshmëria të ngelen të pacenuara, tha kryeministri Kurti.

U diskutua edhe invazioni dhe agresioni rus në Ukrainë dhe rreziku që paraqet për destabilizimin e rajonit, marrë parasysh lidhjet e afërta të Rusisë me Serbinë, e cila për dallim nga Republika e Kosovës, nuk është rreshtuar me botën demokratike në dënimin dhe sanksionimin e agresorit.

Kryeministri tha se qasja e Serbisë te fondet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës duhet të kushtëzohet me dënimin e plotë të invazionit rus dhe sanksionimin e luftës ilegale të Rusisë në Ukrainë. 

Kongresistja Maloney e falënderoi kryeministrin Kurti dhe Republikën e Kosovës, që u rreshtuan përkrah ShBA-së dhe BE-së lidhur me invazionin rus në Ukrainë dhe për ndihmën e ofruar refugjatëve afganë.

 

 

 


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa