Komisioni i Venecias rekomandimet për vetingun do të japë më 18 qershor
Lajme

Komisioni i Venecias rekomandimet për vetingun do të japë më 18 qershor

Pajtim Çuni/Radio Kosova

Delegacioni i Komisionit të Venecias, i cili po merret me vetingun në Kosovë, po vazhdon qëndrimin në Prishtinë.

Këtë delegacion, i cili do të japë rekomandime për vetingun, e ka takuar sot kryeparlamentari  Glauk Konjufca.

Opinionin përfundimtar për sa I përket procesit të vetingut në Kosovë, Komisioni i Venecias do ta japë më 18 qershor.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, priti në takim anëtarët e Komisionit të Venecias, të cilët po merren me procesin e vetingut në Kosovë.

Takimi ishte i mbyllur për medie. E, dje, delegacioni i Komisionit të Venecias, i përbërë nga raportuesja Grainne McMorroë dhe Schnutz Dürr, u prit edhe nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Në takim “ u diskutuan draft-amendamentet Kushtetuese për çështjen e vetingut dhe draft-opinioni i Komisionit të Venecias mbi këto amendamente si dhe koncept-dokumentin e vetingut si tërësi”, thuhet në komunikatën për medie.

Ndërkohë, më 18 maj, në ditën e ardhjes së delegacionit të Komisionit të Venecias në Kosovë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një aktivitet të Lëvizjes “Fol” tha se pret rekomandime pozitive për vetingun, i cili sipas saj është i domosdoshëm për Kosovën.

 “Për shkak të rëndësisë që ka për qytetarët, jemi të vendosur që ta shtyjmë përpara procesin e vetingut. Secilin rekomandim të Komisionit të Venecias e kemi marrë parasysh.

 Muaji qershor do të jetë një muaj shumë i rëndësishëm edhe për reformat në drejtësi, sepse më 18 qershor presim opinionin e Venecias për çështjen e vetingut në sistemin e drejtësisë”, tha Haxhiu.

Kritika për koncept-dokumentin për vetingun, të propozuar nga ministria e Drejtësisë, kanë shprehur nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Këshilli Prokurorial. Vërejtje për këtë dokument kanë dhënë edhe nga opozita, ndonëse përkrahin vetingun.

Ndërkohë, shoqëria civile po kërkon nga ministria e Drejtësisë që të bindë Komisionin e Venecias se vetingu në Kosovë është i domosdoshëm dhe mjeti i vetëm që mund të përmirësojë sistemin e drejtësisë.


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa