Protestë në vend të mësimit
Foto: Valjeta Shala/RTK
Lajme

Protestë në vend të mësimit

Ardiana Hajzeri/Radio Kosova

Protesta e sotme e mësimdhënësve, të cilës iu bashkuan thirrjes së BSPK-së për protestën e punëtorëve në sektorin publik, është përkrahur edhe nga Këshilli i Prindërve të Kosovës.

Ata vlerësojnë se vonesa në miratimin e Ligjit të Pagave dhe mos zhvillimi i dialogut social qeveri- sindikata është duke nxitur reagimin edhe të të punësuarve në sektorin e arsimit, qoftë përmes protestave e grevave, të drejta këto që u janë të garantuar me ligj.

Protestës se punëtorëve në sektorin publik, e cila do të mbahet sot në Prishtinë e që është organizuar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, do t’i bashkëngjiten edhe punëtorët e arsimit, duke mos mbajtur mësim, me vendimin që ka marrë Sindikata e Arsimit.

Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj, në një përgjigje për Radio Kosovën tha se mësimdhënësit e të gjitha niveleve të arsimit nga i gjithë vendi do të jenë pjesë e protestës.

 “Duke u nisur nga fakti se punëtorët e arsimit do të jenë në protestë, kemi ardhur në përfundim që t’u drejtohemi prindërve, që nuk ka mësim, pasi mësimdhënësit do të jenë në Prishtinë në protestë, nuk do të jenë në shkollë.”

Vendimin e Sindikatës së Arsimit për protestë po e përkrahë edhe Këshilli i Prindërve të Kosovës.

Kryetari i këtij Këshilli, Jeton Demi, i tha Radio Kosovës se sindikatat kanë të drejtë të protestojnë dhe të mbajnë greva pasi po mungon dialogu ndërmjet qeverisë dhe sindikatave për një premtim që vetë e ka bërë qeveria.

 “ Por ndërsa Qeveria nuk lëviz në miratimin e Ligjit të Pagave, sipas premtimeve të dhëna nga vetë ajo, e njëkohësisht nuk interesohet për dialogun social; dhe nga ana tjetër SBASHK-u ka argumente valide për nivelin e pamjaftueshëm të pagave në arsim dhe të drejtën ligjore për të marrë masa të tilla veprimi; ne si prindër, bashkë me fëmijët tanë, jemi pala e vetme e dëmtuar në këtë proces dhe pa mjete ligjore për të mbrojtur të drejtat tona kushtetuese. Ne vazhdojmë ta paguajmë faturën e mos veprimeve, nganjëherë edhe inateve, në mes të punëdhënësit (në këtë rast Qeverisë së Kosovës) dhe punëmarrësve, në këtë rast mësimdhënësve në sektorin e arsimit publik”, tha Jeton Demi

Ndërkohë, ministrja e Arsimit, Arberie Nagavci, në reagimin e saj në lidhje me ketë vendim ka vlerësuar se humbja e mësimit është cenim i të drejtës themelore të fëmijëve për arsimim. MAShTI do të sigurohet që të kompensohet çdo orë e humbur e mësimit për fëmijët, të cilët tashmë kanë humbur shumë gjatë kohës sfiduese të pandemisë, ka shkruar Nagavci.


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa