Menendez: Angazhimi i SHBA-së ndaj Kosovës më krucial se kurrë
BKT
Foto: Bob Menendez/Twiter
Lajme

Menendez: Angazhimi i SHBA-së ndaj Kosovës më krucial se kurrë

Emine Hoti/RTKlive

Senatori amerikan, Bob Menendez, i cili është edhe udhëheqës i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, është deklaruar për pritjen që i ka bërë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Kongres.

Përmes një postimi në Twiter, Menendez ka dhënë zotime të forta për angazhimin e SHBA-së për sigurinë e Kosovës dhe rajonit.

“Kisha nderin të prisja kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. I shpreha zotimet e palëkundura për sigurinë e Kosovës dhe shqetësimet e lidhura me veprimet destabilizuese të Rusisë në Ballkanin Perëndimor. Angazhimi i SHBA-së ndaj Kosovës dhe rajonit është më krucial se kurrë”.

Kurti dhe Menendez diskutojnë për anëtarësimin e Kosovës në NATO

Përkushtimi afatgjatë për siguri dhe paqe i Republikës së Kosovës, si dhe rëndësia e anëtarësimit të Kosovës në NATO, ishin temat kryesore në takimin ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti me senatorin amerikan, Bob Menendez, njëherit Kryetar i Komisionit të Senatit të Shteteve të Bashkuara për Marrëdhëniet me Jashtë.

"Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si partner i pazëvendësueshëm i Republikës së Kosovës.Në veçanti për ndihmën me trajnime e pajisje për ndërtimin dhe zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Duke i falënderuar për këtë bashkëpunim që vazhdon ende, kryeministri theksoi se Kosova e mirëpret përkrahjen e mëtejme", thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Në takim u bisedua për objektivat e përbashkëta, për ta bërë Forcën e Sigurisë së Kosovës forcë moderne, që është e gatshme për mbrojtjen e vendit dhe kontributdhënëse për paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal e global.

"Kryeministri Kurti theksoi solidarizimin e Republikës së Kosovës me popullin e Ukrainës, duke u rreshtuar përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian në vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë. Ai e njoftoi për ofrimin e strehimit dhe kushteve për punë për 20 gazetarë të Ukrainës dhe mundësinë që të strehojmë deri në 5.000 refugjatë", thuhet në njoftim.

U diskutua edhe për progresin demokratik e socio-ekonomik në një vit të qeverisjes dhe punën e angazhimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të fuqizuar sundimin e ligjit, për luftimin e kontrabandës, krimit dhe të korrupsionit.

 

 


MË SHUME NGA Lajme