Haxhiu: Dubrava na rikujton dhunën, torturën dhe masakrat serbe
BKT
Lajme

Haxhiu: Dubrava na rikujton dhunën, torturën dhe masakrat serbe

Blerim Halimi / RTKlive

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu së bashku me ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, dekanin e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, Avni Puka, të mbijetuarin e masakrës së Dubravës, deputetin Enver Dugolli dhe studentë të Fakultetit Juridik, kanë vizituar sot pavionët dhe hapësirat e Qendrës Korrektuese në Dubravë, në përkujtim të 23 vjetorit të masakrës së kryer nga forcat serbe ndaj të burgosurve shqiptarë.

Ministrja Haxhiu tha se kjo ditë rikujton dhunën, torturën dhe masakrën që forcat serbe e kanë bërë ndaj të burgosurve shqiptar në Dubravë, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Drejtësisë.

“Kosova sot më shumë se kurrë ka nevojë për policë, gjyqtarë e prokurorë të cilët kanë në fokus të punës së tyre adresimin e krimeve të luftës”, ka thënë Haxhiu.

Ajo iu drejtua studentëve të Fakultetit Juridik me kërkesën që të përgatiten profesionalisht në këtë drejtim me qëllim të vënies së drejtësisë për të kaluarën dhe krijimit të një të ardhme më të mirë.

“Unë shpresoj shumë që gjeneratat e ardhshme si ju, do të profilizohen në adresimin e krimeve të luftës, në hetimin dhe hulumtimin e tyre, në mënyrë që e kaluara jonë të jetë shkak i fuqizimit të Kosovës, i krijimit të paqes së qëndrueshme dhe respektimit të të drejtave të njeriut”, ka shtuar ajo.

Ndërkaq, ministri Liburn Aliu, njëherësh i mbijetuar i masakrës së Dubravës, deklaroi se burgu i Dubravës është dëshmia më makabre e pushtuesit serb, e po ashtu edhe vendngjarja e krimit gjenocidal të tyre ndaj të burgosurve shqiptar.

"Pikërisht 23 vjet më parë, më 22 maj 1999, forcat serbe për disa ditë maltretuan  fizikisht dhe psikikisht të burgosurit, para se t’i ekzekutonin më shumë se 100 prej tyre. Si të mbijetuar të masakrës së Dubravës, jemi burim i kujtesës kolektive, që gjeneratat e ardhshme ta kuptojnë e shpjegojnë ashtu siç ishte: krim kundër njerëzimit dhe akt gjenocidal", u shpreh ministri Aliu.

 

Studentët në fund patën rastin të bashkëbisedojnë me të mbijetuarit e masakrës së Dubravës, për të mësuar nga ta gjithë atë që kishin përjetuar në ato ditë tmerri.


MË SHUME NGA Lajme