26 nxënësit e helmuar janë nga shkolla `Nexhmi Mustafa` në Besi
Blerim Halimi / RTKlive
(E plotësuar 21:25) Nxënësit e helmuar gjatë eskursionit të sotëm në Mitrovicë, që dyshohet se ka ndodhur nga konsumimi i ushqimit në një restorant, janë të shkollës fillore të mesme të ulët “Nexhmi Mustafa” nga fshati Besi i Prishtinës.
RTK ka kontaktuar me drejtoreshën e shkollës, Xhevrije Osmani, e cila ka sqaruar se nxënësit tashmë kanë marrë ndihmën e parë mjekësore dhe janë duke u shpërndarë nëpër shtëpi.
Megjithatë, drejtoresha Osmani do të jetë në intervistë të drejtpërdrejtë në magazinën informative të mbrëmjes “Lajmi i fundit” në RTK në orën 23:00.
Ndonëse disa shkolla kanë shfrytëzuar të premten për ekskursion, në shumicën e shkollave në vend nuk është mbajtur procesi mësimor për shkak të protestës nga BSPK dhe SBASHK-u.
Helmohen 26 nxënës në ekskursion në Mitrovicë
26 nxënës nga shkolla e fshatit Besi në komunën e Prishtinës dyshohet se janë helmuar nga ushqimi në njërin prej restoraneve në Mitrovicë në pasditen e sotme teksa ishin në ekskursion shkollor.
Lajmin për RTK-në e ka konfirmuar Fevzi Sylejmani nga drejtoria e Shëndetësisë në Mitrovicë.
“Gjendja e nxënësve është e mirë. Simptomat janë më shumë me dhimbje barku për shkak të helmimit në ushqim. Vetëm 10 prej tyre janë të shtrirë në repartin e infektivës të Spitalit Regjional dhe gjendja e tyre është stabile. Pjesa tjetër e ka vazhduar udhëtimin për Prishtinë“, ka thënë Sylejmani.

Ai më tej ka sqaruar se nxënësit kanë qenë në një ekskursion dhe kanë ngrënë drekë në një prej restoraneve në Mitrovicë, por ka thënë se ende nuk dihet lloji i ushqimit.
“Ende nuk e kemi informata se prej çfarë lloj ushqimi janë helmuar. Dy prej tyre janë në gjendje më të rëndë.Por në përgjithësi gjendja e tyre është stabile dhe nuk pritet ndonjë komplikim. Sigurisht se do të lirohen të gjithë nga spitali pas marrjes së trajtimit”, ka shtuar ai.
Nxënësit në Spitalin Rajonal në Mitrovicë i ka vizituar edhe kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza. Ai ka takuar nxënësit e helmuar dhe stafin që po kujdeset për ta.
Ndërkohë nga Policia Rajonale në Mitrovicë kanë thënë se për rastet e helmimit nuk janë kompetentë të flasin dhe se nuk ka ende një urdhëresë nga prokuroria për ta hetuar rastin.























