Ministri Latifi vizitoi Federatën Pan-Shqiptare “VATRA”
Lajme

Ministri Latifi vizitoi Federatën Pan-Shqiptare “VATRA”

KP

Ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi, kryeministri Albin Kurti dhe zëvendësministrja e Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, kanë vizituar Federatën Pan-Shqiptare “VATRA”, Shoqatën humanitare “Peja”, shkollën shqipe “Alba Life”, në Nju Jork, si dhe ka bërë homazhe edhe te varri i tre dëshmorëve, vëllezërve Bytyqi.

Në vizitën e përbashkët në Federatën Pan-Shqiptare “VATRA”, ministri Latifi, që është edhe anëtar i saj, veçoi 110-vjetorin e themelimit të Vatrës mbarë-shqiptare e paraprirë nga “Dielli” e “Kombi”, që i dhanë shqiptarëve në SHBA, e veçanërisht në trevat e tyre, vrullin dhe organizimin për liri deri në pavarësi.

Ai tha se VATRA gjithmonë ka qenë dhe është shtylla kryesore e lobimit dhe organizimit të shtet-ndërtimit shqiptar, e cila jehon ende nga arritjet madhështore që janë arritur nga organizimi i aktiviteteve te saj.

Ministri Latifi i ftoi shqiptarët në SHBA për bashkëpunim në synimin e tij madhor për transformimin e shëndetësisë së Kosovës.

Edhe me përfaqësuesit e Shoqatës humanitare “Peja”, ministri Latifi, kërkoi bashkëpunim në fushat që ndikojnë në përmirësimin e sistemin shëndetësor të Kosovës.

Ndërsa gjatë vizitës në shkollën shqipe “Alba Life”, ministri Latifi tha se “këta janë nxënësit tanë të cilët në të ardhmen duke mësuar gjuhën shqipe do të jenë më të lidhur dhe më bashkëpunues me atdheun”.

Ai theksoi se “gjuha shqipe është ashti i kombit, gjuhë që na bashkon të gjithëve". Ndërsa në homazhet për vëllezërit Bytyqi, ministri Latifi kujtoi dëshmorët e kombit dhe heronjtë që nuk vdesin kurrë, të cilët lanë gjithçka në Amerikë dhe iu përgjigjën kushtrimit për t'u bashkuar me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa