Fejzullahu: Vendimi i Apelit për tarifa është duke u zbatuar
BKT
Foto: Valjeta Shala/RTK
Lajme

Fejzullahu: Vendimi i Apelit për tarifa është duke u zbatuar

Valjeta Shala/ RTK

(E plotësuar: 13:07) Kryetari i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu duke mos pranuar të flas para kamerave megjithatë pas përfundimit të takimit ka thënë se vendimi i Gjykatës i vërtetuar nga ajo e Apelit është duke u zbatuar.

Ai foli edhe për kërkesën e KESCO-s për sqarime në lidhje me pezullimin e tarifave të reja. Për ketë  tha se, KESCO duhet t’i drejtohet gjykatës.

Shala: Situatë e ndërlikuar, vendi nuk ka tarifa të rrymës

(E plotësuar: 13:00) Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, i cili është  edhe kryetar i Komisionit për Ekonomi, tha se kanë dëgjuar ankesat e Bordit të ZRRE-së.

“Situata është tejmase shqetësuese dhe bordi i nuk ka qëndrim të qartë për këtë situatë”, tha Shala, pas mbledhjes së Komisionit për Ekonomi, i mbajtur me dyer të mbyllura, me kërkesë të Bordit të ZRRE-së.

“Presim zhvillime të tjera. Jemi  në situatë të ndërlikuar. Flasim nga shqetësimet e Bordit të ZRRE-së sepse kemi pasur proces me ndërhyrje e dhe shkelje politike”, tha Shala.

Sipas tij, ka pasur proces të ngritjes së jashtëzakonshme të ngritjes së tarifave.

“Tani bordi është në pozicion delikat si pasojë e vendimeve të mëhershme të marra nga ndikimi politik”.

Shala sqaroi se tani në këtë moment, vendi është pa tarifa dhe pa asnjë vendim juridik që e definon tarifën e rrymës.

“Vendimi i gjykatës duhet të zbatohet dhe Bordi i ZRRE-së, duhet të ofrojë zgjidhje derisa gjykata të marrë vendim final”.

Ai tha se në mbledhje nuk është diskutuar për raporte tjera, sikurse ai i Avokatit të Popullit që ngritjen e tarifave e konsideron si shkelje të të drejtave të njërit.

“Për këtë arsye edhe e kemi çuar  lëndën në gjykatë. Ndërhyrjet e Qeverisë në vendimin e bordit janë evidente,  të prekshme e të matshme. Kosova nuk ka pasur nevojë për ngritje të çmimit për import të rrymës”.

Për më tepër, Shala tha se Bordi i ZRRE-së, nuk ka dhënë asnjë alternativë konkrete për dalje nga kjo situatë.

E ndërkohë, Shala u shpreh se nëse KESCO tarifën qytetarët me tarifat e ngritura të rrymës, atëherë përbën shkelje ligjore sepse  vendi aktualisht është pa tarifa të rrymës.

LDK në Komision, kërkon dorëheqjen e Bordit të ZRRE-së

(E plotësuar: Ora 12:45) Ka përfunduar mbledhja e Komisionit për Ekonomi të Kuvendit të Kosovës, i mbajtur me dyer të mbyllura.

Aty ka raportuar Bordi i ZRRE-së. Velentina Bunjaku- Rexhepi deputete nga LDK dhe anëtare e Komisionin, në deklarim për RTK-në, dha disa detaje nga diskutimi.

Ajo tha se si anëtare dhe deputete e LDK- së dhe e gjithë kjo parti, ka kërkuar  nga Bordi  i ZRRE-së, që ta japë dorëheqje, ose në të kundërtën, do të iniciohet procedurat parlamentare për shkarkim të tij.

“Bordi i ZRRE-së  nuk është i aftë të marrë vendime pasi në Komision, anëtarët e Bordit, kanë bërë të ditur se u janë  drejtuar gjykatave për sqarime që kanë të bëjnë me vendimin e Apeliit për pezullim të tarifave të reja të energjisë”, tha Bunjaku-Rexhepi për RTK-në.

Për më tepër, ajo tha se bordi nuk ka sqaruar nëse do të rikthehen tarifat e vjetra apo si do të veprojnë.

Ajo tha se vendimet e Bordit të ZRRE-së kanë qenë paushallë dhe sjelljet e tyre ishin me arrogancë.

Hoti kritikon raportimin e bordit të ZRrE-së me dyer të mbyllura

Afet Bela/RTKlive

(E plotësuar, ora 11:20) Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti diskuton me bordin e ZRrE-së, pas situatës së krijuar nga Aktvendimi i Gjykatës së Apelit për tarifat e energjisë elektrike. Kjo mbledhje po mbahet me dyer të mbyllura.

Për këtë ka reaguar ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti. “Përse raporti i ZRrE-së në Komisionin për Ekonomi duhet të jetë me dyer të mbyllura?!. Pse publiku duhet privohet nga informatat për veprimet e ZRRE-së në përballje me krizën energjetike. Çfarë sekreti shtetëror janë vendimet e ZRRE-së për tarifat energjetike. Kjo praktikë e raportimeve me dyer të mbyllura është e re dhe duhet të ndalet. Publiku ka të drejtë të informohet plotësisht. ZRRE-ja nuk është AKI, e as Polici apo FSK, të cilat sipas ligjit duhet të klasifikojnë informatat”, ka shkruar ai në Facebook”.

Nis mbledhja e Komisionit, pas vendimit të Apelit për tarifat e energjisë

Valjeta Shala/RTK

(E plotësuar, ora 10:25) Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti diskuton me bordin e ZRrE-së, pas situatës së krijuar nga Aktvendimi i Gjykatës së Apelit për tarifat e energjisë elektrike.

Diskutohet situata e krijuar me tarifat e energjisë pas vendimit të Apelit (ora 06:36)

Afet BELA/ RTKlive

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti sot do të mbajë një mbledhje.

Në këtë mbledhje do të ketë diskutim me bordin e ZRrE-së, pas situatës së krijuar nga Aktvendimi i Gjykatës së Apelit për tarifat e energjisë elektrike (kjo pikë mbahet me dyer të mbyllura më kërkesë të bordit të ZRrE-së).

Po ashtu në këtë mbledhje do të bëhet edhe shqyrtimi i raportit me amendamente për projektligjin për markat tregtare. Mbledhja e Komisionit fillon në ora 10:00.

Ndryshe javën e kaluar Gjykata e Apelit i ka dhënë të drejtë vendimit të shkallës së parë për ta pezulluar vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë në lidhje me vendimin për tarifat e reja të energjisë elektrike.

Apeli thotë se me këtë vendim ruhet interesi publik, tarifat e reja të energjisë elektrike të cilat kanë hyrë në fuqi në shkurt të këtij viti, do të pezullohen deri në një vendim të ri të Gjykatës Themelore.

Kolegji i Gjykatës së Apelit, e ka pranuar në tërësi si të drejtë dhe të ligjshëm qëndrimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë. Gjykata po ashtu ka gjetur se shtyrja e ekzekutimit të vendimit të kontestuar me këtë padi, nuk është në kundërshtim me interesin publik, përkundrazi më së shumti i shërben ruajtjes së interesit të ekonomive familjare në Kosovë si konsumatorë shumicë të shfrytëzimit të energjisë elektrike.

Edhe KOSTT ka shprehur shqetësim për anulim të tarifave. Sipas KOSTT një gjë e tillë e rrezikon sigurinë e operimit të sistemit, marrëveshjet e tjera me institucionet ndërkombëtare si dhe arritjet në pavarësimin e operimit të Sistemit Elektro-energjetik të Kosovës, raporton RTKlive.

“Rritja e çmimit të energjisë elektrike është pasojë e krizës globale të energjisë dhe ka prekur të gjitha vendet Evropiane, andaj është i domosdoshëm reflektimi i kësaj kosto-je në të hyra shtesë”, thuhet në komunikatë. KOSTT ngre zërin për pamundësinë e mbulimit të kostove të shkaktuara dhe atyre që pritet të ndodhin nëse nuk ndërmerren masa urgjente për të adresuar çështjen e kostove të sektorit qoftë përmes rritjes se tarifave apo subvencionimit.

“Nëse nuk ndodhin këto veprime atëherë do të rrezikohet siguria e furnizimit me energji elektrike në vend, do të aplikohet masa për reduktimin e konsumit si dhe rrezikohet seriozisht Marrëveshja e Kyçjes KOSTT/ENTSO-E”, përfundon komunikata.

Për vendimin e Apelit partitë opozitare kanë vlerësuar se ky vendim është i drejt dhe se shkon në dëm të qytetarëve të Kosovës. Opozita ka kërkuar edhe shkarkimin e bordit të ZRRE-së, e cili sipas opozitarëve ka marrë vendime kundër interesit publik.


MË SHUME NGA Lajme