Kurti takon në Davos bashkëdrejtuesin e kompanisë Celonis
Foto: Zyra e Kryeministrit
Lajme

Kurti takon në Davos bashkëdrejtuesin e kompanisë Celonis

Emine Hoti / RTK/live

Kryeministri Albin Kurti në Davos takoi bashkëdrejtuesin dhe bashkëthemeluesin e kompanisë softuerike Celonis, Alexander Rinke.

Derisa Rinke foli për përvojën në Kosovë dhe shërbimet që Celonis i kryen në Prishtinë për klientët e saj, Kurti tha se me popullatën e re dhe profesionale që vendi ka, shtrirjen më të gjerë të internetit në Evropë, potencialin e dëshmuar në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe me qeverinë që mbështet këtë sektorë, Kosova synon të bëhet qendra e radhës e kësaj fushe në Evropën Juglindore.

Ai e ftoi kompaninë Celonis që ta konsiderojë Kosovën në strategjinë e tyre të zgjerimit, teksa po ashtu diskutoi me Rinke mbi mundësitë që Celonis të jetë urë lidhëse ndërmjet Kosovës dhe komunitetit të startup-ve në Gjermani.

Ndryshe, Celonis ka mbi 3 mijë punëtorë dhe konsiderohet si kompania e teknologjisë me rritjen më të shpejtë në botë. Ajo nga viti 2015 ka edhe zyrën e saj në Prishtinë në të cilën ka të punësuar 74 veta. 

(Ora:18:44)

Kryeministri Kurti takoi drejtuesit e PayPal

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në margjina të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, takoi drejtues të PayPal, një nga kompanitë më të mëdha në botë që mundëson pagesa ndërkombëtare.

Indikatorët pozitivë ekonomikë, rritja ekonomike impresive dyshifrore, si dhe potenciali që ka Kosova në fushën e teknologjisë së informacionit, u theksuan nga kryeministri Kurti në takimin me Richard Nash, zëvendëspresident i PayPal dhe drejtues i Grupit për Marrëdhënie Globale me qeveri, dhe me Franz Paasche, zëvendëspresident i lartë i PayPal dhe drejtor i çështjeve korporative.

Kryeministri theksoi shkallën e lartë të përdorimit të internetit në Kosovë, rritjen e nivelit të shfrytëzimit të tregtisë elektronike e-commerce dhe blerjeve online, si dhe dërgimin e remitencave nga mërgata, si faktorë të rëndësishëm e të dobishëm që PayPal të përfshijë edhe Kosovën në platformë.

Sipas një komunikate të Qeverisë, duke potencuar interesat e përbashkëta, projektet dhe planet drejt bërjes së Kosovës si qendër e ardhshme e teknologjisë së informacionit në Evropën Juglindore, kryeministri ftoi drejtuesit e PayPal që të bëhen pjesë e këtij rrugëtimi.

Në kuadër të vizitës zyrtare në Zvicër, kryeministri Kurti do të takohet edhe me përfaqësues të tjerë të ndërmarrjeve e liderë politikë, si dhe do të zhvillojë takime me mërgatën tonë atje. Po ashtu do të merr pjesë në panelin “Dialogu i Diplomacisë për Ballkanin Perëndimor” në Forumin Ekonomik Botëror.


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa