LDK: Shëtitje 18-ditore e Kurtit në SHBA, pa strategji e agjendë
Shqipe Gashi/RTKlive
Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron se vizita e kryeministrit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shpërfaqi pafuqinë e Kurtit për të takuar zyrtarë amerikanë të nivelit të lartë, siç kanë bërë dikur paraardhësit e tij.
Madje, nga kjo parti, duke e quajtur “shëtitje 18-ditore” vizitën e kreut të ekzekutivit në Amerikë thonë se si e tillë ishte e papërgatitur mirë dhe pa ndonjë strategji të mirëfilltë.
Nënkryetarja e LDK-së, Shqipe Mjekiqi u shpreh se takimet me zyrtarë të lartë amerikanë kanë qenë të zakonshme për krerët e institucioneve kosovare në të kaluarën.
“Mungesa e takimeve të nivelit të lartë në Shtëpinë e Bardhë dhe në Departamentin e Shtetit, dy institucione ku ndërtohet politika e jashtme e ShBA-ve, shpërfaq pafuqinë e kryeministrit Kurti, për t’i hapur dyert në nivelet më të larta të politikbërjes madje në kohë të rëndësisë së madhe shkaku i tronditjeve të vendit e sigurisë evropiane e botërore në kohën e agresionit rus”, tha Mjekiqi.
Duke e quajtur shëtitje 18 ditore vizitën e Kurtit në ShBA, ajo tha se si e tillë, e zbeh peshën e vizitave institucionale që ka zhvilluar më herët Kosova.
Kurse, anëtari i kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti vizitën e kryeministrit Kurti në ShBA e konsideroi si të papërgatitur mirë dhe pa ndonjë strategji të mirëfilltë.
Hamiti tha se nëse qëllimi kryesor i vizitës maratonike të Kurtit në ShBA ka qenë diplomacia ekonomike, kjo nuk është bërë në mënyrën e duhur dhe nuk mund të zëvendësojë domosdoshmërinë e takimeve në nivelin e lartë politik.
“Dinamika e zhvillimeve sot nuk lejon që kryeministri i vendit të shkojë pa agjendë të akorduar e përgatitur mirë me administratën mikpritëse”, tha Hamiti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e cila nisi më 6 maj e përfundoi dje, ka takuar një sërë kompanish që operojnë në fushën e teknologjisë së informacionit, senatorë e kongresistë si dhe shqiptarë që jetojnë e veprojnë në Shtetet e Bashkuara.