Propozimi për TRUST-in shkon në Kuvend pa aprovim të Komisionit
BKT
Valmira Saraçi Sahatçiu/ RTK
Lajme

Propozimi për TRUST-in shkon në Kuvend pa aprovim të Komisionit

Valmira Saraçi Sahatçiu/ RTK

Edhe pse ka ka dështuar të miratohet projektligji për tërheqjen e mjeteve të TRUST-it sot në mbledhjen e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, ky projketligj do të dërgohet në Kuvend.

Dështon projektligji për tërheqjen e mjeteve të TRUST-it

Me pesë vota pro, 5 kundër dhe një abstenim ka dështuar të miratohet projektligji për tërheqjen e mjeteve të TRUST-it sot në mbledhjen e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere.

Muja: FMN e shqetësuar rreth tërheqjes së mjeteve të TRUST-it

( E plotësuar, ora 11:50) Armend Muja-Kryetar i Komisionit, tha se Trusti dhe kursimi është obligim e nuk është opsionale.

“Në gjitha vendet e botës janë obligim. Nuk kam gjetur diku në Evropë që i janë drejtuar kursimeve pensionale për të zgjidhur një krizë. Ky propozim më shumë është për t'i ndihmuar shtresat e pasura. Nëse synimi ka qenë të ndihmohen shtresat e varfra, ky propozim nuk  bën një gjë të tillë”, tha ai.

Sipas tij FMN kanë qenë tejet të shqetësuar nëse kjo vetëm do të diskutohej e jo të realizohej.

Hoti: LDK mbështet plotësisht projektligjin për TRUST-in

( E plotësuar, ora 11:40) Avdullah Hoti anëtar i Komisionit nga LDK, tha se kjo parti e mbështet plotësisht këtë projektligj.

"Unë kam pritë që përmes veprimeve të nevojshme të qeverisë të mos kishte nevojë për të tilla masa si Trusti.  Ne e mbështesim plotësisht këtë projektligj. Lidhur me mendimin e Qeverisë, është e drejtë legjitime të kenë mendimin e tyre por nuk kanë dhënë arsyeshmërinë se me pse janë kundër dhe çfarë masa do të marrin ata në vend të kësaj. Jam i pakënaqur me opinionin e qeverisë, për shkak që nuk ka shpjegime konkrete se si do të mbështeten qytetarët. Mosha e atyre që kanë kursime në Trust më shumë është relativisht e re e që nënkupton se ata brenda vitesh do të plotësojnë fondin e tyre për pleqëri”, tha ai.

AAK pro

Pal Lekaj-Anëtar i Komisionit nga AAK tha se kjo parti është për. "Ju bëj thirrje miqësore kolegiale e të shkoni përtej petkut politik, përtej subjektit tuaj. Ta leni inatin e krenarinë e të fokusohemi te e mira e përbashkët që janë qytetarët. Vota ime dhe e AAK është për”, tha ai.

GRUPI multientik abstenon

Duda Balje në emër të grupit multietnik nga shtatë parti të ndryshme, tha se abstenon. “Dje deri vonë kemi pasur një takim dhe në Grup jemi 4 me 4. Unë sot abstenoj”, tha ajo.

Ferat Shala nga PDK tha se ky propozim është si pasojë e inflacionit. "Përfituesit më të mëdhenj në këtë rast do të ishin punëtorët e arsimit. Askush nuk i tërheqë mjetet nëse nuk ka nevojë. Sikur ta kishim parë ne ai Grup një opsion alternativ do të ju mbështesnim. Rrethanat e tanishme dhe menaxhimi jo i mirë i kësaj situate ne po kërkojmë t'i mbështesni sot këto kategori e të kalojë sa më shpejtë në Parlament. Tërheqja e mjeteve nuk është për luks, por për mbijetesë. Duhet të jemi më serioz se të themi jo, janë vetëm dy shkronja", tha Shala.

Muja: Qeveria nuk përkrah tërheqjen e mjeteve të TRUST-it

(E plotësuar, ora 11:34) Armend Muja, kryetar i Komisionit ka lexuar opinionin e Qeverisë lidhur me këtë projektligj. Qeveria e Kosovës nuk e përkrah këtë propozim është opinioni i Qeverisë.

Haxhiu: Tërheqja e mjeteve të  TRUST-it ndihmesë ndaj krizës ekonomike

( E plotësuar, ora 11:27) Bekim Haxhiu në emër të PDK si propozues i këtij ndryshimi para Komisionit ka prezantuar projektligjin.

"Ky projektligj i është shpërndarë deputetëve nga 27 prilli. Qytetarët po përballen me krizë ekonomike. Kemi iniciuar këtë plotësim ndryshim që qytetarëve të iu mundësohet tërheqja edhe e një pjese tjetër të mjeteve nga Trusti nga 10 deri në 30 për qind varësisht shumës së mjeteve që kanë në Trust. Konsideroj që pas miratimit të këtij ndryshimi, duhet të punohet edhe në reformën pensionale”, tha ai.

Haxhiu ka ftuar deputetët anëtarë të Komisionit ta mbështesin këtë ndryshim pa dallim pozitë-opozitë.

Filloi mbledhja, ku do të shqyrtohet ndryshimi i ligjit të TRUST-it

(E plotësuar, ora 10.22) Komisioni për Buxhet, Punë e Transfere ka nisur mbledhjen me propozimin e deputetit të PDK-së Mërgim Lushtaku që pika e 8 qe është plotësim ndryshimi i Ligjit për Fonde Pensionale të renditej si pikë e parë, por ky propozim nuk mori votat nga anetarët e Komisionit dhe mbeti ashtu siç ishte planifikuar me rend dite.

Tërheqja e mjeteve të TRUST-it sot në Komisionin për Buxhet (Ora 07:13)

Afet Bela

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere sot do të mbajë mbledhje.

Në këtë mbledhje do të jetë shqyrtimi në parim i Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës.

Ky propozim për ndryshim të ligjit për TRUST-in ka ardhur nga deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu. Deputeti Haxhiu këtë propozim e kishte bërë në muajin mars duke ka kërkuar që qytetarëve t’u mundësohet tërheqja e mjeteve nga Trusti deri në 30 %, raporton RTKlive.

“Me kërkesë të shumë qytetarëve ri-propozoj: Tërheqjen e mjeteve financiare për qytetarët nga Trusti Pensional deri në 30%. Pas shtrenjtimit të rrymës dhe të gjitha produkteve të konsumit ditor është mëse e nevojshme që Qeveria ta sjell në votim propozimin tim për tërheqjen e Trustit Pensional deri në 30%””, kishte shkruar Haxhiu në “Facebook”.

Sipas tij propozim-amandamenti do të ndikojë në rimëkëmbje ekonomike dhe mbështetje për qytetarët: Personat që kanë kursime pensionale në shumën më pak se 10.000 Euro, kanë të drejtë t’i tërheqin deri në tridhjetë përqind (30%) të kursimeve të tyre pensionale në FKPK, personat që kanë kursime pensionale në shumën prej 10.000 Euro deri në 19. 999 Euro, kanë të drejtë t’i tërheqin deri në njëzetepesë për qind (25%) të kursimeve të tyre pensionale në FKPK, personat që kanë kursime pensionale në shumën prej 20.000 Euro deri në 29. 999 Euro, kanë të drejtë t’i tërheqin deri në njëzetë përqind (20 %) të kursimeve të tyre pensionale në FKPK, personat që kanë kursime pensionale në shumën prej 30.000 Euro deri në 39. 999 Euro, kanë drejtë t’i tërheqin deri në pesëmbëdhjetë përqind (15%) të kursimeve të tyre pensionale në FKPK dhe personat qe kanë kursime pensionale me shumë se 40.000 Euro (dyzet mijë), kanë drejtë t’i tërheqin deri në dhjetë përqind (10%) të kursimeve të tyre pensionale në FKPK.

“Me këtë propozim qytetarët që kanë të ardhura më të ulëta do të mbështeten me shumë, ata që kanë me pak mjete në Trust t’u lejohet të tërheqin me shumë mjete me qëllim që ta përballojnë më lehtë situatën aktuale për shkak të krizës ekonomike dhe rritjes enorme të çmimeve në të gjithë sektorët pa dallim”, kishte shkruar Haxhiu.


MË SHUME NGA Lajme