Pas tre ditësh, ZRRE i reagon Avokatit të Popullit për tarifat
Jeton Musliu / RTKlive
Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka reaguar ndaj deklarimit të Avokatit të Popullit. Me 23 maj, Avokati i Popullit u shpreh se vendimi i ZRRE-së për përcaktimin e strukturës tarifore ishte diskriminues.
Tani, ZRRE-ja deklaron se Avokati i Popullit nuk ka ofruar ndonjë koment si mundësi për të kontribuar në cilësinë e këtij procesi.
“Institucioni i Avokatit të Popullit në opinionin e tij, shihet që fare nuk ka analizuar raportin konsultativ për strukturën tarifore”, deklaron ZRRE.
Ky organ, njofton se ditëve në vijim do të hartojë një raport më të detajuar lidhur me vlerësimin e opinionit të Avokatit të Popullit për vlerësimin e strukturës së re tarifore.
Tre ditë më parë, Avokatit të Popullit ka publikuar opinionin lidhur me vendimin e Zyës së Rregullatorit të Energjisë, për ndryshimin e tarifave të energjisë elektrike.
“Avokati i Popullit vlerëson se vendimi i ZRRE-së ka elemente të diskriminimit dhe trajtimit të pabarabartë ndaj konsumatorëve”, deklaroi Avokati i Popullit.
Avokati i Popullit ka vlerësuar se i gjithë procesi i përcaktimit të strukturës tarifore dhe lartësisë së tarifave të rikthehet në pikën zero.























