Përdorimi i drogave në rritje, rehabilitimi jashtë Kosovës
REL
Numri i përdoruesve të drogës në Kosovë është në trend të rritjes, ndërsa konsumues gjithnjë e më të shpeshtë po bëhen adoleshentët.
Samire Braina, udhëheqëse e Repartit të Psikiatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, thotë se në pesë muajt e deritashëm të këtij viti, trajtim atje kanë kërkuar 60 përdorues drogash.
Në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kjo shifër ka qenë 43, ndërsa gjatë gjithë vitit 2021, trajtim kanë kërkuar 112 veta.
“Moshat [e përdoruesve] janë nga 18 vjeç e sipër, por kemi pasur raste edhe nën 18 vjeç, 15 apo 16 vjeç”, thotë Braina për Radion Evropa e Lirë.
Sipas saj, trajtimi i pacientëve që kanë varësi nga substancat narkotike, është afatgjatë dhe i vështirë.
Në Kosovë, aktualisht, nuk ka ndonjë qendër rehabilituese afatgjate, që do të ishte nën ombrellën e institucioneve shëndetësore të shtetit.
Braina thotë se, në shumicën e rasteve, të varurit nga droga orientohen për rehabilitim afatgjatë në qendra jashtë Kosovës.
Labirint: 5,000 - 6,000 përdorues të varur drogash
Adresë për ta nganjëherë është edhe Qendra Mediko-Psikoterapeutike Labirint - një organizatë jofitimprurëse me seli në Prishtinë.
Kjo qendër ofron programe ditore, nga mbështetja psiko-sociale deri te terapitë grupore.
Sipas të dhënave të saj, janë 5,000 - 6,000 përdorues të varur drogash në Kosovë, që kanë probleme me sjelljen dhe rrethin, ndërsa numri i përgjithshëm i përdoruesve kalon 30,000 për herë të parë.
Mosha mesatare e personave kur nisin të përdorin narkotikë, është rreth 16 vjeç, kurse llojet e drogave që konsumohen, variojnë nga marihuana deri te kokaina.
Udhëheqësit e Labirintit thonë se në qendrën e tyre, aktualisht, janë të regjistruar 2,672 persona, ndërsa në fund të vitit të kaluar kanë qenë 2,420.
“Për ne është shqetësuese rritja e shpejtë e përdorimit të kokainës në Kosovë”, thotë drejtori i Qendrës Labirinti, defektologu Safet Blakaj.
Sipas tij, faktorët që i shtyjnë të rinjtë të marrin drogë, janë: dëshira për t’i takuar grupit, kureshtja dhe qasja e lehtë në substanca të tilla.(Marrë me shkurtime nga REL)























