AKP shpall sërish valën e 55-të të privatizimeve (Video)
Ahmet Maholli/ RTK
Vendimi i Qeverisë i datës 9 shkurt 2022 i ka shfuqizuar pikat 2, 3 dhe 4 të vendimit të mëparshëm të Qeverisë, i cili i kërkonte AKP-së që të mos bëjë shpallje të asnjë vale të privatizimit derisa të miratohet një strategji e re. Por, me gjithë vendimin e Qeverisë për ndërprerjen privatizimeve, AKP ka shpallur sërish valën e 55- të të privatizimit të ndërmarrjeve të likuiduara.
Nëpërmjet një përgjigje elektronike AKP, thotë se shpallja e shitjeve është bërë në bazë të Ligjit.
Me vendimin e Qeverisë më 9 shkurt 2022 udhëzohet AKP që të mos vendos në shitje asete që janë të identifikuara si potenciale për t’u transferuar në Fondin Sovran, para miratimit të politikës së Qeverisë lidhur me themelimin e Fondit Sovran.
Prandaj, AKP, në përputhje me kompetencat ligjore sipas Ligjit të miratuar nga Kuvendi i Kosovës dhe duke respektuar plotësisht këtë vendim të Qeverisë ka nxjerrë në shitje asete që nuk janë identifikuar si asete potenciale për t’u bartur në Fond Sovran.
Të njëjtin mendim e ndan edhe deputeti i Vetëvendosjes, Armend Muja.
“Çka kemi bërë ne, është se asetet, ose resurset strategjike i kemi tërhequr nga procesi i privatizimit, ato të cilat ne mendojmë me i zhvillu nëpërmjet fondit sovran, kurse ato që kanë mbet dhe nuk mund të përdoren në proces të zhvillimit ekonomik, si ndonjë depo ose diçka tjetër, duhet të përmbyllet si proces, pra, nuk ka më privatizim të egër siç ka ndodhë në të kaluaren”, tha ai.
Për opozitën ky është mashtrim nga ana Qeverisë. AKP sipas tyre ka në plan që gjatë këtij viti të ketë edhe 5 ose 6 valë të shitjes.
“Në asnjë mënyrë nuk është dashur të ndërhyhet në procesin e AKP-së pa plan, pa strategji, pa rrugëdalje, pra kjo qeveria nuk ka asnjë koncept të shëndoshë ekonomik e social për asetet nacionale që mneaxhohen nga AKP. Pra mashtrimi I radhës politik dhe ekonomik I kësaj qeverie ëhstë pikërisht ky, është bërë një ndarje e aseteve dhe një pjesë tjetër janë lënë për proceset të mëvonshme në emër të fondit sovran”, tha Ferat Shala, deputet i PDK-së.
Edhe deputeti i AAK, Pal Lekaj nuk është i befasuar nga veprimet e Qeverisë dhe AKP-së.
“Mendoj se gjendja është ndjeshme kur qeveria kishte premtuar se do të shkohet me shuarje të AKP-së dhe tani po e e aktivizon shitjen, dhe kjo nuk do mend se diçka po fshihet sepse kemi pasur një vendim apriori të ndalesës së shitjes së aseteve", tha ai.
Edhe pas insistimit, deputetët e LDK-së nuk u janë përgjigjur thirrjeve të RTK-së për procesin e privatizimit. Ndonëse, ish kryeministri Avdullah Hoti e ka kundërshtuar këtë proces në rrjetin e tij social. Mandati i AKP-së, sipas planeve të Qeverisë do të përfundojë pas dy vjetësh.























