Maqedonia e Veriut rihap ambasadën në Kiev
Lajme

Maqedonia e Veriut rihap ambasadën në Kiev

Maqedonia e Veriut rihap ambasadën e saj në Kiev, e cila ishte mbyllur pas nisjes së agresionit rus në Ukrainë.

Rihapja e ambasadës u bë nga Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, i cili zhvilloi një vizitë në kryeqytetin e Ukrainës, ku u prit nga homologu i tij zoti Dmytro Kuleba.

Dy ministrat diskutuan mbi agresionin rus ndaj Ukrainës, për pasojat ndaj shtetit dhe popullit ukrainas dhe më gjerë.

Zoti Osmani vizitoi edhe qytetin Irpin, pranë Kievit, ku pa shkatërrimet e shumta si pasojë e bombardimeve të forcave ruse. Ai shprehu solidaritetin e vendit të tij me popullin e Ukrainës.

Zoti Osmani u shpreh se “liria e Maqedonisë së Veriut dhe e çdo vendi tjetër evropian, sot mbrohet në Ukrainë, prandaj Ukraina meriton ndihmë, mbështetje dhe respekt”.

Ai tha se Maqedonia e Veriut që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë iu është bashkuar sanksioneve kundër Moskës.

Kuleba dhe Osmani kanë biseduar edhe për perspektivën evropiane të të dy vendeve duke theksuar nevojën që ky proces të marrë vëmendjen e shtuar pas zhvillimeve të fundit.

Ministri i jashtëm ukrainas, Dmitro Kuleba falënderoi Maqedoninë e Veriut “për qëndrimin parimor dhe aktiv që nga fillimi duke i siguruar ndihmë Ukrainës”, siç u shpreh ai./ VOA


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa