Osmani e Abazoviq, përplasje e hapur për “Ballkanin e Hapur”
BKT
Foto: Presidenca e Kosovës
Lajme

Osmani e Abazoviq, përplasje e hapur për “Ballkanin e Hapur”

Jeton Musliu / RTKlive

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, shkëmbyen replika të forta lidhur me nismën rajonale “Ballkani i Hapur”.

“Unë nuk po angazhohem për ‘Ballkanin e Hapur’ ose për Procesin e Berlinit apo ndonjë nismë tjetër. Unë po angazhohem për bashkëpunimin rajonal. Çdo nismë që ka për qëllim bashkëpunimin rajonal, gjithçka që mund të shfrytëzojmë për bashkëpunim, është sukses”.

Ky citat është pjesë nga deklarimi i kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviq,  thënë gjatë diskutimit në  panelin e Samitit të Demokracisë në Evropën Juglindore, që po mbahet në vendin fqinj.

“Se a është dikush lider i zgjedhur në mënyrë demokratike, që beson në vlerat e sundimit të ligjit, të drejtat e njeriut dhe në demokracinë dhe a është dikush ish-ministër i propagandës së regjimit të [ish-kreut të Jugosllavisë, Slobodan] Milosheviqit, kjo duhet të ketë rëndësi. Në të kundërtën, porosia që po dërgojmë është se nuk ka rëndësi nëse je [presidenti i Ukrainës, Volodymyr] Zelensky apo [presidenti i Rusisë, Vladimir] Putin”.

Citati i dytë është i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, thënë në të njëjtin samit në prani të kryeministrit të Malit të Zi.

Mospajtimet e hapura mes Osmanit e Abazoviqit vazhduan pothuajse gjatë tërë diskutimeve.

Kjo pasi Kosova kundërshton pjesëmarrjen në nismën “Ballkani i Hapur”, për shkak se Serbia vazhdon të mbetet me sjellje të njëjtë karshi Kosovës, ndërsa Mali i Zi mbetet i ndarë brenda krerëve institucionalë të saj, lidhur me këtë nismë.

Presidenti i këtij vendi, Millo Gjukanoviq e kundërshton pjesëmarrjen në “Ballkanin e Hapur”, por qasje tjetër ka kryeministri Dritan Abazoviq.

Kryeministri i malit të Zi, Dritan Abazoviqi tha se një pjesë e shoqërisë së këtij vendi, e kundërshton “Ballkanin e Hapur” për shkak të rolit të Serbisë në këtë nismë. Kjo pasi ditë më parë, Abazoviq deklaroi se do të merrte pjesë në takimin e radhës të “Ballkanit të Hapur”, që mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Në drejtim të tij pati shumë kritika. Abazoviq e shpjegoi qëndrimin e tij.

 “Për mendimin tim, një pjesë e shoqërisë në Mal të Zi e kundërshton [‘Ballkanin e Hapur’], vetëm sepse është kundër çdo gjëje që është Serbia. Ata nuk e kanë problem nismën, por kanë problem personal”, tha Abazoviq.

“Problemet personale në politikë shpeshherë nuk japin mundësinë për ndonjë lloj vizioni”.

Megjithatë, edhe në këtë pikë, ai u kundërshtua nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sepse shteti që ajo përfaqëson, kërkon që të trajtohet e barabartë, si shtet i pavarur brenda cilitdo proces, përfshirë edhe nismën “Ballkani i Hapur”.

“Ne i kemi shtrirë dorën e bashkëpunimit vendit që bëri gjenocidin ndaj nesh, pa kërkuar ndjesë, pa parë keqardhje nga ana e tyre, pa kriminelët pas hekurave apo të nxjerrë para drejtësisë, pa pasur rreth 2,000 të zhdukur në periudhën e luftës, një vendi që fle mbi varre masive. Si mund të tregojmë më shumë sesa në këtë mënyrë të shtrijmë dorën e miqësisë dhe bashkëpunimit?”, tha Osmani.

Ajo rikujtoi se Kosova është e përkushtuar ndaj bashkëpunimit rajonal, por  mospajtimi i Kosovës për nismën e “Ballkanit të Hapur” duhet të respektohet.

“Kosova ka treguar përkushtimin për të bërë gjithçka që është e nevojshme që bashkëpunimi rajonal të funksionojë”.

E kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, duke iu kundërpërgjigjur Osmanit,e rikujtoi ‘Procesin e  Berlinit’.

 “Si ka mundësi që ju, me shumë gjasa do të uleni në Procesin e Berlinit me të njëjtët njerëz, të cilët fatkeqësisht nuk e njohin Kosovën, ndërkaq Ohri [ku do të mbahet takimi i ardhshëm i ‘Ballkanit të Hapur’] është problem? Kjo është ajo që unë nuk e kuptoj”, tha Abazoviq.

Ai sqaroi se  qëllimi i vetëm i shtetit të tij në politikën e jashtme është anëtarësimi i plotë në BE dhe nuk kërkon alternativa për këtë qëllim, por shtoi se në takimin e “Ballkanit të Hapur”, që mbahet më 7 dhe 8 qershor, do të marrë pjesë si mysafir.

Sidoqoftë, Presidentja Osmani ka theksuar se lufta barbare dhe e paprovokuar e Rusisë kundrejt Ukrainës po e ripërcakton jo vetëm të ardhmen e Evropës.

“Pavarësisht përparimit të madh që kemi arritur si shtet dhe si rajon, të gjithë ne sot duhet ta kujtojmë që kërcënimet ndaj paqes dhe sigurisë janë gjithnjë aktive”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Sipas Presidentes Osmani, kjo dëshmohet me përpjekjet e Rusisë që nëpërmjet sateliteve të saj ta destabilizojë Kosovën, Bosnje e Hercegovinën dhe Malin e Zi.

Nisma “Ballkani i Hapur” është vazhdimësi e “mini-Shengenit” ballkanik, prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Kësaj nise kanë refuzuar t’i bashkohen deri më tani, Kosova, Bosnja e Hercegovina dhe Mali i Zi.


MË SHUME NGA Lajme