Ambasadori Szunyog premton mbështetje për sektorin publik e privat
BKT
Lajme

Ambasadori Szunyog premton mbështetje për sektorin publik e privat

Muharrem Miftari/RTKLive

Mbështetje për sektorin publik e privat ka premtuar edhe sot Tomas Szunyog, shefi i zyrës së BE-së, gjatë vizitës që i bëri qytetit të Vushtrrisë.

Ai këtë vizitë e realizoi në kuadër të fushatës “Për ju, me ju”.

Zyrtarët e kësaj komune, si dhe qytetarët kanë kërkuar përkrahje për përmirësimin e mirëqenies dhe ngritjes së cilësisë së jetesës.

Ambasadori i BE-së, Tomas Szunyog, përveç institucionet lokale, vizitoi edhe disa nga  bizneset vendore, të cilët, të mbështetur nga BE, kanë investuar suksesshëm në bizneset e tyre.

Kështu, Arif Kastrati,nga Maxhunaj, si përfitues i projektit nga BE, në bashkëfinancim, falënderoi mbështetjen e BE-së në biznesin  e tij në kultivimin e boronicës.

Ambasadori Szunyog vizitoi edhe kalanë e qytetit të Vushtrrisë, prej nga premtoi mbështetje për bizneset dhe projektet tjera publike në të mirë të qytetit.

“Bashkëpunimin regjional Kosova mund ta përmirësojë vet, sepse është obligim i të gjitha shteteve përreth. Ne i kemi mbështetur disa projekte në komunën e Vushtrrisë, ku nuk jemi të fokusuar në projekte publike, por edhe në të kaluarën kemi pasur fonde në mbështetje të bizneseve, ku njëra nga to është bujqësia. Kemi disa fonde që i mbështesim kompanitë vendore në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit”, deklaroi ambasadori i BE-së Szunyog.

Ai premtoi se do të vazhdohet me mbështetjen,duke bërë të ditur se ka fonde edhe për vitin 2022.

Ndërsa kryetari i komunës së Vushtrrisë, Ferid Idrizi, kërkoi mbështetje në projekte që ndikojnë në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.

“Nga ambasadori kërkova që përmes projekteve të IPA-së të na ndihmojë në disa projekte të mëdha, sikundër është fjala për pastrimin e ujërave të zeza, në përmbylljen e rrjeteve të kanalizimeve në tërë territorin e Vushtrrisë, me qëllim që të lidhen me impiantin, i cili është një investim kapital prej 32 milionë eurosh”, deklaroi, pos tjerash, kryetari Idrizi.

Gjatë qëndrimit në Vushtrri, ambasadori i BE-së, bashkë me kryetarin e Vushtrrisë kanë vizituar edhe banorë nga komuniteti joshumicë, të cilët theksuan nevojën e punësimit, si dhe në përmirësimin në infrastrukturë e arsim.


MË SHUME NGA Lajme