Bordi i RTK-së zotohet në adresimin dhe zbatimin e rekomandimeve të ZKA-së
BKT
Lajme

Bordi i RTK-së zotohet në adresimin dhe zbatimin e rekomandimeve të ZKA-së

N. Mekolli /RTKlive.com

Bordi i Radio Televizionit të Kosovës (RTK) në mbledhjen e mbajtur të enjten ka diskutuar lidhur me gjetjet e raportit të përformancës dhe atij të pasqyrave financiare të publikuara në po të njëjtën ditë nga Zyra Kombëtare e Auditimit. Bordi i ka mirëpritur këto dy raporte, ndërsa është zotuar në adresimin dhe zbatimin e rekomandimeve. Disa nga rekomandimet veçse kanë filluar të zbatohen.

“Në këtë mbledhje bordi i RTK-së ka themeluar Komitetin e Auditimit duke emëruar dy anëtarët e jashtëm të këtij komiteti, të cilët janë zgjedhur sipas procedurave të rregullta të konkursit publik. Funksionalizimi i Komitetit të Auditimit në RTK është një veprim që bëhet për herë parë ashtu siç parashihet në Udhëzimin Administrativ të Ministrisë së Financave 01/2019 për themelimin dhe funksionimin e Komitetit të Auditimit në subjektin e sektorit publik”, njofton Bordi i Radio Televizionit të Kosovës. 

Bëhet e ditur se Komiteti i Auditimit ndihmon udhëheqësin e subjektit të sektorit publik në përmirësimin e sistemit të kontrollit të brendshëm të financave publike, me qëllim që të arrihen objektivat e synuara të RTK-së.

Në këtë mbledhje Bordi po kështu, duke u bazuar në Ligjin për RTK-në,  ka emëruar katër anëtarët e Grupit Këshillues të Publikut, të cilët i janë nënshtruar procedurave të rregullta të konkursit publik.


MË SHUME NGA Lajme