Prejardhja e shqiptarëve sipas “Projektit rrënjët”
BKT
Foto: RTK
Lajme

Prejardhja e shqiptarëve sipas “Projektit rrënjët”

Ganimete Baliu/RTK

Tashmë ka një mënyrë për studimin e historisë me metoda dhe saktësi të njëjtë me shkencat mjekësore dhe biologjike. Këtë po e bëjnë disa vullnetarë të cilët kanë krijuar “Projektin rrënjët”.

Sipas këtyre të dhënave shqiptarët në përqindje më të madhe prejardhjen e kanë nga fiset e lashta të Ballkanit.

Flamur Troni nga Kaçaniku i cili pasi ka dëgjuar për projektin rrënjët, me shumë kuriozitet vendosi të bëjë testin e gjenetikës, i cili ndjek vijën atërore për të kuptuar prejardhjen e tij.

“ Kam pas dëshirë edhe më herët të bëjë këtë test por nuk ka ekzistua mundësia. Rrënjët atërore test i cili ndjek vetëm vijën e prindërit mashkullit të AND-së. Përgjigja që kamë marr është: Linja juaj atërore është: Haplogrupi E-V13, është haplogrupi me i shpeshte te shqiptaret, si toskë edhe gegë. Mendohet qe ky haplogrup ka rreth 5000-9000 vite ne Evropë, mirëpo përhapja e tij kryesore ndodhi para 2500-4000 vitesh nga Ballkani verior ose Evropa qendrore, duke lëvizur vazhdimisht drejt jugut deri ne periudhën e antikitetit”. U shpreh Troni.

Njëri ndër drejtuesit vullnetar të këtij projekti është Alban Lauka i cili thotë se këto të dhëna kanë saktësi shumë të madhe. Sipas tyre shqiptarët prejardhjen në përqindje më të madhe e kanë nga fiset e lashta të Ballkanit.

“ Me këto rezultate mund të thuhet përfundimisht se shqiptarët kanë prejardhje rreth 70% deri 75% nga fiset e lashta të Ballkanit”. Lidhjet më të ngushta janë me fiset të Ballkanit Perëndimor dhe Qendror pra mund të jenë fise Ilire, Dardane etj, fise para romake. Si territor pra bëhet fjalë për trojet e sotshme shqiptare e deri në zonën pak më tan Nishit. Nga kjo zonë kemi trashëgimin më të madhe gjenetike.

Pastaj me përqindje më të vogla rreth 5% kemi nga fiset Gjermanike, 10 deri 15% nga fiset Sllave dhe një përqindje shumë e ulët janë nga popujt përpara Ilir. Kurse prejardhje turke në popullsinë shqiptare nuk ka”, tha Alban Lauka për RTK.

Nga të dhënat e këtij projekti nuk ka dallime të mëdha sa i përket gegeve dhe toskeve. Edhe prejardhja e shqiptarëve të Kosovës është diskutuar shumë, por nga këto të dhëna sipas Laukës kemi vetëm një përgjigje.

“Edhe shqiptarët e Kosovës si gjithë shqiptarët në shumicën dërmuese janë pasardhës të fiseve të lashta të Ballkanit. Bilës në Kosovë përqindja e linjave atërore nga Ballkani i lashtë është pak më e lart se sa mesatarja e përgjithshme shqiptare, shkon nga 70% sa është e mesatarja në 80% në Kosovë. Kur flasim për periudha më të vona shqiptarët në Kosovë janë pjesërisht fise dhe familje të vjetra të Kosovës që kanë më shumë se 400 vjet në Kosovë dhe pjesërisht familje që janë vendos 300 apo 400 vitet e fundit, mirëpo edhe ky grupi i dytë kryesisht nga Shqipëria e Veriut por ka mundësi që edhe ky grupi i dytë ka prejardhje më të hershme nga Dardania e periudhës romake. Edhe një diçka specifike për Kosovën këto teste shërbejnë përgënjeshtrimin e disa tezave të cilave u mëshon historiografia serbe, psh një tezë që ata e kanë shumë përzemërt është se shqiptarët në Kosovë janë vendos vetëm pas vitit 1700 kurse disa familje të vjetra janë serb të shqiptarizuar, spekulime si këto me rezultate gjenetike përgënjeshtrohen shumë kollaj. Kemi raste kur një familje serbe e bënë testin dhe rezultati gjenetik del tipik shqiptar. Vetëm na duhen më shumë rezultate në Kosovë që nga përfundimet për familjet e veçanta të kalojmë në përfundime për popullsinë shqiptare në Kosovë në tërësi”. U shpreh Lauka.

Projekti rrënjët i cili ka të dhëna të shumta, shihet si një mundësi e mirë të përdoret nga studiues të ndryshëm.


MË SHUME NGA Lajme