Baleti Kombëtar i Kosovës me shfaqje premierë në TKK
BKT
Foto / Baleti i Kosovës
Kulturë

Baleti Kombëtar i Kosovës me shfaqje premierë në TKK

Shqipe Gashi/RTKlive

Në Teatrin Kombëtar të Kosovës u dha premiera e ‘Concerto Con Brio & Untitled’. Kjo shfaqje është premiera e dytë e Baletit Kombëtar të Kosovës deri më tani gjatë këtij viti.

Drejtori i baletit të Kosovës, Sinan Kajtazi, në intervistë për RTKlive,  u shpreh i kënaqur me punën e palodhshme të të gjithë trupës së baletit. Ai gjithashtu pati fjalë shumë të mira edhe për koreografin e shfaqjes Boquin, i cili po ashtu tha se ishte shumë i përkushtuar në atë që e kërkonte.

RTKlive: Kjo është shfaqja juaj e parë si drejtor, cilat janë pritshmëritë tuaja për këtë shfaqje?

Kajtazi: Kjo shfaqje ka qenë e para-planifikuar në fund të vitit të kaluar dhe unë vetëm kam zbatuar atë program. Jam shumë i kënaqur me përzgjedhjen që ka bërë U.D Kreshnik Musolli dhe po ashtu jam shumë i kënaqur me punën që kanë bërë koreografët, balerinët, kostumografët dhe i gjithë ekipi përcjellës i shfaqjes, të cilët i falënderoj për angazhimin” thotë ai.

RTKlive: A keni pasur vështirësi gjatë procesit dhe nëse po cilat kanë qenë?

Kajtazi: Vështirësi të theksuara nuk kemi pasur, prandaj nuk do të veçoja ndonjë vështirësi specifike përgjatë procesit të punës.

RTKlive: A jeni të kënaqur me punën mes trupës së Baletit të Kosovës dhe koreografit Yannick Boquin si dhe bashkëpunëtores, Siner Gonenc?

Kajtazi: Siner ka bërë punë jashtëzakonisht të mirë me balerinët. Në aspektin teknik, ka ndikuar mjaft mirë tek e gjithë trupa. Kam parë progres mbresëlënës te disa kërcimtarë përgjatë 1 muaji prova me koreografen Siner Gonenc.

RTKlive: A keni pritshmëri që shfaqja do të udhëtojë jashtë vendit?

Kajtazi: Unë besoj se kjo shfaqje do të qëndrojë gjatë në repertorin e Baletit Kombëtar të Kosovës. Me këtë shfaqje nuk kemi mundur të planifikojmë ndonjë udhëtim për momentin, mirëpo me shfaqjen “Tanzminiatruen & Tangata”, e cila është dhënë premierë vitin e kaluar nga BKK, në bashkëpunim me koreografin Ricardo Fernando, do të udhëtojmë në qytete si: Gjakovë, Prizren, Ferizaj, Gjilan dhe në Elbasan, Tiranë, Korçë në Shqipëri si dhe në Ulqin në Mal të Zi. Të gjitha këto shfaqje do të realizohen gjatë muajit qershor dhe fillim të muajit korrik.

Shfaqja “Concerto Con Brio & Untitled”, është e ndarë në dy pjesë, nga koreografi nga Yannick Boquin dhe Siner Gonenc. Pjesa e parë e baletit, është një vepër të cilën koreografi Boquin e ka vënë në skena të ndryshme botërore, kurse pjesa “Untitled” është krijuar nga koreografja Siner Gonenc përgjatë qëndrimit të saj një mujor në Prishtinë. 

Të dyja pjesët janë të stilit klasik dhe audienca e ka mundësinë që nën tingujt e D.Shostakovich dhe W.A.Mozart dhe lëvizjet e balerinëve, të shohë një përformancë të jashtëzakonshme.


MË SHUME NGA Kulturë