Mahmood vjen në Kosovë
Foto: Mahmood/ Instagram/ Sunny Hill/ Instagram
Kulturë

Mahmood vjen në Kosovë

Jeton Musliu/ RTKlive

Fitoi dy herë ‘Sanremon’, festivalin e këngës, më të njohurin në Itali dhe përfaqësoi po kaq herë këtë shtet në Eurovizion.

Tani këngëtari italian, Mahmood, vjen për herë të parë në Kosovë për të kënduar në festivalin “Sunny Hill”, i cili vazhdon ngadalë të zë vendin e manifestimeve kryesore të muzikës gjatë verës në Ballkan dhe Evropë. 

Mahmood, që është djali i një egjiptiani dhe një nëne italiane, ka arritur të ngjitet në krye të muzikës së shtetit në gadishullin Apenin, falë stilit të veçantë të të kënduarit.

Ardhja e tij në “Sunny Hill” është konfirmuar në faqen zyrtare të festivalit, por edhe nga vetë këngëtari, në rrjetin social Instagram.

Tani festivali “Sunny Hill”, pas dy vitesh pauzë, shkaku i pandemisë, rikthehet me emra të mëdhenjë të muzikës.

“Artisti që po hedh në erë renditjen italiane dhe paragjykimet globale po na bashkohet këtë verë për të na ofruar një performancë të bukur emocionale, përmes tingujve dhe teksteve të tij unike”, thuhet në njoftimin zyrtar të festivalit, raporton RTKlive.

Alessandro Mahmoud u bë i njohur pasi fitoi  dy herë  “Sanremon”, në vitin 2019 me këngën “Soldi” dhe në vitin 2022  “Brividi”.

Në vitin 2019 në Eurovizion të mbajtur në Izrael, ai zuri vendin e dytë, kurse fitues ishte shpallur Holanda.

Para Kosovës, Mahmood ishte i ftuar nderi në natën finale të Festivalit të Këngës në RTSH në vitin 2019, ku fituese ishte shpallur Arilena Ara me këngën “Shaj”.

Sidoqoftë, artistë të tjerë të konfirmuar deri më tani në “Sunny Hill” janë: Burak Yeter, Diplo, Aj Tracey dhe Skepta, raporton RTKlive.

Festivali “Sunny Hill” do të mbahet në datat 4,5,6,7 gusht në Bërrnicë afër Prishtinës. “Sunny Hill Festival” është ngjarje muzikore, themeluar nga këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa dhe babai i saj, këngëtari i dikurshëm i grupit ‘ODA’, Dukagjin Lipa.


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa