Vuçiq në Ohër: "Ballkani i Hapur" nuk e zëvendëson BE-në (E plotësuar)
Jeton Musliu / RTKlive
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Ohër deklaroi se "Ballkani i Hapur" sjell përfitime për vendet e rajonit dhe se ai nuk është zëvendësim i asgjëje, as për Bashkimin Evropian, por një iniciativë e veçantë e popujve ballkanikë.
Ai u tha gazetarëve përpara samitit të "Ballkanit të Hapur" se nuk kishte nevojë të justifikohej nëse dikush do të bashkohej apo jo.
“Sa i përket dëshirës së kujtdo tjetër për të hyrë në "Ballkanin e Hapur", të gjithë janë të mirëpritur. Ju e quani Republika e Kosovës, ne e quajmë ndryshe. Nëse doni që ne t'i zgjidhim problemet në interes të qytetarëve, nëse do të kemi mjaftueshëm miell, vaj dhe gjithçka tjetër, atëherë kjo është një pyetje për "Ballkanin e Hapur", i tha Vuçiq një gazetari që e pyeti nëse “Ballkani i Hapur” është më të vërtetë i hapur pa Kosovën, e cila ka refuzuar t’i bashkohet kësaj nisme.
Ai tha se ka biseduar për 25 minuta me komisionarin e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell për integrimin evropian të Serbisë, dialogun me Kosovën, si dhe vazhdimin e bisedimeve për çështjen e personave të pagjetur, raporton RTCG.
Escobar e Varhei me fjalime në “Ballkanin e Hapur”
Dy do të jenë temat kryesore që do të diskutohen sot dhe nesër në kuadër të samitit të “Ballkanit të Hapur” që mbahet këtë herë në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Ato janë kultura dhe turizmi do të jenë këtë herë në fokus të takimit të liderëve shtetërorë të Maqedonisë së Veriut, Serbisë e Shqipërisë, kurse si vëzhgues janë edhe mali i Zi e Bosnje e Hercegovina.
Bazuar në agjendën e publikuar, sot është paraparë darkë pune të kryeministrave të Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski, të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviq dhe të kryetarit të Këshillit të ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Zoran Tegeltija.
Ndërkohë, nesër janë paraparë fjalime zyrtare në samit, ndërsa të pranishmëve me një video fjalim do t’u drejtohet dhe Komisionari evropian për politikë fqinjësore dhe zgjerim, Oliver Varhei dhe zëvendës ndihmës sekretari i shtetit dhe i dërguar special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Sa i përket temës së turizimit, janë paraparë fjalime të zëvendëskryeministrit të ngarkuar për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi, të ministrit të Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, të ministres së Turizmit dhe Mjedisit Jetësor të Shqipërisë Mikela Kumbaro Furxhi dhe të ministres së Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikimeve të Serbisë, Tatjana Matiq. Qëndrime të tyre do të ndajnë përfaqësuesit e Odave Ekonomike, ndërsa mundësi për debat do të kenë edhe drejtorë të institucioneve të tjera.
Në sesionin plenar dedikuar Kulturës së hapur të ‘Ballkanit të Hapur’ fjalim do të ketë zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq, si dhe ministret e Kulturës Bisera Kostadinovska-Stojçevska dhe Elva Margariti dhe zëvendëskryeministrja dhe ministre e Kulturës dhe Informacioneve të Serbisë, Maja Gojkoviq.
Mundësi për diskutim do të kenë përfaqësuesit e institucioneve kulturore, drejtorë, punonjës të kulturës, producentë.
Në fund të samitit është paraparë të nënshkruhen marrëveshje për bashkëpunim të Ballkanit Perëndimor për njohje reciproke të diplomave dhe notave shkencore të dhëna në institucione të arsimit të lartë dhe institucione tjera të autorizuara dhe memorandume për mirëkuptim për bashkëpunim në fushën e turizmit, kulturës dhe administratës tatimore.
Iniciativa Ballkani i Hapur parashikon lëvizje të lirë të kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve midis vendeve-anëtare.

Sot e nesër “Ballkani i Hapur" në Ohër, Kosova refuzon pjesmarrjen
Qyteti i Ohrit në Maqedoninë e Veriut është stacioni i radhës ku do të mblidhen liderët e vendeve të Ballkanit perëndimor, përveç Kosovës. Për dy ditë me radhë, sot dhe nesër, në Ohër do të mbahet samiti i “Ballkanit të Hapur”.
Shqipëria, Serbia e Maqedonia e Veriut kanë disa vite që mblidhen në kuadër të këtij samiti. Por këtë herë, si vëzhgues do të t’u bashkohen edhe Bosnja e Hercegovina dhe Mali i Zi.
Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, që nga marrja e detyrës, ka shprehur interesimin për të qenë pjesë në këtë samit, ndonëse me këtë qëndrim nuk pajtohet presidenti i vendit të tij, Milo Gjukanoviq.
Ndërkohë, pjesëmarrjen e ka paralajmëruar edhe kryesuesi i Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës Zoran Tegeltija.
Ndërkohë, Kosova ka refuzuar në vazhdimësi ftesën për pjesëmarrje në këtë nismë, duke e quajtur të panevojshëm.
Edhe Kosova është ftuar të jetë pjesë e këtij samiti nga kryeministri maqedonas, Dimitar Kovacevksi.
Megjithatë, në përgjigjen e 2 qershorit të kryeministrit kosovar, Albin Kurti, në një përgjigje diplomatike, kë lënë në nënkuptohet se Kosova nuk do të bëhet pjesë e kësaj nisme.
Herën e fundit samiti është mbajtur në Tiranë.























