Krasniqi: PDK-së sot i bashkohet ekonomisti Arben Mustafa
Naser Mekolli /RTKlive.com
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, sot, në një konference për media, ka prezantuar aderimin e ri në këtë parti, të ekonomistit Arben Mustafa.
(E plotësuar) Krasniqi ka njoftuar se, Mustafa do të marrë edhe përgjegjësi shtesë në kuadër të Kabinetit për Qeverisje të Mirë, si Koordinator i Departamentit për Financa.
Ai tha se sot, Kosovës i duhen profesionistë, djem e vajza të reja, që me njohuritë dhe përvojën e tyre, kontribojnë për vendin, hapin rrugë të reja për zhvillim ekonomik dhe promovojnë qeverisjen e mirë.
“Që vizioni ynë ekonomik e zhvillimor të jetësohet, pa dyshim që na duhet një menaxhim dhe shpërndarje e mirë e buxhetit dhe parasë publike, dhe hartim i politikave të duhura fiskale, të cilat krijojnë kushtet për stabilitet financiar dhe rritje ekonomike. Këtë objektiv do ta përmbushim përmes Departamentit për Financa në kuadër të Kabinetit për Qeverisje të Mirë. Kam kënaqësinë sot që të prezantoj koordinatorin e këtij departamenti, profesorin e dalluar të ekonomisë, Arben Mustafa, i cili me një bagazh të gjerë profesional e intelektual, në bashkëpunim me ekipin e tonë të ekspertëve, do të na ndihmojë në ofrimin e alternativës sonë për sektorin e financave, që është një ndër pikat më me prioritet për KQM-në.”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi tha se një kuadër i tillë si Arbeni, i cili ka vendosur që karrierën e tij ta zhvillojë në Kosovë, i bën nder Partisë Demokratike të Kosovës.
Kurse, Mustafa, në prezantimin e tij ka falënderuar Kryetarin Krasniqi për besimin dhe mundësinë që të bëhet pjesë e kësaj platforme, e cila në thelb të saj ka ndërtimin dhe ofrimin e një modeli të ri qeverisës, me qendër qytetarin dhe shtetin.
“Dëshira dhe vullneti i madh për të kontribuar në ndërtimin e një alternative të mirëfilltë për zhvillimin e ekonomisë së vendit, më ka shtyrë që bagazhin tim profesional ta vë në funksion të Kabinetit për Qeverisje të Mirë dhe Partisë Demokratike.”, ka thënë Mustafa.
Ai, tutje tha se ekonomia e Kosovës ka sfida të mëdha, e këto sfida kërkojnë përgjigje profesionale e të bazuara në eksperiencë, pra, përgjigje joeksperimentale.
"Arben Mustafa ka përfunduar studimet themelore në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, ndërsa ato master dhe të doktoratës në Staffordshire University. Pothuajse për dy dekada, Arbeni ushtron funksione me rëndësi në kuadër të Bankës Qendrore të Kosovës, ku ofron ekspertizën e tij rreth zhvillimeve ekonomike dhe stabilitetit financiar", thuhet në një njoftim të PDK-së.
Bëhet e ditur se, njëkohësisht, ai është angazhuar edhe si ligjërues universitar i lëndëve nga fusha e mikro dhe makro ekonomisë, bankave dhe financave, dhe politikave monetare.
“Departamenti i Financave ka ide dhe vizion të qartë që të punojmë që ekonomia e vendit të sigurojë të ardhura e mirëqenie të lartë për qytetarët, duke e ruajtur parimin e ekonomisë së tregut, duke rritur efiçencën e sektorit publik dhe duke ju përgjigjur mirë ndryshimit të nevojave zhvillimore të sektorit privat. Këto janë parakushte për rritje ekonomike të fuqishme, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirese.”, tha pos tjerash Mustafa.
"Arbeni është autor dhe bashkëautor i dhjetëra punimeve shkencore, pjesëmarrës i disa konferencave ndërkombëtare, si dhe i çertifikuar në një mori trajnimesh në fushën e ekonomisë dhe mësimdhënies, të ofruara nga institucione me renome ndërkombëtare", thuhet në njoftimin e kësaj partie.























