Sonte nis takimi "Ballkani i Hapur", flasin analistët
BKT
Lajme

Sonte nis takimi "Ballkani i Hapur", flasin analistët

Shqipe Gashi/RTKLive

Sot dhe nesër mbahet samiti “Ballkani i Hapur”, ndërkohë që, pos tre shteteve nismëtare: Serbisë, Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut, është paralajmëruar edhe pjesëmarrje edhe e dy shteteve që kanë refuzuar deri më tash nismën, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina.

Sonte në Ohër kryeministri i Maqedonisë Kovaçevski mirëpret liderët e Shqipërisë dhe atë të Serbisë, derisa Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina do të jenë vetëm si vëzhgues.

Në emisionin Info Plus të RTK-së, analistët  Artan Muhaxhiri, Kristian Dukaj e Dorajet Imeri, shprehën opinionet e tyre për “Ballkanin e hapur” .

Muhaxhiri: Ballkani i Hapur, hap drejt agjendës evropiane

Lidhur me këtë çështje, njohësi i zhvillimeve politike në vend, Artan Muhaxhiri, deklaroi se “Ballkani i Hapur“ është shndërruar në një projekt, i cili, në njërën anë ka një përkrahje amerikane dhe evropiane, derisa në anën tjetër kundërshtohet fuqishëm nga Kosova.

Tani me ardhjen e Abazoviqit në Mal të Zi, i cili ka thënë hapur se planifikon të bëhet pjesë e “Ballkanit të Hapur”, kështu, mbetet vetëm Bosnja me një konfiguracion tejet problematik për shkak të ndarjes së Republikës Serbe.

 Sipas tij, “Ballkani i Hapur” ka qenë qysh në fillim që të zbuten ndasitë, që të kërkohen rrugë të ndërmjetme, që të parandalohen problemet për të mundësuar lëvizjen e lirë të njerëzve, po ashtu edhe mallrave.

“Intensifikimi, zhvillimi, ndryshimi pozitiv i lëvizjes së lirë të mallrave dhe njerëzve, është një hap drejt agjendës evropiane, pra, të gjitha vendet në Ballkan synojnë integrimin evropian, mirëpo Bashkimi Evropian ka kritere dhe ato janë shumë të vështira”, deklaroi Muhaxhiri.

 Ai më tej shtoi se ideja e “Ballkanit të  Hapur” është që të fillohet me plotësimin e këtyre kritereve apo të bëhet një hap përpara, në mënyrë që kur të afrohemi drejt agjendës evropiane, drejt anëtarësimit në BE, disa gjëra të jenë të përfunduara, sepse ka pasur probleme në të kaluarën  edhe me Bullgarinë dhe Rumaninë dhe nuk duan që kjo dukuri të përsëritet.

Kristian Dukaj: Anëtarësimi në “Ballkanin e Hapur” rrezikon rrëzimin e Qeverisë

Risi në “Ballkanin e Hapur” që po mbahet sot dhe do të vazhdojë edhe nesër në Ohër të Maqedonisë, është pjesëmarrja e Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës, ndonëse si vëzhgues, edhe pse në Mal të Zi zyrtarët e lartë të shtetit kanë pikëpamje të ndryshme për pjesëmarrjen në këtë takim.

“Ajo që vlen të thuhet tani për tani është se Mali i Zi nuk ka qëndrim a politikë zyrtare lidhur me këtë proces që të ketë deklaruar se Mali i Zi do të jetë pjesë e ‘Ballkanit të Hapur’”, deklaroi Kristian Dukaj, analist.

Ai përveç tjerash, sqaroi se ka qenë, thjeshtë, ideja e kryeministrit Abazoviq, i cili ka pak kohë që ka ardhur në krye të qeverisë, që ka shprehur gatishmërinë të shohë më afër idenë e “Ballkanit të Hapur” dhe të shikojë se çfarë do t’i ofrojë Malit të Zi kjo ide.

Tutje, Dukaj theksoi se Abazoviq ka deklaruar se do të marrë pjesë në takimin e  Ohrit, thjeshtë që të njihet me situatën, por asnjëherë të inkuadrohet në “Ballkanin e Hapur”.

“Ajo që është fakt i ditur për Malin e Zi është se edhe qeveria pararendëse, por edhe kjo aktualja është e interesuar dhe për fokus kryesor ka që Mali i Zi të integrohet në BE”, deklaroi Dukaj.

Nga ana tjetër, Dukaj shtoi se çdo iniciativë rajonale që përshpejton integrimin në BE, është e mirë dhe duhet mbështetur, por ne, si popull e as si Qeveri, bile as ata që kanë marrë këtë nismë nuk e kanë të qartë këtë ide, nëse do ta përshpejtojë kjo nismë rrugën drejt BE-së.

“Mali i Zi nuk do të ngutet në integrimin e kësaj nisme, ngase në të kundërtën brenda Malit të Zi do të krijohej një ngërç politik, pasi partia e Gjukanoviqit është kundër ‘Ballkanit të Hapur’, ndaj një veprim i tillë i Abazoviqit drejt afrimit të ‘Ballkanit të Hapur’ rrezikon rrëzimin e Qeverisë”, tërhoqi vërejtjen Dukaj.

Ai shtoi se jo vetëm partia e Gjukanoviqit, por edhe një parti tjetër, që është pjesë e qeverisë së Abazoviqit, është kundër kësaj nisme dhe janë skeptikë ndaj saj.

Dorajet Imeri: Qasja e Serbisë ndaj Kosovës jokorrekte

Ndërkaq analisti Dorajet Imeri, shpalosi qasjen jokorrekte të Serbisë kundrejt Kosovës, ndonëse bëhet ftesë që të inkuadrohet edhe Kosova në këtë nismë.

“Fatkeqësisht Serbia vazhdon që akoma mos ta njohë pavarësinë e Kosovës. Ne po flasim për të njëjtin shtet që paradite qëndron në një tryezë ku qëndron edhe flamuri i Kosovës dhe pasdite synon që, përmes shteteve të caktuara, të çnjohë pavarësinë e Kosovës, praktikisht të pengojë atë në procesin euro-integrues. Prandaj, kjo është e njëjta Serbi, për të cilën ne po flasim”, deklaroi Imeri .


MË SHUME NGA Lajme