Pjesë e ‘Ballkanit të Hapur’, pasi Serbia ta njohë Kosovën(e plotësuar)
BKT
Lajme

Pjesë e ‘Ballkanit të Hapur’, pasi Serbia ta njohë Kosovën(e plotësuar)

Shqipe Gashi/RTKlive

Ditëve të fundit në vend dhe rajon pati zhvillime të hovshme: protesta e veteranëve të UÇK-së; takimi në Ohër “Ballkani i Hapur”; vizita e befasishme e ambasadorit Kris Hill; anulimin e vizitës së ministrit të Jashtëm rus, Sergej Lavrov, në Serbi.

Ndërsa lidhur me anulimin e vizitës së ministrit të jashtëm rus, Sergej Lavrov , në Serbi, që ishte paraparë të bisedohet, mes tjerash edhe për Kosovën,  për Tërnavën vet situata e tanishme, si në Ukrainë dhe gjithandej Evropës dhe më gjerë, rrit shqetësimin për një eskalim të situatës.

“Rusia dëshiron ta mbajë situatën të tensionuar, sidomos tani kur e di se Serbia ka mbetur i vetmi shtet lojal, prandaj dëshiron ta bëjë të ditur se Rusia, me gjithë vështirësitë që ka, ajo mendon për Serbinë dhe, kështu, përpiqet të ndikojë aq sa mundet të tensionojë situatën edhe në rajon”, theksoi Tërnava.

Ndërsa për ekspertin Ibishi, kjo ngjarje koincidon me mbledhjen e “Ballkanit të Hapur”.

“Mendoj se Lavrov është një prej kreatorëve të nismës së ‘Ballkanit të Hapur’. Por  interesante është kërcënimi që Dimitri Rogozin kërcënon hapur vendet që kanë ndaluar fluturimin e Lavrovit për në Serbi, i cili ka përmendur raketat ndaj këtyre vendeve”, deklaroi Ibishi.

Ndërkaq vizitën e zotit Hill në takimin  e “Ballkanit të Hapur”, Ibishi theksoi se “Hill ka qenë çdo herë i angazhuar në krizën e ish-Jugosllavisë, por sidomos në çështjen e Kosovës, i cili ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm".

“Tentimi i Lavrovit për ta vizituar Serbinë, duke tentuar veten ta paraqesë si triumfal, prezenca e Kris Hill e thyen këtë përpjekje të tij”, theksoi ndër të tjera Ibishi.

Ndërkaq Dugolli lidhur me prezencën e ambasadorit Hill në “Ballkanin e Hapur” mendon se është pozitive për shqiptarët.

“Por, sa i përket “Ballkanit të Hapur”, ky projekt nuk i ka shkuar për shtati aq fort Kosovës dhe për këtë ka pasur një konsensus të gjerë pushtet e opozitë. Ne jemi që të vazhdojë ‘Procesi i Berlinit’”, tha Dugolli.

E, për deputetin Qalaj, kjo situatë, në të cilën ndodhemi tani,  është paradoksale.

“Dimë se çfarë raporti ka Serbia me Rusinë dhe Kinën dhe prapë ajo përkëdhelet nga shtetet e Perëndimit, pavarësisht se ajo ende rri përkrah Rusisë. Ndërkohë që prezenca e ambasadorit Hill është mbështetje  e “Ballkanit të Hapur” dhe shoh që në një të ardhme të afërt Serbia dhe Kosova do ta nënshkruajnë marrëveshjen dhe Kosova do të pranohet si shtet nga Serbia e pas kësaj Kosova do të jetë si pjesë e kësaj nisme”, deklaroi deputeti Qalaj.

OVL UÇK- Kryeziu: Duam trajtim të dinjitetshëm

E, për të trajtuar këto çështje në emisionin “RTK Prime” janë ftuar deputetë të Kuvendit të Kosovës Enver Dugolli, deputet nga radhët e LVV-së, Rashit Qalaj, deputet nga radhët e PDK-së dhe ekspertë të fushës së sigurisë Hajrullah Tërnava,si dhe Nuredin Ibishi,

Në hyrje të emisionit, përmes një lidhje të drejtpërdrejt, foli Metush Kryeziu, përfaqësues i OVL UÇK-së, i cili tha se “ne nuk po kërkojmë  asgjë më shumë se me u trajtu denjësisht, që ata që dhanë më së shumti për këtë liri t’u njihet e drejta e tyre” .

Ai, duke përmendur Dugollin, bëri thirrje që institucionet shtetërore të kenë kujdes te kjo kategori shoqërore, duke bërë të ditur faktin që 12 veteranë të moshës 45-46 vjeçare kanë vdekur brenda një kohe të shkurtë.

Nga ana e tij, deputeti nga radhët e LVV-së, Enver Dugolli, u inkuadrua në debat duke theksuar se institucionet e vendit kanë dhe do të kenë mirëkuptim për veteranët e luftës së UÇK-së.

Dugolli më tej sqaroi se kjo situatë e tashme është si rrjedhojë e hapave jo të duhur të ligjeve të miratuara më parë.

Sipas tij, neni 18 është fshirë fare dhe ka filluar të zbatohet ligji i plotësuar dhe ndryshuar, sipas praktikave parlamentare dhe ky ligj si i tillë duhet zbatuar, sepse është ligj zyrtar.

“Një gjë ka mbetur peng i zbatimit të këtij ligji, ngase qeveritë që nga viti 2017 kanë hezituar që ta formojnë Komisionin për Kategorizimin e Veteranëve”, theksoi, mes tjerash, Dugolli në “RTK Prime”.

Ndërkaq deputeti nga radhët e PDK-së, Rashit Qalaj, foli për listën e veteranëve. Ai, ndër të tjera shtroi dilemën nëse ka ndonjë identifikimi në emër e mbiemër dhe nëse është denoncuar.

“Deri sa ne nuk logjikojmë në këtë mënyrë së pari çdo luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pastaj secili qytetar i Kosovës me identifiku se kush është ai person, i cili nuk duhet të jetë në listat e veteranëve. Është përgjegjësi ligjore e çdonjërit prej nesh ta bëjmë këtë”, tha deputeti Qalaj.

Ndërkaq eksperti i Sigurisë Hajrulla Tërnava lidhur me situatën e djeshme tha se ndjeu veten keq kur pa turmën duke protestuar para institucioneve të Kosovës, duke bërë thirrje qeverisë që të përfundojë puna e veteranëve të rrejshëm.

“Kur e shikoja dje atë tubim të njerëzve nga këndvështrimi im e ndjeva veten shumë keq, se vet fjala veteran të tregon që populli  duhet të krenohemi me ta. Unë ushtarëve të mi ua kam nënshkruar  të gjithëve dhe as një nuk ka qenë fallc. Shoqëria, si shoqëri ,sidomos Qeveria me institucionet e saja, duhet të vërtetojë se kush është dhe kush nuk është veteran. Le ti vërteton njëherë e përgjithmonë dhe mos të mbetet  kjo punë kështu”, deklaroi Tërnava.


MË SHUME NGA Lajme