Presidenti i KE-së, Charles Michel, javën tjetër viziton Kosovën
BKT
Lajme

Presidenti i KE-së, Charles Michel, javën tjetër viziton Kosovën

Gjeraqina Tuhina/RTK/Bruksel

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, do ta vizitojë Kosovën javën që vjen, bëhet e ditur nga selia e Bashkimit Evropian.

Turneun e dytë në Ballkan Michel do të zhvillojë në periudhën në mes 14 dhe 16 qershorit, ndërsa ndalesa e parë do jetë në Prishtinë. Më pas ai do ta vizitojë edhe Malin e Zi, si dhe Maqedoninë e Veriut.

Në muajin maj ai kishte qëndruar në Beograd dhe Sarajevë.

Vizita e nivelit me të lartë evropian në rajon po bëhet në momentet kur Bashkimi Evropian ka shtuar angazhimet në Ballkanin Perëndimor, duke tentuar që t’i ndihmojë vendet atje, të rezistojnë efektet e mundshme negative si pasojë e agresionit rus në Ukrainë.

Gjithashtu pritet që Michel edhe këtë vizitë ta shfrytëzojë për të sqaruar idenë e tij për krijimin e një të ashtuquajturës  “Bashkësi gjeostrategjike Evropiane” në të cilën do të ishin së bashku vendet e BE-së dhe vendet tjera evropiane që nuk janë në BE, por duan të ndajnë vlerat e përbashkëta.

Propozimi i Michel ngërthen përfshirjen graduale të vendeve të Ballkanit Perëndimor në disa politika sektoriale të BE-së, në përputhje me progresin e tyre në procesin e anëtarësimit. Ai konsideron se bashkësia gjeopolitike e propozuar do të menaxhohet nga liderët e vendeve pjesëmarrëse në të, të cilët do të takohen të paktën dy herë në vit. Sipas presidentit të Këshillit Evropian, fokusi i atij bashkëpunimi do të jetë politika e jashtme.

Presidenti i Këshillit Evropian ka konfirmuar se, tashmë, ka nisur konsultimet me liderët e shteteve anëtare të BE-së në lidhje me këtë ide.

Vizita e Charles Michel vjen, gjithashtu, në periudhën kur po zhvillohen përgatitjet për samitin BE-Ballkani Perëndimor, i cili do mbahet më 23 qershor, në Bruksel, ku së bashku do mblidhen liderët e shteteve evropiane me ata të rajonit.

Sipas zyrtarëve të BE-së, samiti i qershorit do të jetë një mundësi për të diskutuar joformalisht të gjitha çështjet problematike në rajon, por edhe iniciativën e Charles Michel-it.


MË SHUME NGA Lajme