Kurti: Vizita e Scholz, historike
Emine Hoti/RTKlive
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se vizita e kancelarit Olaf Scholz ka qenë historike. Ai ka rikujtuar edhe se kjo është vizita e parë e një kancelari gjerman në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë.
Në një postim në Facebook , kryeministri i vendit ka thënë se me kënaqësi e ka mirëpritur kancelarin Scholz në Aeroportin “Adem Jashari”.
Kreu i qeverisë gjithashtu ka bërë të ditur se sot me kancelarin Scholz ka zhvilluar një takim sy më sy dhe pastaj me delegacionet shtetërore.
“Pata kënaqësinë e veçantë që në vizitën e parë të një kancelari gjerman në Qeverinë e Republikës së Kosovës, ta mirëpres Kancelarin Scholz në Aeroportin “Adem Jashari”, të parakalojmë bashkë në ceremoninë pritëse me nderime të larta shtetërore, të bisedojmë në një takim tête-à-tête, të diskutojmë me delegacionet tona shtetërore, dhe t’i drejtohemi popullit të Republikës nëpërmjet një konference të përbashkët për media”,ka shkruar Kurti.
Kurti tha se vizita e Scholz përveçse ishte historike, ishte edhe dëshmi e marrëdhënieve të forta në mes të dy vendeve tona.
“Vizita e sotme e kancelarit gjerman ishte historike. Përveçse e para e tillë që nga shpallja e pavarësisë, ishte dëshmi e marrëdhënieve tona të forta si dy vende partnere dhe aleate për njëra-tjetrën, të lidhura me vlera të përbashkëta të lirisë dhe demokracisë, në një moment përcaktues për rajonin dhe kontinentin tonë. Vielen Dank, Bundeskanzler Scholz”, shkroi Kurti.























