Kryesia e Kuvendit merr vendim për tri seanca plenare (E plotësuar)
BKT
Foto/ RTKlive
Lajme

Kryesia e Kuvendit merr vendim për tri seanca plenare (E plotësuar)

Fadil Sertolli / RTKlive.com

(E plotësuar ora 12: 10) Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e sotme ka marrë vendim për caktimin e tri seancave plenare, e para do të jetë të martën nga ora 13:00, ku do të bëhet vazhdimi i pikave të mbetura nga seancat e kaluara, derisa seancë të re Kuvendi do të mbajë të enjten më 16 qershor, me fillim në ora 10:00.

Ndërkaq, për seancë tjetër të radhës është vendosur të mbahet më 23 qershor.

Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se shumë projektligje të rëndësishme do të shqyrtohen dhe votohen në këto seanca.

Ajo ka thënë se seanca me pikat e papërfunduara do të mbahet nesër më fillim të orës 13:00, ndërkaq  seanca ku do të diskutohet për Trustin do të mbahet të enjten.

“U morr vendim që nesër të ketë seancë me ato pika të papërfunduara, ndërkohe të enjten do të ketë seancë të re të Kuvendit ku do të shqyrtohet mes shumë projektligjeve edhe ai për Trustin Pensional”, ka thënë Kusari Lila.

Ajo ka thënë se askush nga Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes nuk e përkrahë idenë e tërheqjes së këtyre mjeteve.

“Kjo nuk ka të bëjë me inate politike apo kokëfortësi tonën në raport me kërkesën. Por, sepse është e dëmshme dhe e shkatërron Trustin. Brenda Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes nuk ka pasur asnjë zë që e ka kërkuar mbështetjen e kësaj iniciative”, tha Kusari pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Kurse shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, i ka bërë thirrje pozitës që të heqë nga rendi i ditës pikën për përcaktimin e pagës minimale në seancën e nesërme, derisa për seancën e rregullt të së enjtes ku në rend të dite do të jetë çështja e tërheqjes së mjeteve nga Trusti, Tahiri bëri thirrje që të përkrahet kjo iniciativë.

 

Ndërsa shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri, në deklarimin e tij pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë, tha se ka kërkuar që Projektligji për pagën minimale të largohet nga rendi i ditës për seancën e ardhshme. “Unë kërkova nga kryesia që që Ligji për Pagën minimale të largohet nga rend i ditës për seancën e ardhshme, sepse e shohim si ligj diskriminues, ligj që e dëmton në esencë një kategori të nderuar të vendit tonë. Po shpresoj e besoj që edhe LVV-ja edhe Qeveria të reflektojë në këtë kërkesë për shkak se mendoj që është gabim shumë i madh”, tha Tahiri.

Afet Bela / RTKlive

(Ora 6: 06)

Mblidhet kryesia e Kuvendit në rend dite pikat për seancat e kaluara

Kryesia e Kuvendit të Kosovës sot do të mbajë mbledhje. Në rend dite janë pikat e papërfunduara nga seancat e kaluara plenare.

Pikë e parë e rendit të ditës është votimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për vetëqeverisjen lokale. 

Do të bëhet shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës, zgjedhja e një anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radha e komunitetit serb, raporton RTKlive.

Votimi i Mocionit nga debati parlamentar në lidhje me situatën e sigurisë në vend, është prap në rend dite.

Do të votohet nnë parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore, pastaj votimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022, emërimi i Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës, formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga komuniteti shqiptar.

Kryesia do të votojë në lexim të dytë i Projektligjit për provimin e jurisprudencës, votojë në lexim të dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.

Po ashtu do të bëhet shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Pijet e Forta Alkoolike, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Krijimin e Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Hapësinor në Republikën e Kosovës, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Mbeturinat nga industritë nxjerrëse të mineraleve, zgjedhja e pesë  zëvendësve të Avokatit të Popullit, zgjedhja e një anëtari të Komisionit të Pavarur për Media.

 Po ashtu në këtë mbledhje do të bëhet edhe konfirmimi i rendit të ditës për seancë plenare të radhës, e në rend dite është shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për  akcizën në produktet e duhanit, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Markat Tregtare, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Mbrojtjen e ajrit nga ndotja, shqyrtimi i parë i Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për fondet pensionale të Kosovës, shqyrtimi i parë i Projektligjit për Pyjet, shqyrtimi i parë i Projektligjit për Zbatimin e Sanksioneve Financiare Ndërkombëtare të Shënjestruara.

Po ashtu do të bëhet edhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për parandalimin dhe kontrollin e integruar të ndotjes, shqyrtimi i kërkesës së Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike për zgjatjen e mandatit.

Në këtë mbledhje do të bëhet edhr miratimi i buxhetit të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike, si dhe miratimi i buxhetit të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Do të ketë shqyrtohet propozimi i grupeve parlamentare për zëvendësimin e anëtarëve në Komisionet Hetimore Parlamentare, emërimi i kryetarit dhe katër anëtarëve të Bordit në Organin Shqyrtues të Prokurimit, përzgjedhja e kandidatit për një anëtar jo-ekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës,
formimi i Komisionit Ad-hoc për Reformën Zgjedhore në Kosovë, shqyrtimi i Raportit vjetor të Performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2021, si dhe shqyrtimi i Raportit vjetor financiar i Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2021. 

 


MË SHUME NGA Lajme