Konjufca pas takimit me delegacionin e Kroacisë: U zotuam për bashkëpunim
BKT
Lajme

Konjufca pas takimit me delegacionin e Kroacisë: U zotuam për bashkëpunim

Kimete Kasumi/ RTKlive

Kryetari Glauk Konjufca priti në takim një delegacion të Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane nga Kroacia.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga nënkryetarja, Saranda Bogujevci dhe këshilltaret, ka pritur sot në takim një delegacion të Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane nga Kroacia, në përbërje nga deputeti Domagoj Hajduković, kryetar i Komisiont për Çështje Evropiane, deputetja Ermina Lekaj Prljaskaj, kryetare e Grupit Parlamentar të Miqësisë Kroaci-Shqipëri dhe Gabriela Kuharić Kojić, këshilltare në Komisionin për Çështje Evropiane.

Konjufca tha se janë zotuar për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit.

"Me këtë rast, kryetari Konjufca falënderoi deputetët kroat për mbështetjen e vazhdueshme që Kroacia i ka dhënë Kosovës në të gjitha etapat shtetndërtuese dhe proceset e saj integruese. Për më tepër, Kryetari i Kuvendit e vlerësoi të shkëlqyer bashkëpunimin dypalësh në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Kroacisë si në nivel politik e parlamentar ashtu edhe në atë social ndërkohë që, siç u shpreh, ekziston një interesim i dyanshëm që fushat e bashkëpunimit të avancohen edhe në sferën e ekonomisë", thuhet në komunikaten për medie.

Ndërsa deputetët kroat ritheksuan mbështetjen e parezervë të Kroacisë për liberalizimin e vizave, si dhe procesin e integrimit të Republikës së Kosovës në BE dhe organizma të tjerë ndërkombëtarë.

"Në takimin u theksua vullneti për thellimin e bashkëpunimit ndërparlamentar, duke vlerësuar rolin e grupeve parlamentare të miqësisë si një faktor të rëndësishëm të marrëdhënieve mes dy shteteve tona", përfundon komunikata. ​


MË SHUME NGA Lajme