Haxhi Avdyli: `Guxo` pret të krijojë grup parlamentar
Blerim Haxhiaj/ RTK
Deputeti i partisë “Guxo”, Haxhi Avdyli, ka deklaruar në emisionin e RTK-së “Zona e Parlamentit” se janë duke pritur që të formojnë një grup të ri parlamentar në Kuvendin e Kosovës. Kjo parti, aktualisht ka 5 deputetë, ndërsa në listën e pritjes janë edhe dy deputetë të ish-listës “Guxo”.
Avdyli ka mohuar çdo çarje të mundshme të koalicionit me Lëvizjen VETËVENDOSJE. Sipas tij, Kosova ka ndryshuar shumë që nga 14 shkurti i vitit të kaluar. Në emisionin kushtuar zhvillimeve parlamentare që transmetohet çdo të martë në RTK në orën 22.00, deputeti Avdyli, ka folur edhe për akuzat ndaj ministres së jashtme Donika Gërvalla.
Sipas Avdylit, opozita po tenton të krijojë kaos qëllimshëm, “Nuk e kanë marrë veten ende nga humbja”, është shprehur më tutje ai.
Deputeti Haxhi Avdyli mohoi që po shkrihen në LDK, ndërsa theksoi se partia “Guxo” që po mban zgjedhjet e brendshme në degë, është e profilit të djathtë.
Anëtari i Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale e ka ngritur lart pushtetin aktual për prezantimin ndërkombëtar të Kosovës, por nuk i ka kursyer kritikat në qeverisjen e vendit, sidomos në sektorin e shëndetësisë.
Avdyli ka thënë se nuk është bërë sa duhet, sepse shëndetësia përballet me sfida dhe probleme të shumta në vitin e dytë të qeverisë Kurti.
“70 milionë euro përfunduan në spitalet turke, të dedikuara për shërimin e pacientëve kosovarë. Po të ishin investuar në shëndetësinë publike, kushedi ku do të ishim sot”, ka thënë më tej ai.
Emisioni “Zona e Parlamentit”, ku ka folur deputeti Haxhi Avdyli transmetohet sonte në RTK, prej orës 22.00.























