Çeku: Gjeneral Rrahim Ademi nuk ka besuar në suksesin e UÇK-së
Shqipe Gashi / RTKlive
Gjeneral Agim Çeku në emisionin “RTK Prime” ka folur edhe rreth deklarimeve të gjeneralit të ushtrisë së Kroacisë, Rrahim Ademi, të bëra javë më parë në të njëjtin emision.
“Gjeneral Ademin e kam njohur gjatë luftës në Kroaci. Unë nuk e kam pritur se do të bisedojmë për këtë çështje sepse jam këtu për luftën në Kosovë dhe jo se çfarë ka ndodhur në luftën në Kroaci. Kjo është krejt irelevante. Gjeneral Ademin e kam mik nuk do të doja të bisedoja nga distanca me të. Se kam pasur rastin ende ta shoh çfarë motivi ka pasur ai, por shumë dyshoj se e ka sjellë dikush me mision të caktuar. Ai ka mundur të flasë vetëm për luftën në Kroaci”, ka theksuar Çeku kur është pyetur nga ku e njeh gjeneral Ademin.
Tutje Çeku ka thënë se gjeneral Ademit nuk i mohohet kontributi i tij në luftën në Kroaci dhe sipas tij ai që e mohon e ka gabim. Por, sipas tij ‘gabimi i tij është që ka folur për vete’. "Ai si gjeneral i Kroacisë duhet të flasë për kontributin e shqiptarëve në luftën e Kroacisë. Ai foli për dy-tre emra dhe që ju kujtuan aty për aty, ai duhet të flasë për kontributin e shqiptarëve që ka qenë i madh për luftën atje. Ndërkohë, ne kemi shumë dëshmorë dhe invalid të luftës së Kroacisë dhe kanë dhënë një kontribut të madh dhe shteti kroat është shumë mirënjohës. Ademi me ato deklarime ra në kategorinë e njerëzve të vonuar”, ka shtuar Çeku.
Rreth deklaratës së Ademit se Çeku ka qenë i parëndësishëm në luftën e Kroacisë, Çeku ka thënë se ky është nderi i tij dhe le të pyetën kroatët për kontributin e tij në luftën e atjeshme.
“Po më vjen mirë që po më mohon mua sepse të gjithë këta që janë të vonuar e mohojnë UÇK-në dhe kjo më dhemb. Mirë që nuk e ka mohuar UÇK-në, unë le të jem viktimë nuk është problem, jam mësuar të jemë viktimë. Nuk ka qenë kusht të jesh i suksesshëm në Kroaci, a nuk jam i pasuksesshëm, për me ardhë në UÇK, ska qenë kusht vetëm a e ndjen nevojën me ndihmu vendin tënd.
Ai e ka treguar edhe një foto ku është dekoruar nga ushtria e Kroacisë, të cilën ia ka dorëzuar pikërisht gjeneral Ademi.
Çeku ka thënë se gjeneral Ademi dhe disa oficerë tjerë nuk kanë besuar që UÇK-ja mund ta mposhtë Serbinë në Kosovë. Ai po ashtu ka thënë se para se të vinte në radhët e UÇK-së ka shkuar dhe e ka ftuar gjeneral Ademin që t’i bashkohen së bashku UÇK-së.
Çeku: Nuk e kontestoj statusin e veteranit për Albin Kurtin
Gjenerali Agim Çeku ka thënë se nuk e konteston statusin e veteranit të UÇK-së për kryeministrin aktual Albin Kurti, por ka thënë se atij nuk mund t’i takojë statusi i veteranit luftëtar. “Sipas ligjit kemi disa kategori të veteranëve.
Me siguri se nuk i takon statusi veteran luftëtar i UÇK-së, por veteran pjesëtar i UÇK-së nuk e kontestoj sepse ka qenë pjesë e organizimit. E di që ka qenë në zyren e Adem Demaçit, e di që ka qenë pjesë e tij. Adem Demaçi ka qenë përfaqësues politik, nuk ka qenë i uniformuar apo komandant, por ka qenë në një farë forme kreu i UÇK-s. Njerëzit që kanë qenë afër tij kanë qenë në shërbim të UÇK-s, në shërbim të luftës dhe kjo shoqëri duhet t'ua njohë statusin e veteranit si pjesëtarë të UÇK-së“, ka theksuar Çeku në “RTK Prime”.
Duke folur për listën e veteranëve Çeku ka thënë se numrin e saktë të veteranëve të UÇK-së nuk mund ta dijë askush.
“UÇK ka vepruar nëpër zona dhe prej një zone në tjetrën ka pasur dhjetëra kilometra distancë, ka pasur zona të kontrolluara prej serbëve dhe, për të shkuar prej një zone në tjetrën, është dashtë ditë për të kaluar. Lëvizje të tilla kanë bërë vetëm njerëz me detyra, prandaj s’ka pasur mundësi për të shkuar çdo ditë”, u shpreh ai.
Sipas Çekut, askush nuk mund ta di numrin e saktë të veteranëve, përfshirë këtu edhe Rexhep Selimin.
“Rexhep Selimi është kompetent me folë, por nuk ka qenë në çdo zonë e në çdo kohë, sepse ka pasur ndryshime, ka pasur ofensiva të ndryshme, ka pasur shpërndarje, prapë konsolidim të njësive, prapë ngritje e kështu ka lëvizur dhe askush s’mund të dijë saktë numrin e ushtarëve.
Çeku: Ta festosh ditën e çlirimit pa e spikatur rolin e UÇK-së është gabim
Muharrem Miftari / RTKlive
Ish-komandanti i UÇK-së e i TMK-së dhe ish-kryeministri Agim Çeku e ka vlerësuar si gabim të madh miratimin në Kuvend të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore, pasi miratimi i këtij ligji i lë jashtë pagës minimale veteranët e UÇK-së.
Gjeneral Agim Çeku është shprehur i indinjuar për mosvlerësim të personalitetit të tij në Kosovë, teksa rrëfeu për vlerësimin që atij i bëjnë në Kroaci organet shtetërore të atij vendi. Ai në emisionin “RTK Prime” ka thënë se nuk ka manifestim që i kushtohet luftës së Kroacisë e që nuk e ftojnë për pjesëmarrje, për dallim nga këtu, që, rrallë ose hiç, e ftojnë në manifestime të dedikuara veteranët e UÇK-së.
“Mungesa e fjalës përshëndetëse të ndonjë komandanti të UÇK-së në manifestime të tilla relativizon rolin dhe rëndësinë e UÇK-së në historinë më të re të vendit”, deklaroi gjeneral Çeku.
Sipas tij, një veprim i tillë është agjendë politike, që, fatkeqësisht, këto subjekte kanë arritur të krijojnë një narracion negativ për UÇK-në.
“Ta festosh Ditën ë Çlirimit të vendit pa e spikatur rolin e UÇK-së është gabim”, shtoi Çeku.
Për t’u krijuar një narracion i tillë mbase ka ndikuar edhe për disa gabime pas luftës, që për gjeneral Çekun janë evidente, por çështja është se, siç konsideron ai, UÇK ka qenë organizatë vullnetare.
“Ne nuk ishim ushtri e trajnuar, e organizuar nga shteti, jemi vetorganizuar, ushtri e dalë nga populli”, tha gjeneral Çeku.
Tutje ai theksoi se nuk ka vlerë ma të madhe të popullit shqiptar sesa UÇK-ja, ndonëse ka disa që dëshirojnë ta vënë në harresë.
Çeku: Qeveria gaboi që la veteranët jashtë pagës minimale
Blerim Halimi / RTKlive
Ish-komandanti i UÇK-së e i TMK-së dhe ish-kryeministri Agim Çeku e ka vlerësuar si gabim të madh miratimin në Kuvend të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore, pasi miratimi i këtij ligji i lë jashtë pagës minimale veteranët e UÇK-së.
“Këtë po e shoh si një gabim shumë të madh të Qeverisë. Një gabim i pakuptimtë, një arsyetim i pakuptimtë, një çështje e panevojshme dhe një injorim total i veteranëve të UÇK-së. Një ndarje jo vetëm e veteranëve nga pjesa tjetër e shoqërisë, por edhe një ndarje e shoqërisë. Uroj që ky gabim të përmirësohet sa më shpejt në leximin e dytë dhe të mos kalojë një gjë e tillë sepse vërtetë është gabim“, ka thënë Çeku në RTK Prime.
Ai ka thënë se ndryshimi këtij ligji është gabim, sepse ekziston një ligj, sipas të cilit veteranët duhet të marrin së paku pagën minimale.
“E di që është problem për buxhetin dhe raporti me Fondin Ndërkombëtar, por çështjet duhet të zgjidhen në pako. Prandaj, mendoj se është një qasje e gabuar dhe u çudita shumë që deputetët lejuan që të jenë pjesë e këtij gabimi të madh. Paga e veteranëve është respekti i fundit, është çështje e detyrueshme. Më shumë më pengon mungesa e respektit, në përgjithësi, të vlerave të luftës, respekti për UÇK-në, përpjekja për ta relativizuar apo për ta kontestuar rolin historik të UÇK-së. Kjo është vetëm një goditje shtesë që i bëhet vazhdimisht UÇK-së“, ka shtuar Çeku.
Ai tutje ka thënë se si personalitet që ka qenë në detyra kryesore të institucioneve, qoftë si Komandant i TMK-së apo edhe si kryeministër e ministër, vazhdimisht është përballur me përpjekje të tilla për ta kontestuar rolin e UÇK-së.
“Në Kosovë ekziston një aleancë joformale që ta distancojë UÇK-në nga populli i Kosovës. Kryesisht nga faktorë vendor që janë vonuar për t’u kyçur në përpjekjet tona për liri e pavarësi. Kryesisht janë ata që nuk kanë besuar që ne mund të çlirohemi nga Serbia. Janë ata që janë ndje komodë në prehërin e Serbisë apo pushtetit serb, por ka edhe faktorë ndërkombëtar që faktorin UÇK e shohin si pengesë për stabilizim dhe pajtim me Serbinë apo për të akomoduar Serbinë në këtë pjesë të Ballkanit. Ata vazhdimisht kanë tentuar të na thonë lereni UÇK-në shikoni ka ardhmja”, është shprehur gjeneral Çeku.
Ai ka thënë se është fakt se jo të gjithë në Kosovë e kanë përkrahur UÇK-në dhe sipas tij të gjithë pas luftës e kanë kuptuar se nuk kanë pasur të drejtë. Ai ka thënë se roli i NATO-s ka qenë historik, por assesi nuk duhet të lejohet mohimi i rolit të UÇK-së në çlirimin e vendit.
“Është fakt se jo të gjithë e kanë përkrahur UÇK-në dhe tani për ta arsyetuar veten dhe fëmijët e tyre thonë se NATO na ka çliruar, UÇK-ja ka qenë pjesë e problemit. Është krim ta relativizosh dhe ta mohosh kontributin e UÇK-së, sepse 12 mijë vetë kanë rënë për këtë vend. Roli i NATO është historik por nëse nuk e kishin parë që e kemi përnjemend dhe të vendosur të luftojmë për vendin tonë nuk do të na kishin ndihmuar. NATO në ditët e para nuk i ka ndihmuar as Ukrainës, por i ndihmuan vetëm pasi e panë që ata janë të vendosur për të luftuar për vendin e tyre”, ka thënë tutje Çeku.























