Konjufca sot viziton Thaçin e Veselin në Speciale
Jeton Musliu/ RTKlive
Kryeparlamentari Glauk Konjufca po vazhdon vizitën e tij në Hagë, ku po takohet me ish-krerët e UÇK-së që mbahen të paraburgosur nga Dhomat e Specializuara.
Konjufca ka deklaruar se deri tash ka takuar Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin, Pjetër Shalën, Hysni Gucatin e Nasim Haradinajn, ndërsa sot pritet ta takojë ish-presidentin Hashim Thaçi, dhe ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli.
Konjufca ka thënë se është shumë i brengosur për mbarëvajtjen e procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
“Me këtë që po e shohim që po zhvillohet në Gjykatën Speciale jemi shumë të brengosur dhe shumë të pakënaqur sepse janë bërë 24 muaj prej kur ne e dimë se cila është aktakuza”, tha Konjufca për RTK-në, pasi vizitoi Krasniqin, Shalën e Haradinajn.
“Me e pasë aktakuzën e shkruar dhe mos me fillu procesi gjyqësor, atëherë shtrohet pyetja pse këta njerëz nuk janë mbrojtur deri tash në liri. Kjo mund të përkufizohet si izolim”, tha kryeparlamentari Konjufca.























