Pas shumë debatesh e votimesh, Kuvendi i Kosovës përfundon seancën
Foto: RTKlive
Lajme

Pas shumë debatesh e votimesh, Kuvendi i Kosovës përfundon seancën

Muharrem Miftari/ RTKlive.com

Në seancën e pasditës Kuvendi vazhdoi punimet, ndonëse në mungesë të partive opozitare, me ç’rast u shqyrtuan disa pika të rendit të ditës.

Mirëpo në disa nga pikat e rendit të ditës, për t’u miratuar ato, nevojiteshin edhe votat e opozitës.

Në një nga pikat më kryesore, ku nevojiteshin edhe votat e partive opozitare ishte zgjedhja e një anëtari joekzeutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.

Për të qenë më fuqiplotë vendimi, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ndërpreu seancën e sotme për të vazhduar në një nga seancat e radhës për të shqyrtuar këtë pikë.

“Të nderuar deputetë edhe për këto pika të cilat i kemi me radhë nevojitet edhe pjesëmarrja e grupeve tjera parlamentare, pra është zgjedhja e një anëtari joekzekutiv të një anëtari të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës. Do të kompozohen ekipet e votimit dhe nuk ka kuptim me dy grupe parlamentare edhe pse është kuorumi që të procedojmë me këto pika. Kështu që vazhdojmë në një ditë tjetër me këto pika”, tha në fund kryeparlamentari Konjufca.

PDK: Qeveria Kurti dhe deputetët e saj dëshmuan që janë kundër qytetarëve

Fadil Sertolli/ RTKlive

Deputetët e pushtetit aktual, të udhëhequr e dirigjuar nga kryeministri Albin Kurti, sot dëshmuan që nuk janë në Kuvendin e Kosovës për t’i dëgjuar e për t’i përmbushur kërkesat e qytetarëve të Kosovës, të cilët po përballen me krizën e thellë ekonomike dhe me rritjen enorme të çmimeve të produkteve esenciale për jetesë. Kështu thuhet në një komunikatë për media nga PDK-ja.

Në fakt, me kundërshtimin e tyre, ata e dëshmuan që nuk janë deputetë të popullit por shërbyes të kryeministrit.

“Partia Demokratike e Kosovës, sot pas shumë pengesave e vonesave që pushteti aktual i bëri gjatë rrugës, e solli në Kuvend ligjin që e rregullonte një çështje konkrete, përkatësisht, lejimin e tërheqjes prej 10 për qind deri 30 për qind të mjeteve të kursyera nga qytetarët në TRUST-in pensional, e cila si masë, para se të jetë alternativë e PDK-së si opozitë karshi veprimeve të qeverisë, ishte domosdoshmëri, nevojë dhe kërkesë e qytetarëve të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Por, kërkesat dhe nevojat e qytetarëve të Kosovës nuk u dëgjuan dhe nuk u mbështetën nga qeveria Kurti dhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje. 

Tutje vazhdon komunikta se në vend që të dilnin e të jepnin përgjegjësi para qytetarëve për gjendjen e rënduar që ka nxitur këtë nevojë për tërheqjen e një pjese të mjeteve nga TRUST-i, sot kryeministri i vendit foli në Kuvend se si qytetarët e Kosovës nuk duhet të pyeten për vendimet që duhet të merren për jetën e tyre.

“Kjo qeveri e cila çdo ditë po dëshmon se është jokompetente dhe pa vizion, vetëm po e vëzhgon rënien e lirë të ekonomisë së Kosovës dhe përkeqësimin e përditshëm të mirëqenies së familjeve kosovare.

Rritja e çmimeve që ka shkaktuar kriza, bashkë me rritjen e çmimeve që qytetarëve ua ka imponuar qeveria, siç ishte rasti me ngritjen e çmimit të energjisë elektrike, e kanë bërë jetën në Kosovë vështirë të përballueshme. Prandaj, shumë qytetarë të vendit që deri dje kërkonin vende pune, sot po kërkojnë viza për të ikur nga Kosova.

Partia Demokratike e Kosovës shpreh zhgënjimin e thellë që ligji i diskutuar sot e i mbështetur nga shumica dërmuese e qytetarëve të Kosovës u rrëzua nga pushteti aktual, duke pamundësuar kështu sadopak lehtësimin e ballafaqimit të qytetarëve me krizën sociale dhe ekonomike.

PDK do të vazhdoj të jetë afër qytetarëve për t’i dëgjuar kërkesat dhe nevojat e tyre dhe do të vazhdoj të kërkoj nga kjo qeveri e papërgjegjshme llogari për dështimet e vazhdueshme në të gjitha fushat e qeverisjes”, përfundon komunikata e PDK-së.

Kuvendi zgjodhi Bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit

KSP

Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur kryetarin dhe katër anëtarë në Bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit.

61 deputetë të mazhorancës votuan pro zgjedhjes së Bordit të OSHP-së, derisa partitë opozitare e kishin lëshuar sallën më herët, pas dështimit të Projektligjit për Trustin.

Kryetare e bordit u zgjodh Vjosa Gradinaj-Menxhuani, ndërsa anëtarë Nita Bejta, Kimete Gashi, Vedat Peterqoj dhe Agon Ramadani.

Paraprakisht, kryeministri Albin Kurti tha se kanë ushtruar diskrecionin e përzgjedhjes së kandidatëve për bord të OSHP-së, pasi komisioni ka qenë i pakënaqur me kandidatët që kanë aplikuar.

“Ajo që duhet potencuar është se komisioni ishte i pakënaqur me kandidatët që kanë aplikuar, qoftë në kuptim të përvojës së tyre profesionale dhe profesionalizimit në përgatitjen e kandidaturës. Në këtë kuptim, komisioni kishte rekomanduar qeverisë që të ushtrojë diskrecionin në përzgjedhjen e kandidatëve sipas të drejtës që i takon. Ky është pranuar dhe ne kemi ushtruar kompetencën tonë të garantuar me ligj dhe kemi votuar listën e kandidatëve”, tha ai.

Kuvendi sot miratoi edhe disa projektligje, në mesin e tyre atë për pyjet, parandalimin dhe kontrollin e integruar të ndotjes dhe Projektligjin për zbatimin e Sanksioneve Financiare Ndërkombëtare të Shënjestruara.

Pas miratimit të tyre, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca mbylli punimet e sotme derisa tha se pikat e mbetura në rend të ditës do t’i vazhdojnë javën e ardhshme.

Nuk kalon Projektligji për tërheqjen e parave nga Trusti

Naser Mekolli /RTKlive

06:13 / 23.06.2022

(E plotësuar) Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të miratojë Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës, pasi nuk mori votat e mjaftueshme në shqyrtim të parë.

102 deputetë ishin të pranishëm në sallë gjatë procesit të votimit, por për votuan 47 prej tyre, kundër ishin 57, derisa një deputet abstenoi.

Votimit i parapriu një debat i gjatë, ku deputetët e opozitës kërkuan nga Qeveria që të reflektojë dhe ta mbështesë propozimin që do t’i mundësonte qytetarëve tërheqjen e 10 deri 30 përqind të mjeteve nga Trusti, teksa mazhoranca në Kuvend dhe Qeveria u deklaruan se një propozim i tillë e rrënon sistemin pensional të Kosovës.

Nis vazhdimi i seancës së Kuvendit, diskutohet për Trustin

Nisi seanca e Kuvendit, e mbetur përgjysmë nga dita e sotme, ku po diskutohet Projektligji për tërheqjen e mjeteve nga Trusti.

Kjo meqë nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, e kishte ndërprerë vazhdimin e saj, për të shkuar me një pauzë prej një ore, kur ajo u kërkojë deputetëve që të rikthehen në sallë në ora 15:30.

Me kërkesë e deputetes së PDK-së, Eliza Hoxha, deputetët e Kuvendit, kanë mbajtur një minutë heshtje në nderim të jetës dhe veprën së regjisores, Vjosa Berisha, e cila vdiq sot, nderim iu bë edhe poetit, Xhevdet Bajra.

Seanca e Kuvendit po vazhdon me përplasjen në mes deputetëve të mazhorancës dhe atyre të opozitës, për tërheqjen e mjeteve nga Trusti.

Bëhet fjalë për mundësinë që qytetarët të tërheqin deri në 30 për qind të mjeteve të tyre nga Trusti i Kursimeve Pensionale, propozim ky i PDK-së në opozitë dhe që kundërshtohet nga LVV-ja në pozitë.

Për më shumë se katër orë deputetët polemizuan edhe për njërën nga pikat më të ndjeshme të rendi të ditës, “shqyrtimi i parë i Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës”.

AAK vendos pankartat “Evropë ku janë vizat”, reagon Konjufca

KP

Në vazhdimin e seancës parlamentare ku po shqyrtohet projektligji për Trustin, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka vendosur në foltoren e Kuvendit pankarta me mbishkrime “Evropë ku janë Vizat” dhe “Evropë deri kur ma”.

Ndaj këtij veprimi ka reaguar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Konjufca: Besnik duhet të merr leje për këto aktivitete subversive që po i bën

Video

“Besnik, duhet të marrësh leje për këto aktivitete subversive që po i bën”, tha Konjufca.

Fillimisht, deputetët e Kuvendit të Kosovës janë ngritur në këmbë për një minutë heshtjeje në nderim të veprës së producentes Vjosa Berisha.

Kuvendi shkon në pauzë deri në ora 15:30

Naser Mekolli /RTKlive

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë shkuar në pauzë deri në ora 15 e 30. Kuvendi ka shkuar në pauzë në seancën ku po diskutohet Projektligji për tërheqjen e mjeteve nga Trusti.

Nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, njftoi për një pauzë duke i lutur deputetët që të rikthehen në sallë në ora 15:30.

Për më shumë se katër orë deputetët polemizuan edhe për njërën nga pikat e rendi të ditës, “shqyrtimi i parë i Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës”.

 

Kurti: S`mund ta zgjidhim një problem të tanishëm, duke rrënuar të ardhmen

Blerim Halimi /RTKlive

Kryeministri Albin Kurti duke folur për  projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondin e Kursimeve Pensionale, i propozuar nga PDK, ka thënë se Qeveria nuk e mbështet një propozim të tillë. Ai ka thënë se kriza energjetike dhe implikimet në tregjet ndërkombëtare nga lufta agresore e Rusisë në Ukrainë i kanë shtrirë efektet e tyre edhe në Kosovë. Ndikimi parësor i kësaj krize sipas tij është rritja e çmimeve për një sërë artikuj të shportës bazike të konsumit si produkte ushqimore, shërbime të transportit dhe energji, kësaj pastaj i ka ndihmuar edhe prirja për manipulime e disa tregtarëve që në mënyrë spekulative i kanë ngritur çmimet.

“Ngjashëm me qeveritë e vendeve tjera edhe Qeveria e Kosovës i është kundërpërgjigjur këtyre zhvillimeve me synimin kryesor që të ndihmojmë amvisërit dhe komunitetin e biznesit për të përballur me me lehtësi rritjen e kostos së jetës si rezultat i rritjes së çmimeve. Duke u nisur nga presupozimi që kemi vështirësi në përballimin e jetësës në vitin 2022 ka qenë parim bazik që edhe përgjigja jonë të mbështetet nga të hyrat e buxhetit të shtetit në këtë vit. Te rasti i energjisë koston shtesë të importit të vlerësuar 128 milionë euro kemi vendosur ta mbulojmë kryesisht përmes subvencionit të ambvisrive dhe atë në masën e 100 milionë euroive. Te rritja e mimeve të një grupi të mallrave dhe shërnimeve të transportit qeveria beson se kategoritë e caktuara të shoqërisë janë godiutur në mënyrëç disporporcionale andaj edhe përgjiogja jonë është dizajnuar në varësi të rrethanve”, ka thënë Kurti.

Ai tutje ka thënë se problemet e qytetarëve nuk zgjidhen duke e rrënuar sistemin pensional të vendit. Sipas Kurtit afro gjysma e kontributëdhënësve të Trustit nuk do të mund t’i tërhiqnin as nga 100 euro, e tashmë Qeveria e ka ndarë një shifër të tillë për të gjithë.

“Buxheti i vitit 2028 është buxhet i yni, por edhe mjetet e Trustit janë tonat. Edhe pensionet nuk janë për tash, por për kohën kur të plakemi. Nuk mundemi që një problem të përkohshëm tani ta zgjidhjim me një rrënim të ardhmes tonë. Nuk mundemi edhe ta humbim të ardhmen edhe të mos e fitojmë të tashmen. Edhe një herë po e ritheksoj buxheti i republikës pas 6 vjetëve në vitin 2028 patjetër është i qytetarëve të këtij vendi, por nuk mund ta harxhojmë atë sot për t’i zgjidhur problemet e tanishme. Ne mbase jemi brezi i parë që mund të ketë pleqëri të dinjitetshme, për dallim nga gjyshërit e gjyshet tona”, ka theksuar Kurti.

Sipas tij propozuesit e këtij projektligji janë ata që po e përdorin edhe rrjetin medial për të manipuluar opinionin. “Ata po manipulojnë me konceptin e varfërisë ku nuk bëjnë pjesë vet”, ka nënvizuar Kurti.

Debat i ashpër ndërmjet kryeministrit Kurti dhe deputetit Haxhiu

Blerim Halimi / RTKlive
Seanca e sotme e Kuvendit ku po debatohet për projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondin e Kursimeve Pensionale, të propozuar nga deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka sjellë replika e kundërreplika ndërmjet propozuesit dhe kryeministrit Albin Kurti.

Kreu i ekzekutivit ka thënë se ky propozim në rast se do të miratohej nga Kuvendi do ta rrënonte sistemin pensional dhe do të linte pa pensione brezin e ri në të ardhmen.

Kurti ka thënë se nuk e ka ditur se deputeti i PDK-së është doktor shkence, por theksoi se ai është doctor shkence në fizioterapi e jo në ekonomi, andaj edhe shprehu çudinë se si një propozim i tillë erdhi nga ky deputet.

“Me respektin më të madh do t’ju dëgjoj në Kuvend nëse e ndërmerrni nismën për projektligjin për masazh”, i ka drejtuar kryeministri deputetit Haxhiu.

Në anën tjetër, Haxhiu në replikën e tij u shpreh  i gatshëm që t’i bënte fizioterapi falas kryeministrit, por kërkoi nga ai që sot të mos i bëjë presion deputetëve të tij për të mos e votuar tërheqjen e mjeteve nga Trusti.

Ndërkaq, në kundërreplikën e tij kryeministri Kurti theksoi se sikur sot si deputet të ishte Bedri Hamza nuk do ta mbështeste këtë propozim, teksa theksoi se nuk është e rastësishme që në këtë seancë lidhur me këtë propozim nuk folën as njohësit e çështjeve ekonomike si Lumir Abdixhiku, Avdullah Hoti apo Hykmete Bajrami.

Lekaj: Tërheqja e Trustit është nevojë, nuk është llukës

KP

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj u ka thënë veteranët, doktorët, punëtorët e sektorit privat, policët, bujqit, personeli arsimor, gastronomet, zjarrfikësit, punonjësit civil të shtetit, bizneset e vogla dhe të mesme, dhe të gjithë të tjerët që preken nga e drejta e tërheqjeve të parave të tyre, i kanë sytë nga deputetët.

Lekaj ka shtuar se kjo është kërkesë e mijëra qytetarëve, nuk është llukës por është nevojë, ai edhe në mënyrë direkte kërkoi që të kalohet ky ligj.

“Këtu sot kërkohet vullneti i shumicës që ta rregullojmë këtë rrugë ligjore, ku secili qytetarë ka mundësit të tërheq TRUST-in apo kanë edhe të drejtë për të mos ta tërhequr atë që nuk e shohin si të arsyeshme dhe që nuk kanë nevojë, e nderuar qeveri Kurti sot nga ju si pozitë, e pushtet, por edhe nga ne si opozitë, i kanë të drejtuara sytë veteranët, doktorët, punëtorët e sektorit privat, policët, bujqit, personeli arsimor, gastronomet, zjarrfikësit, punonjësit civil të shtetit, bizneset e vogla dhe të mesme, dhe të gjithë të tjerët që preken nga e drejta e tërheqjeve të parave të tyre, TRUST-i është nevojë nuk është llukës, prandaj përkrahni pa dallime, dhe nga ky vend sot kërkesa dhe thirrja ime është, kthejani shpresën, gëzoni e rriteni mirëqenien e qindra mijërave qytetarëve e familjeve të tyre, thjeshtë dhe shqip, votone Trustin” ka thënë Lekaj. 

Mustafa: VV duhet ta mbështet tërheqjen e mjeteve nga Trusti

KP

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka kërkuar nga Vetëvendosje që ta mbështesin votimin e projektligjit që mundëson tërheqjen e mjeteve nga Trusti.

Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa theksoi se fatkeqësisht qeveria nuk ka bërë asgjë për t’i përkrahur qytetarët e Kosovës, prandaj, qytetarët janë të detyruar t’i marrin këto veprime mbi supet e tyre dhe të kërkojnë tërheqjen e mjeteve nga Trusti.

“Natyrisht kur qeveria nuk u del në ndihmë qytetarëve, ata duhet t’i marrin këto veprime, këto masa mbi supet e tyre dhe po kërkojnë mundësinë për të tërhequr një pjesë të fondeve të tyre nga Trusti. Sepse fatkeqësisht nuk keni bërë asgjë për t’i përkrahur qytetarët e Kosovës. Nuk ka ditë të vetme që ne si deputetë, pavarësisht nëse jemi të opozitës apo ju të pushtetit, që qytetarët e Kosovës nuk na shkruajnë e ndalur në qytetet duke na kërkuar që t’ua mundësojmë tërheqjen e një pjese të të mjeteve të tyre që kanë kursyer në Trust. Prandaj, po i bëj edhe një herë ftesë deputetëve të VV-së që të përkrahin këtë projektligj”, theksoi ai. 

Krasniqi: Votuesit tuaj e tanë kërkojnë tërheqjen e mjeteve

Naser Mekolli /RTKlive
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), njëherit edhe kryetar i saj, Memli Krasniqi foli për nevojën, domosdoshmërinë e tërheqjes së mjeteve të Trustit pensional nga qytetarët.

“Ka qe katër muaj që diskutojmë këtë ligj, për tërheqjen e këtyre mjeteve nga Trusti pensional. Kjo është kërkesë nga qytetarët të cilët kanë nevojë dhe kjo për ta është domosdoshmëri... Arsye për këtë është gjendja e rëndë ekonomike e qytetarëve, ne e kemi marr veç si obligim që të sjellim para jush këtë kërkesë të tyre”, tha Krasniqi.

Ai tha ka një rënie të ekonomisë, ka infalacion  mbi 12 për qind, ka një rritje të çmimeve në çdo artikull.

“Ju po e kundërshtoni edhe këtë iniciativë tonin por a keni zgjidhje tjetër. Mirë që ja keni nis ti dëgjoni FMN-në e BB-në, por ju e dini se ata e kanë kundërshtua edhe rritjen e rrogave, por ne nuk i kemi dëgjuar dhe është parë se kemi pas të drejtë”, tha ai.

Krasniqi pyeti deputetët e mazhorancës se cila është arsyeja e tyre, cila është alternative e tyre, që kundërshtojnë këtë iniciativë, “votuesit tuaj e tonë po kërkojnë tërheqjen e mjeteve se ata kanë nevojë”.

“Unë sinqerisht sot ju ftojë, me qenë deputet të qytetarëve, atyre që ua kanë dhënë mandatin, atyre që ua kanë dhënë mandatin e ju kanë sjellë këtu, kryeministri iu ka shti në listë, por deputet ju kanë bërë votuesit e juaj, qytetarët e juaj”, ka thënë pos tjerash Krasniqi.

 

Kusari-Lila: LVV nuk e mbështet projektligjin që lejon tërheqjen e Trustit

Blerim Halimi /RTKlive

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka bërë të ditur se deputetët e këtij subjeti politik nuk do të votojnë projektligjin e propozuar nga deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, që lejon tërheqjen e 10 deri 30 përqind të mjeteve për qytetarët nga Trusti.

Kusari-Lila ka thënë se tërheqja e re e mjeteve nga Trusti lë pasoja të mëdha dhe kjo do të nxisë rritjen e mëtejshme të çmimeve.

“U bënë disa muaj prej kur filloi të trajtohej me pasion e presion, plane e kërcënime ideja e tërheqjes së 30% të mjeteve të Trustit. Kur herën e parë u tërhoqën 10% të mjeteve ne ishim në periudhën e pandemisë, ku nuk e dinim se çfarë na pret në të ardhmen. Tani propozimi për tërheqjen e 30% të Trustit lë shumë pasoja. Kjo prodhon efekt të mënjëhershëm, por pas vetes lë pasoja të mëdha, të cilat fare pak po trajtohen. Tërheqja e këtyre mjeteve në shumë nivele ndikon në rritjen e çmimeve. Zgjidhjet e lehta janë të këndshme, por me pasoja afatgjata, por ne nuk e kemi marrë mandatin për zgjidhje të lehta, por për zgjidhje afatgjate. Nuk guxojmë të humbim opusin në momente të krizës. Trusti është mekanizmi i vetëm që ofron një rrjetë mbrojtëse për shtetin, përfshirë këtu moshën e tretë”, ka theksuar Kusari-Lila.

Ajo ka thënë se LVV nuk e mbështet propozimin në fjalë, por vazhdon të qëndrojë në mbështetje të qytetarëve për të gjetur një zgjidhje alternative për të kaluar krizën.

Muja: Tërheqja e mjeteve nga Trusti, precedent i rrezikshëm

Blerim Halimi /RTKlive

Deputeti i VV-së, Armend Muja, i cili kryeson Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere në Kuvendin e Kosovës, gjatë seancës së sotme të Kuvendit ka deklaruar se tërheqja e një pjese të Trustit është precedent i rrezikshëm. Ai ka thënë se ideja për tërheqjen e mjeteve nga Trusti është kundërshtuar në këtë Komision, pasi sipas tij kjo ide e shkatërron strukturën pensionale në vend. “Tërheqja e mjeteve nga Trustit i ndihmon vetëm 5 për qind të kontributdhënësve”, ka thënë ai. Sipas tij gjatë tremujorit të parë të vitit 2022, në bazë të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ka rritje ekonomike pak më shumë se 5 për qind. Ai ka thënë se duhet të ndalohet çdo nismë ligjore që tenton të prekë kursimet pensionale.

Haxhiu: Votoni ndryshimin e ligjit për Fondet Pensionale

Naser Mekolli /RTKlive
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu prezantoi para deputetëve të Kuvendit të Kosovës plotësimin dhe ndryshimin e Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës.

Ai tha se tërheqja e një pjesë të kursimeve pensionale do t’i ndihmonte qytetarët pas krizave të ndryshme në dy vitet e fundit. Deputeti Haxhiu tha se sipas ndryshim plotësimeve, qytetarët do të mund të tërheqin 10 deri në 30% të shumës së kursimeve pensionale.

Deputeti Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Armend Muja, ka kundërshtuar iniciativën e deputetit për tërheqjen e mjeteve nga Trusti, me argumentin se kjo është kundërshtuar edhe partnerët ndërkombëtar, nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore e shumë institucione të tjera.

Deputeti Muja tha se shumë që do të tërhiqej nga Trusti pensional me këtë rast do të ishte mbi 500 milionë euro.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, (PDK) Bekim Haxhiu, më datën 9 mars ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës.

 

Nis seanca e Kuvendit, pritet të diskutohet edhe për Trustin

Naser Mekolli /RTKlive

Nis vazhdimi i seancës së Kuvendit të Kosovës, e mbetur përgjysmë nga dita e djeshme. Kjo meqë kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, e kishte ndërprerë vazhdimin e saj, për shkak të mungesës së deputetëve në sallë.

Seanca filloi punimet me miratimin në parim të “projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e vitit 2022”. Kryeparlamentari Konjufca tha se, pro këtij projektligji kanë votuar 65 deputetë dhe se nuk ka pasur asnjë votë kundër apo abstenim.

Në seancën sotme, janë disa pika të rendit të ditës, por më me interes nga publiku pritet pika për “shqyrtimin e parë të Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës”.

Bëhet fjalë për mundësinë që qytetarët të tërheqin deri në 30 për qind të mjeteve të tyre nga Trusti i Kursimeve Pensionale, propozim ky i PDK-së në opozitë dhe që kundërshtohet nga LVV-ja në pozitë.

 

Kuvendi miratoi rishikimin e buxhetit vetëm për Ministrinë e Financave

KP

Me 65 vota pro, asnjë kundër asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës miratoi në lexim të dytë projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022.

Me këtë rishikim, buxhetit prej 2.7 miliardë euro i shtohen edhe mbi 150 milionë të tjera.

Në këtë rast, rishikimi i buxhetit nga qeveria është bërë vetëm për Ministri të Financave, dhe nuk prek ndonjë organizatë tjetër buxhetore.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha sa i përket rishikimit të rregullt buxhetor të mes vitit, do ta sjellin shumë shpejt në kuvend ku do të mund të adresohen edhe projektet për organizatat tjera buxhetore.

Sot vazhdon seanca e Kuvendit ku diskutohet për Trustin

Jeton Musliu / RTKlive

Sot do të vazhdojë seanca e Kuvendit të Kosovës, e mbetur përgjysmë nga dita e djeshme.

Kjo meqë kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, e kishte ndërprerë vazhdimin e saj,  për shkak të mungesës së deputetëve në sallë.

 “Nuk ka kuorum për vazhdimin e seancës, shihemi të enjten në ora 10:00”, tha dje Konjufca.

Kjo ndërprerje bëri që të përplasen pozitë e opozitë. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) adresoi  akuza ndaj Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet për pamundësim të votimit të nismës ligjore për tërheqjen e 30 për qind të mjeteve nga Trusti, duke ndërprerë punimet e seancës parlamentare.

Ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka mohuar se ka ndërhyrë te kryeparlamentari Glauk Konjufca për ndërprerjen e seancës plenare.

Ajo në një konferencë për media, ka theksuar se seanca e sotme nuk është ndërprerë për shkak të bllokimit të shumicës.

Sipas saj, ajo çfarë ndodhi në seancë ishte humbja e kuorumit si rrjedhojë e mos pjesëmarrjes në votim të opozitës.

 


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa