Kupina i kundërpërgjigjet Mustafës: Paaftësia e mbështjellë me urim
Foto/ Facebook, Bekim Kupina
Lajme

Kupina i kundërpërgjigjet Mustafës: Paaftësia e mbështjellë me urim

F.Sertolli / RTKlive.com

Këshilltari i Presidentes së Kosovës, Bekim Kupina i ka reaguar ish kreut të LDK-së, Isa Mustafa, pasi që ky i fundit fajësoi Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani për mos liberalizimin e vizave.

 “Urime liberalizimi, urime Kosovë! Ky mesazh triumfalist urimi është dhënë më 4 maj 2016. Bashkë me mesazhin është postuar edhe një foto në të cilën shihet z.Isa Mustafa, që me dorën në maus dhe koncentrimin me sytë katër, të bëhej sikur lajmin për liberalizim do ta pranonte me një klikim”, shkruan Kupina në reagimin e tij.

Tutje, shkruan ai, “Z. Mustafa, ju faktekqësisht uruat para kohës. Ju fatkeqësisht ushqyet shpresën e rreme për qytetarët e këtij vendi, sërish para kohe. Ju në atë kohë përdorët pretendimin se ka kritere të veçanta për shtete të veçanta. Sot jemi këtu, pa e ngjallur shpresën e rreme, pa justifikime për kritere shtesë apo formulime të tilla”.

Kupina shkruan se “Siç e keni dëgjuar/lexuar, Presisdentja Osmani, si asnjëherë më parë në historinë politike të Kosovës, qartë dhe prerazi tha: Kemi dëgjuar shumë deklarata përkrahëse për Kosovën. Së pari, për perspektivën evropiane të saj, së dyti për liberalizimin e vizave dhe e treta për rreshtimin e plotë të Kosovës me BE-në sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë. Duhet të shkojmë tash nga fjalët në veprime. Na duhen hapa konkretë përveç thjesht deklaratave. Duhet të merret vendimi për liberalizim të vizave”.

“Z.Mustafa, tre rreshtat e fundit të kësaj fjalie, ishte dashur t`i thoni ju më 2016, porse nuk patët guxim. Strukja karshi situatës atëkohë ka prodhuar situatën e sotme, kur ne vazhdojmë të jemi të izoluar.

Z.Mustafa, në deklarimet e Presidentes Osmani nuk pati shpresë të rreme, por pritje realiste. Ju ia keni bërë hyzmetin, sot po i korrim frutat e politikës suaj të paaftë.

Juve ju ka munguar qartësia, por sot në krye të shtetit e keni zonjën Osmani, e cila siç tha më të drejtë gazetari gjerman: e qartë kristal, argumentuese, e diferencuar, pozitive dhe retorikisht e përsosur.

Mbase për ju z.Mustafa, urimi për liberalizimin më 2014 ende është valid! Apo, shpresoj ta keni ndërruar kalendarin!”, përfundon këshilltari i presidentes Osmani, Bekim Kupina.

Isa Mustafa: Osmani e Kurti lanë qytetarët pa viza

17:49 / 23.06.2022 (KSP) 

Ish-kryetari i LDK-së Isa Mustafa është treguar tejet kritik sa i përket çështjes së mos liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Në një postim në Facebook, ai ka thënë se Vjosa Osmani, Albin Kurti, Shpëtim Bulliqi në vitin 2015 e 2016, kur Kosova ishte në një pako me Ukrainën dhe Gjeorgjinë për liberalizimin e vizave, shpiknin të pavërteta për ta penguar ratifikimin si kusht të liberalizimit.

“Me pas veç pak fytyrë, Vjosa Osmani e disa të tjerë në Qeveri e në Kuvend do ta mbyllnin gojën për liberalizimin. Presidentja Osmani, nuk u takua sot me bllokuesin e liberalizimit (Makron), ashtu siç u raportua.

Por, dy bllokuesit e liberalizimit, Osmani dhe Makron u takuan në Bruksel. Gati më shkuan lotët kur e lexova deklaratën e Vjosës se vetëm asaj i është dashur viza për këtë takim në Bruksel. Çfarë ironie. Kjo mendon se populli e ka mbajtje mendjen e peshkut”, shkruan Mustafa.

“Është Vjosa Osmani, Albin Kurti, Shpëtim Bulliqi e piromanet e tyre që në vitin 2015 e 2016, kur ne ishim në një pako me Ukrainën dhe Gjeorgjinë për liberalizimin e vizave shpiknin të pavërteta për ta penguar ratifikimin si kusht të liberalizimit.

Sa njeriut të sëmurë, të papunë e nevojtar për të shkuar në perëndim i është refuzuar viza, e kjo nuk i ka brengosë këta që sot janë në pushtet. Edhe disa në opozitë!

Por, këtyre në vend të liberalizimit duhet t’u jepen medalje për mashtrim të popullit. E lanë pa viza, e ua morën mbi 50 për qind të votave. Aferim!”, ka shtuar Mustafa.


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa