(E plotësuar) Autoritetet serbe mohojnë pretendimet e Trajkoviqit
REL
Kryetarja e Lëvizjes Evropiane nga Kosova, Rada Trajkoviq, në llogarinë e saj në Twitter ka njoftuar se policia e Serbisë, më 24 qershor, nuk e ka lejuar të largohet nga vendi, në aeroportin “Nikola Tesla” të Beogradit. Por, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë i ka mohuar këto pretendime.
MPB-ja e Serbisë, në një deklaratë për mediat ka thënë se ka vepruar sipas kërkesës së Prokurorisë së Tretë Themelore Publike.
“Në rastin e ardhjes së Rada Trajkoviqit në aeroportin e Beogradit, policët kanë vepruar sipas kërkesës së Prokurorisë së Tretë Themelore Publike. Andaj, trajtimi i zonjës Trajkoviq ka qenë me qëllim të dorëzimit të ftesës së prokurorisë kompetente dhe nuk janë të vërteta pretendimet se asaj i është ndaluar të largohet nga vendi”, thonë nga MPB-ja e Serbisë.
Rada Trajkoviq paraprakisht kishte deklaruar për Radion Evropa e Lirë se ishte dashur të udhëtonte për në Podgoricë, por policia, siç thotë ajo, e mbajti në ambientet e policisë për tre orë dhe më pas, ia dorëzuan fletëthirrjen në gjykatë dhe e liruan të shkojë në shtëpi.
Ajo tha se gjatë asaj periudhe “policia nuk i ka shpjeguar pse nuk mund të vazhdonin udhëtimin dhe se ajo duhet të paraqitet në Gjykatën e Tretë Themelore në Beograd më 27 qershor”.
“Në fletëthirrjen nuk thuhet, as policia nuk më ka thënë se për çfarë bëhej fjalë, as për çfarë krimi bëhej fjalë, as për çfarë thirrjeje, nëse isha dëshmitare apo e akuzuar. Asgjë”, tha Trajkoviq për Radion Evropa e Lirë.
Siç ka shpjeguar ajo, gjatë ndalimit ka qenë “në ambientet e policisë në aeroport, që ngjate në bodrum”.
“Policia është rreth meje dhe po më ruan sikur të isha krimineli më i madh dhe më famëkeq në Serbi. Mua, një mjeke dhe një profesoreshë", ka shkruar më parë Trajkoviq në Twitter.
Rada Trajkoviq është një politikane serbe nga Kosova. Ajo ishte deputete e koalicionit “Kthimi” në Kuvendin e Kosovës në legjislaturën e parë të pasluftës, nga viti 2001 deri në vitin 2004.
(E plotësuar 18:57) Lirohet Trajkoviq, pas ndalimit në aeroportin e Beogradit
Kryetarja e Lëvizjes Evropiane nga Kosova, Rada Trajkoviq, është liruar pasi është ndaluar në aeroportin “Nikola Tesla” të Beogradit, më 24 qershor.
Fillimisht ajo ka shkruar në llogarinë e saj në Twitter se i është ndaluar të largohet nga Serbia dhe që policia e ka mbajtur në aeroport rrugës për në Podgoricë, njofton REL.
“Sapo më ndaluan të largohem nga vendi nga policia kufitare në aeroportin ‘Nikola Tesla’. Nuk më dhanë arsye për ndalim të largimit”, ka shkruar Trajkoviq në llogarinë e saj në Twitter.
Mirëpo, siç ka konfirmuar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ajo është liruar pas tre orësh, me arsyetimin se duhet të paraqitet në gjykatë.
“U ula dhe prita tre orë dhe më pas më dhanë një letër, në të cilën thuhet se të hënën, më 27 prill, duhet të paraqitem në Gjykatën e Tretë Komunale.
Në fletëthirrjen nuk thuhet, as policia nuk më ka thënë se çfarë ishte, as për çfarë krimi bëhet fjalë”, sqaroi ajo.
"Nuk është çështja se çfarë lloj thirrjeje është, nëse jam dëshmitare apo e akuzuar. Asgjë," tha Trajkoviq për Radion Evropa e Lirë.
Siç ka shpjeguar ajo, gjatë ndalesë, ajo ka qenë “në ambientet e policisë në aeroport, si një bodrum”.
"Policia është rreth meje dhe po më ruan sikur të isha kriminele më e madhe dhe më famëkeqe në Serbi. Unë, doktoreshë dhe profesoreshë", ka shkruar më parë Trajkoviq në Twitter.
(E plotësuar 16:54) Rada Trajkoviq u ndalua në aeroportin e Beogradit
Kryetarja e Lëvizjes Evropiane nga Kosova, Rada Trajkoviq, më 24 qershor ka njoftuar se i është ndaluar të largohet nga Serbia dhe se policia e ka ndaluar në aeroportin “Nikola Tesla” të Beogradit.
Siç ka bërë të ditur ajo në llogarinë e saj në Twitter, asaj i është “ndaluar të largohet nga vendi rrugës për në Podgoricë”.
“Sapo më është ndaluar të largohem nga vendi nga policia kufitare në ‘Nikola Tesla’. Nuk më dhanë arsye për ndalimin e daljes”, ka shkruar Trajkoviç në Twitter.
Në një postim të mëpasshëm në Twitter, ajo shkroi se ishte “në ambientet e policisë në aeroport, ku aktualisht po mbahet për intervistim”.
“Unë jam ende duke u mbajtur në një bodrum këtu në aeroport. Askush nuk më afrohet dhe nuk më jep shpjegim. Policia është rreth meje dhe më ruan sikur të isha krimineli më i madh dhe më famëkeq në Serbi. Mua, një mjeke dhe profesoreshë”, ka shkruar Trajkoviq.
Lidhur me ndalimin e Trajkoviqit, Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, por deri në publikimin e këtij lajmi, nuk ka kthyer përgjigje.























