Nagavci: Siguria e fëmijëve tanë në shkollë kërkon vëmendjen e secilit
BKT
Lajme

Nagavci: Siguria e fëmijëve tanë në shkollë kërkon vëmendjen e secilit

Muharrem Miftari/RTKlive

Lidhur me sigurinë në objektet arsimore, ku fëmijët tanë vijojnë mësimin, që këta të jenë të sigurt e të qetë, nevojitet që të kenë vëmendjen e secilit.

Kështu ka shkruar ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, në një status në Facebook, si një reagim për aksionin e Policisë së Kosovës në ambientet pranë shkollave të vendit, më konkretisht në Ferizaj, ku janë sekuestruar armë e mjete të dhunës.

Ajo, duke falënderuar Policinë e Kosovës, shtoi se “nga ky aksion dhe këto gjetje mësojmë nevojën urgjente për reflektim në shoqërinë tonë sa i përket gjendjes dhe sigurisë së nxënësve, përkatësisht fëmijëve tanë.”

“Në Ministrinë e Arsimit po e trajtojmë këtë çështje me prioritet dhe përveçqë po avancojmë politikat edukative dhe arsimore, së fundmi kemi themeluar edhe Forumin Nacional për Shkolla Miqësore, i cili do të përcjellë situatën e  sigurisë, rritjes së mirëqenies dhe zhvillimit të shëndetshëm të fëmijëve/nxënësve në shkolla me qëllim të këshillimit, vlerësimit dhe orientimit të veprimeve të integruara ndërinstitucionale”, ka shkruar më tej ministrja Nagavci.

Tutje ajo vuri në pah rolin e mësimdhënësve në edukimin e brezave, duke vlerësuar “si pika e parë e kontaktit me fëmijët në shkollë.”

Me gjithë rolin parësor të mësimdhënësve, ministrja gjykon “se menaxhmentet e shkollave dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit, duhet të jenë më të përgjegjshme dhe të adresojnë shqetësimet që kanë të bëjnë me sigurinë e nxënësve.”

Më tej ajo shfaqi planin për të ardhmen e arsimit në vend.

“Ne jemi duke punuar të bëjmë ndryshime strukturore në sistemin edukativ dhe arsimor, po fenomene si kjo nuk presin ndikimin afatgjatë të politikave arsimore. Jam e vetëdijshme se ne ballafaqohemi me situata të vështira individuale, familjare, sociale e  ekonomike, por, ju lutem prindërve që të mbajnë fokusin te fëmijët dhe të sigurohen se çdo gjë është në rregull me ta. Jam e bindur se një raport më i afërt i institucioneve me familjet, do të ndikojë në përmirësimin e kësaj gjendje. Duhet të angazhohemi të gjithë.

Bashkë për sigurinë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë!”,ka shkruar në fund të reagimit ministrja Nagavci.


MË SHUME NGA Lajme