Një teatër që çtabuizon dhunën seksuale ndaj fëmijëve
Foto / DW
Kulturë

Një teatër që çtabuizon dhunën seksuale ndaj fëmijëve

Nisma teatrore "Trau Dich!" - Guxo - inkurajon fëmijët të flasin për dhunën seksuale dhe sensibilizon të rriturit ndaj këtij fenomeni.

Në qendër të nismës është një pjesë teatrore. Në të inskenohen situata të së përditshmes, në të cilat fëmijët përjetojnë abuzime seksuale. Si për shembull, Alina, tetëvjeçarja ngacmohet seksualisht nga një i afërm. Denisi, i fejuari i motrës së Alinës, i bën Alinës komplimente për lëkurën, e ledhaton në vende intime. Alina nuk ndihet mirë, por sinjalet e saj, injorohen nga prindërit të cilët, pak para martesës së të motrës janë të mbingarkuar me shumë punë të tjera. Alina është vetëm me problemin e saj. Çfarë të bëjë?

Mesatarisht me tetë persona të rritur duhet të flasë një fëmijë i abuzuar, derisa të rriturit ta kuptojnë se çfarë ka ndodhur. Shumë fëmijë e kanë të vështirë të flasin, sepse pjesa më e madhe e autorëve të abuzimit vijnë  nga rrethi familjar ose shoqëror. Ata janë persona të besuar, ose shumë të dashur. "Ky është sekreti ynë", i thotë Denisi Alinës. 

Teatri "Trau dich!", (trau-dich.de) është konceptuar enkas nga Enti Federal për Informimin e Shëndetësor, me seli në Köln, dhe synon të çtabuiziojë temën e abuzimit seksual. "Çështja e abuzimit seksual është ende tabu”, thotë për DW, drejtori ekzekutiv në detyrë i Entit për Sqarim Shëndetësor, Martin Ditrrich. "Është e rëndësishme që ky problem, që prek të gjithë shoqërinë, të perceptohet në shkolla dhe ambientet e fëmijëve. Dhe ne duam që t'i nxisim fëmijët që të flasin për ndjenjat e tyre.”

Teatri i mëson fëmijët se si  të sillen edhe në raste të tjera, më të rëndomta. Se si t'i thonë Jo, për shembull, gjyshes që i mbyt me të puthura, dajës që i fton të ulen në prehër, ose një shoku apo një shoqeje që e nxit të bëjë diçka që ajo nuk dëshiron. Fëmijët mësojnë në formë loje se ata kanë të drejta, dhe se e vendosin vetë se kë puthin, në cilin prehër ulen, dhe se kë lejojnë t'i ledhatojë. 

Aktorët, të gjithë të rritur, pyesin fëmijët në sallë, se çfarë t'i thotë Vladimiri gjyshes, që sa herë që e shikon e puth tërë jargavitje. "Ta puthë edhe ai gjyshen ashtu tërë pështymë, që ajo ta kuptojë se si është", thërret njëri nga nxënësit që kanë ardhur ta shohin pjesën me shkollën të hënën, në teatrin muzikor ATZE, në Berlin. "Ne duam të gjejmë një gjuhë të përbashkët në disa nivele, në nivelin e fëmijëve, të prindërve, të specialistëve”, shpjegon Dittrich.

Berlini ishte landi i gjashtë që merr licencën përkatëse nga federata dhe do ta zbatojë programin në mënyrë të pavarur . Astrid-Sabine Busse, Senatorja e Berlinit për Arsimin, Rininë dhe Familjen, tha se "Me 'Trau dich!' ne iu drejtohemi kryesisht vajzave dhe djemve në klasat e pesta dhe të gjashta, duke i edukuar ata për të drejtat e tyre dhe duke i informuar për abuzimin seksual. Veç kësaj, për temën e abuzimit  sensibilizohen edhe të rriturit, si prindërit, mësuesit, kujdestarët, edukatorët” 

Landi i Berlinit e ka ndryshuar ligjin e shkollave në shtator 2021. Dhe  tema e mbrojtjes së fëmijëve dhe të rinjve është bërë pjesë e mësimdhënies. Shkollat ​​duhet të zhvillojnë tani një koncept për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve si pjesë e programit shkollor, i cili shërben për të parandaluar rrezikimin e fëmijëve, veçanërisht nëpërmjet abuzimit seksual, dhunës dhe bullizmit.

49 fëmijë në ditë pësojnë dhunë seksuale

Organet zyrtare në Gjermani thonë se mesatarisht në çdo klasë ka nga një ose dy fëmijë që përballen me dhunë seksuale. Në fillim të majit, Enti Federal i Kriminalistikës dha shifrat: Rreth 17700 fëmijë dhe të rinj janë abuzuar në vitin 2021. Shifrat rriten nga viti në vit.

Parandalimi me anë të sensibilizimit dhe forcimit të vetësigurisë te fëmija, është njëra mënyrë. Por në shumë raste viktimat e abuzimeve janë foshnja, ose fëmijë, që nuk kanë mundësi të artikulohen. Viktimat janë nga foshnja nga njëmuajshe e lart. Autorët janë brutalë dhe të pamëshirshëm, dhe ata vijnë nga rrethi familjar, ose shoqëror. Shumë shpesh ata janë personat më të besuar për fëmijët, si për shembull, rasti i një 44-vjeçari nga Wermelskirchen pranë Këlnit, i cili ishte ofruar si kujdestar për fëmijë me aftësi të kufizuara psikike. Me 70 persona të tjerë dyshohet që shkëmbente në internet foto dhe video me akte abuzimi ndaj foshnjave dhe fëmijëve të vegjël. 

Në vjeshtë qeveria federale do të nisë një fushatë të gjerë sensibilizimi për fëmijët, prindërit, mësuesit, edukatorët. Çdo kush duhet të jetë në gjendje të dallojë sinjalet që vijnë, në analogji me alarmin e zjarrit dhe të dijë se si të veprojë, ky është synimi i qeverisë./DW/


APR
Romay Lift