Beteja e Kosovës apo mitizimi e politizimi i historisë
Kulturë

Beteja e Kosovës apo mitizimi e politizimi i historisë

Muharrem Miftari/RTKlive

Arsyeja pse beteja mes koalicionit të krishterëve ballkanikë dhe të ushtrisë otomane u zhvillua në Kosovë është nga fakti strategjik, sepse pozita gjeografike ishte e tillë, me një fushë të rrafshët, lumenj afër, pozicioni me një luftë frontale, jo sikundër pretendojnë serbët, si një “element serb”.

Kështu tha historiani Muhamet Malaj, në "Aktual" të RTK-së, për Betejën e Kosovës, që u pat zhvilluar më 28 qershor të vitit  1389, në Kosovë, mes forcave të “Koalicionit të Krishterë” dhe të ushtrisë otomane.

Lidhur me këtë, historiani Malaj shtoi se po të ishte me karakter serb, pse këta nuk morën pjesë në luftën e vitit 1448, kur u zhvillua beteja e dytë, por që pikërisht serbët nuk morën pjesë.

Sipas tij, Beteja e Kosovës është e mbështjellë me mjegullnajë, por që mund dhe duhet të kthjellohet përmes burimeve autentike historike.

“Një nga burimet autentike është një e dhënë më 15 qershor dhe tjetra me 18 gusht, kur mbreti i Bosnjës i dërgon letër përfaqësuesit të Trogirit, ku e njofton se koalicioni i krishterë ka fituar betejën e Kosovës. Se otomanët nuk qëndruan këtu, se Pajaziti ishte kthyer në Adrianopojë, pasi vret babain dhe vëllaun për qëllime pushteti, pastaj kthehet sërish në Albani dhe zhvillohen betejat. Kështu thuhen në burimet historike”, sqaroi historiani Malaj.

Tutje, ai përmend qëllimin e mitizimit dhe politizimit të Betejës së Kosovës. Vrasja e sulltanit nga Millosh Kopiliqi.

“Mitologjia ka nevojë për heronj legjendarë”.

Ndërkohë që historiani Malaj dëshmon me argument shkencor e me burime historike emrin e Milosh Kopiliqit, që e rrëzon burimin sllav përmes toponomastikës, me burim iliro-thrakas.

Historiani Malaj më tej tha që Beteja e Kosovës duhet zhveshur nga mitologjia dhe nga politika, sikurse bëri Millosheviqi para shumë vitesh, i cili përdori si katapult në skenën politike të Jugosllavisë, duke shkaktuar shumë luftëra në ish-Jugosllavi.

Ndërkaq në pyetjen nëse ka përfunduar Beteja e Kosovës, historiani Malaj u shpreh se në kontekstin historik ka përfunduar, ndërkohë që në kontekstin politik, jo, sepse ende po pretendojnë të rikthehet realiteti historik që nuk është i rikthyeshëm.

“Çdo tendencë për ta rikthyer historinë, qoftë nga qarqet serbe, qoftë nga qarqet neootomane, për shqiptarët është i dëmshëm”, vlerësoi historiani Malaj.

Ai më tej shtoi se shqiptarët, megjithëse nën sundimin 500-vjeçarë, ruajtën identitetin e vet kombëtar.

“Ndaj, detyra jonë është ta zhveshim historinë nga mitologjia e politika”, shtoi ai.

E kur jemi te identiteti shqiptar, historian Malaj theksoi se edhe sot vërehet tendenca e relativizmit të ngjarjeve historike, duke theksuar se mitologji kanë bërë të tjerët e rrjedhimisht edhe shqiptarët, krime kanë bërë të tjerët, pra edhe shqiptarët, prandaj, meqë nuk kemi qenë pushtues ne shqiptarët nuk kemi nevojë të mitologjizojmë ngjarjet e figurat historike.

Kështu, fjala vjen, figura e Skenderbeut, një personalitet i tillë nuk ka nevojë të mitizohet e as të politizohet.

Për fund, historian Malaj tha se historia na mëson se që të kemi vizion të qartë duhet të dimë të kaluarën që të mos përsëritet historia. "Qëllimi është që ngjarjet historike të mos politizohen e të mitizohen", shtoi ai.

Për të ardhmen e shqiptarëve, historian Malaj përkujtoi thënien e Konicës: “Për shqiptarët dielli lind në perëndim”


APR
Romay Lift