Çmimet e bukës, Kurti: Do të marrim masa
KP
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se janë duke parë me shqetësim rritjen e çmimit të bukës dhe se Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë do të dalë me një përgjigje në lidhje me këtë çështje.
Ai pas takimit që ka zhvilluar sot në Postën e Kosovës, ka njoftuar se janë duke diskutuar për vendosjen e masave me qëllim të mbrojtjes së konsumatorit.
“Ne i kemi marrë me shumë shqetësim këto informacione për çmime të rritura të bukës, që është ushqimi më elementar për qytetarët e Kosovës dhe Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë është duke e përgatitur një përgjigje të qeverisë sonë. Pra, kemi vënë tavanin për çmimin e naftës, duhet të shohim se çfarë mund të bëjmë që të mos shfrytëzohen e të mos dëmtohen konsumatorët e vendit tonë... Ne duhet të shohim vlerësimin e MINT dhe të marrim masa adekuate si qeveri ta mbrojmë konsumatorin qytetar nga ata të cilët mund ta keqpërdorin situatën dhe të abuzojnë në këtë kohë krize”, ka deklaruar Kurti.
Kryeministri Albin Kurti bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli kanë takuar në Postën e Kosovës, ushtruesen e detyrës së kryeshefes ekzekutive, Fakete Kadiu.
“Lajmi i mirë është se në muajin maj që e lamë pas kemi pasur bilanc pozitiv në Postën e Kosovës. Pra, të hyrat janë më të larta se shpenzimet. Ky është natyrisht rezultat i punës së përbashkët të këtij kolektivi i cili ofron shërbimin universal të shtetit të Kosovës...I kanë 132 zyra postare anë e mbanë Kosovës dhe përveçse nga kredia që kanë marrë, në të njëjtën kohë kanë përfituar edhe nga një marrëveshje që ka Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administrimit të Pushtetit Lokal me Postën e Kosovës”, ka shtuar Kurti.
Ai ka shtuar se kërkesa e udhëheqësve të Postës së Kosovës është lidhja me postat tjera të Bashkimit Evropian.
“Jemi në fazën e digjitalizimit gjithandej administratës publike, pastaj arsimit, shëndetësisë, industrisë dhe duhet të kujdesemi që nga ky digjitalizim të mos dëmtohet Posta e Kosovës, por përkundrazi të përfitojë. Qeveria e Kosovës e mori një kërkesë nga kryeshefja Kadiu dhe kryesuesi i bordit, zotëri Bejta, që t’i ndihmojmë në lidhje me postat tjera në vendet e BE-së dhe jo vetëm, në mënyrë që të kemi bashkëpunim nga i cili përfitojnë të dyja palët”, u shprehur ai.
Kurti theksoi se është njoftuar edhe për dy pulla postale, të cilat kanë fituar çmimin për bukuri dhe për aspektin përmbajtjesor.
Kurti për vizat: Nuk jam në dijeni që ka kritere shtesë
Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se nuk është në anën e Kosovës që të bëjë diçka shtesë sa i përket kritereve për liberalizim të vizave.
Ai ka thënë se nuk është në dijeni për udhërrëfyes të ri, teksa ka shtuar se ka kohë që janë plotësuar kriteret për lëvizje të lirë të qytetarëve.
Ai pas vizitës në Telekomin e Kosovën, ka njoftuar se ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla do të jetë në takim në Bruksel.
"Nuk jam në dijeni që ka kurrfarë kriteresh shtesë apo udhërrëfyes të ri. Ne kemi plotësuar 95 kriteresh para shumë vitesh, që është shumëfishi i kritereve që kanë vendet fqinje. Dhe gjithashtu në të njëjtën kohë është jo vetëm Parlamenti Evropian por edhe Komisioni Evropian, i cili para katër vjetësh ka rekomanduar për herë të dytë heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Dhe besoj që nuk është në anën e Kosovës të bëjë diçka shtesë sa i përket kritereve. Por, dua të ju njoftoj se brenda 48 orëve ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla do të jetë në takim në Bruksel me komisionaren e BE-së për Çështje të Brendshme që të diskutojë për të gjitha gjërat në raport me liberalizimin e vizave", ka thënë ai.
Gjatë ditës, Komisioni Evropian ka sqaruar se nuk është planifikuar udhërrëfyes i ri për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe se mbetet në qëndrimin se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet.























