Kryeministri në takim me QUINT-in, flasin për dialogun
BKT
Lajme

Kryeministri në takim me QUINT-in, flasin për dialogun

Kimete Kasumi/ RTKlive

Kryeministri Albin Kurti është takuar sot me ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së në Kosovë, me të cilët ka biseduar mbi zhvillimet politike në vend dhe situatën politike në rajon.

Sipas njoftimit nga zyra e kryeministrit, në takim u diskutua për proceset dhe çështjet lidhur me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe temat tjera të ndërlidhura.

"Kurti ritheksoi se Qeveria e Kosovës është e angazhuar për dialog parimor, nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, nëpërmjet një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme, që në qendër ka njohjen reciproke", thuhet në njoftim.

U bisedua për marrëveshjen për targat, që ka skaduar me 21 prill të këtij viti, si dhe për propozimin e Qeverisë së Kosovës për trajtimin e çështjes së targave.

Po ashtu, u diskutua edhe për marrëveshjen mbi zbatimin e udhërrëfyesit të energjisë sipas marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015.

"U theksua angazhimi i Qeverisë në zbatimin e udhërrëfyesit, me qëllim të përfundimit të një problematike të trashëguar, tё furnizimit dhe pagesës sё energjisë nё komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore", thuhet tutje në njoftim.

U potencua se me këtë marrëveshje, buxhetit të Republikës së Kosovës do t’i kursehen me dhjetëra milionë euro në vit, të paguara më herët për mbulimin e kostove energjetike të komunave në veri të Kosovës.


MË SHUME NGA Lajme