3 zyrtarë komunash e 8 përfitues subvencionesh përfundojnë në pranga
F.Sertolli / RTKlive.com
11 persona, 3 zyrtarë komunash dhe 8 përfitues subvencionesh kanë përfunduar në prangat e Policisë së Kosovës, pas një aksioni në gjashtë komuna të vendit, njoftojnë nga Policia e Kosovës.
Aksioni është zhvilluar në Pejë, Istog, Deçan, Viti, Suharekë dhe Ferizaj dhe për 11 të arrestuarit është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës të arrestuarit dyshohet së janë përfshirë në veprat penale: keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar, marrja e ryshfetit, dhënia e ryshfetit, mashtrim me subvencione, falsifikimi i dokumenteve zyrtare dhe pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare.
“Tre nga të arrestuarit janë persona zyrtarë, ndërsa tetë persona të dyshuar janë përfitues subvencionesh të cilët dyshohet se kanë përfituar subvencione përmes dhënies së ryshfetit dhe falsifikimit të dokumenteve”, thuhet në njoftim.























