Ismajli për Berishën: Me ty, e pamë botën e filmit më mirë
Kulturë

Ismajli për Berishën: Me ty, e pamë botën e filmit më mirë

Shqipe Gashi/RTKlive

Për aktoren Anisa Ismajli, humbja e regjisores Vjosa Berisha, është e madhe.

Sipas saj, me ikjen e Berishës nga kjo botë, vendi dhe arti humbi një grua, një artiste, një zë të fuqishëm dhe një stil që si ajo, nuk e kishte askush.

“Të faleminderit që solle shumë të bukura në qytetin tonë”, deklaroi aktorja Ismajli. “Me ty e pamë botën e filmit më mirë!”.

Duke i shprehur ngushëllime familjes Berisha, bashkëshortit të producentes, regjisorit Fatos Berisha, aktorja Ismajli rikujton një gjë.

“Të kemi shumë borxh e dashur Vjosa!”, shkroi ajo. “Të mbahen të fortë prindërit për këtë humbje aq të madhe!”.

Basholli për Berishën: Ishe inspirim (Plotësuar)

Regjisorja e njohur Blerta Basholli, zgjodhi fjalët më të ndjera për producentin Vjosa Berisha.

Ajo e përshkroi themeluesen e “Prifilm fest” si grua të fuqishme.

“Kur flitet për fuqizim të gruas nuk mundesh të mos mendosh në Vjosën”, deklaroi regjisorja e njohur kosovare, Blerta Basholli.

“Faleminderit për forcën dhe energjinë që e ke rrezatuar gjithmonë!”, shkroi Basholli.

Ajo rikujtoi forcën e producentes Berisha e cila edhe pse po luftonte për jetën, ishte e guximshme.

“Fole hapur e kjo për mua e secilin ka qenë më shumë se inspirim!”, tha regjisorja Basholli në kujtim të producentes Berisha.

Duke i shprehur ngushëllime familjes Berisha, regjisorja Basholli edhe një herë falendëroi producenten. “Prehu e qetë Vjosë!”.

 

Aktori Muçaj: Vjosa që ndriçoi Prishtinën, tani ndriçon qiellin (Plotësuar)

Shprehje të dhembjes për humbjen e regjisores Vjosa Berisha, shprehu edhe aktori Afrim Muçaj. Ai deklaroi se vdekja e producentës, është një humbje e madhe.

“Lamtumirë Ota”, shkroi aktori Muçaj. “Kam me të kujtu përjetë, artiste e jashtëzakonshme”, shkroi ai. “Vjosa e PriFilmFest-it që e ndriçoi Prishtinën, sot e tutje ndriçon qiellin”, shkroi në llogarinë e tij në rrjetet sociale, aktori Afrim Muçaj, duke zgjedhur fjalët më të veçanta për regjisoren e njohur.

“Vjosa e Cirkut Fluturues që na dha gjithçka dhe fluturuam bashkë nëpër sukseset tona të përbashkëta fal teje”, shkroi Muçaj.

Duke shprehur mirënjohjen e përjetshme për regjisoren, aktori Muçaj shkroi se ndaj saj, përjetë do të jetë falënderues.

“Do të na mungosh përgjithmonë”.

Kujtimi i regjisores Vjosa Berisha, përmes poezisë (Plotësuar)

Miq, shokë, të afërm e artistë, kanë shprehur në mënyra të ndryshme, dhimbjen për vdekjen e regjisores dhe producentes Vjosa Berisha.

Të gjithë, por komuniteti artistik në veçanti, kanë shprehur pikëllimin për ikjen kaq të hershme të Berishës. Në të gjitha rastet, ajo kujtohet për punën e saj të madhe duke qenë edhe themeluese e festivalit të filmit “PriFilm Fest”.

Mes tyre, dhembjen për vdekjen e Vjosa Berishës, e shprehu edhe aktori dhe poeti Shpëtim Selmani.

Ai këtë e bëri edhe përmes një poezie.

(Xhevdes dhe Vjoses)

Kambanat bien furishëm

Ne Graz Brenda meje kujtime

Te gjitha netët e gjata

Marrin fund dhe mëngjesi

Do te jete aty

Te gjitha lumturitë marrin

Fund dhe vuajtja

Do te jete aty

Është e pamundshme te

Qetësohesh derisa ditëlindjet

E secilit dridhen si

Lule te mjera nen

Pushtetin e viteve

Qe nuk vonohen

Nuk ka asgjë te përjetshme

Zoti mprehe sëpatën

Ne shohim orën

Gjithë çfarë mbetet

Pas nesh janë

Shkëmbinjtë

Dhe pafytyrësia

E natyrës.

sh.s.

 

Konjufca me fjalë të veçanta në librin e zisë për Berishën (Plotësuar)

Pas homazheve të bëra pranë arkivolit me trupin e pajetë të regjisores Vjosa Berisha, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, shkroi një shënim në librin e zisë.

Ai tha se Vjosa Berisha do të kujtohet gjithmonë si një nga ambasadoret më të vyera të kulturës e të artit tonë.

“Vepra e saj e rëndësishme artistike, do të rrojë gjithmonë”, shkroi Konjufca.

“Ajo do t’i frymëzojë brezat e ardhshëm”. Më tej kryeparlamentari Konjufca në këtë libër shprehu ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe komunitetin artistik.

“I lehtë i qoftë dheu i Kosovës të cilën ajo e deshi aq shumë”, përfundoi kryparlamentari Glauk Konjufca, shënimin e tij në librin e zisë.

 

Kurti në librin e zisë, përshkruan figurën e regjisores Berisha (Plotësuar)

Pas homazheve të bëra pranë arkivolit me trupin e pajetë të regjisores Vjosa Berisha, kryeministri i Kosovës, la një shënim në librin e zisë.

Me fjalët më të zgjedhura, ai përshkroi prodecenten e njohur kosovare e cila vdiq ditë më parë nga një sëmundje.

“Regjisore dhe producente, artiste dhe udhëheqëse e festivalit, Vjosa Berisha ka lënë trashëgimi të çmuar për kulturën tonë dhe brezat e ardhshëm”, shkroi kryeministri Kurti.

“Gjysmë shekulli jetë që ia ka vlejtur sa një i tillë!”, shkroi në librin e zisë, kryeministri Albin Kurti.

Homazhe për nder të regjisores Vjosa Berisha

Homazhe pranë arkivolit të producentës Vjosa Berishës, kanë bërë shumë artistë dhe bashkëpunëtorë të Berishës.

Në këtë ceremoni homazhe kanë bërë edhe shumë politikanë, deputet dhe ish deputet ,si Eliza Hoxha, Abelard Tahiri, Daut Haradinaj  Ahmet Isufi e dhe shumë tjerë.

Haradinaj përkulet pranë arkivolit të regjisores Berisha (Plotësuar)

Homazhe pranë arkivolit të regjisores Vjosa Berisha, bëri edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Duke u përkulur pranë arkivolit të regjisores së njohur, ish kryeministri i Kosovës, deklaroi se do të ruhen kujtimet për producentin e njohur.

“Do t'i ruajmë kujtimet më të mira për ty Vjosa!”, deklaroi Haradinaj.

Regjisorja Vjosa Berisha, varroset sot në varrezat e lagjes “Arbëria” në Prishtinë.

 

Konjufca: Regjisorja Berisha ishte ambasadore e Kosovës

Homazhe pranë arkivolit të regjisores Vjosa Berisha, bëri edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Ai tha se regjisorja dhe producentja Berisha, ka qenë ambasadore e shquar e kulturës së Kosovës.

“Vjosa Berisha na ka lënë mbrapa një trashëgimi shumë të çmueshme të kulturës dhe artit”, tha Konjufca, pas homazheve.

“Ajo ka qenë edhe producente edhe regjisore e filmit, por mbi të gjitha ka qenë ambasadore e shquar e kulturës dhe artit tonë”, tha kryetari i Kuvendit të Kosovës.

Sipas Konjufcës, Vjosa Berisha ishte një aktiviste e cila i ndihmoi shumë shtetit të Kosovës.

Kurti: Vepra e Berishës do të mbetet e pashlyeshme 

Homazhe pranë arkivolit të regjisores Vjosa Berisha, bëri kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Duke folur për kontributin e Vjosa Berishës, kryeministri  Kurti, tha se falë punës së saj, Kosova u bë vend i njohur për shumë artistë të njohur dhe u fut në hartën e kulturës botërore.

“Sot po ja japim lamtumirën e fundit artistes, regjisores, udhëheqëses artistike, organizatores Vjosa Berisha. Kujtimet për të cilën mbeten të pashlyeshme e të paharrueshme për të gjithë ne që e njohëm atë”, tha Kurti, pas homazheve të bëra pranë arkivolit të regjisores.

“Prishtina si kryeqytet i Kosovës, artdashësit dhe qytetarët kanë mbetur pa një grua e cila me pozitivitetin e saj por edhe me talentin e saj i dha shumë kulturës dhe artit tek ne, përfshirë këtu filmat dhe festivalin që e organizoj “Prifest” i cili u bë një vend në të cilin ne takonim artistë e aktor nga bota që edhe vizitonin Kosovën por edhe kontribuonin për vendin tonë që të futet në hartën e artit dhe kulturës botërore”, tha Kurti.

Edhe më tej homazhet vazhdojnë.

Nisin homazhet për nder të regjisores Vjosa Berisha

Kanë filluar homazhet në Teatrin Kombëtar, për nder të Vjosa Berishës, regjisores dhe producentes që i dha aq shumë kinematografisë kosovare.

Nga ora 14:00 deri në orën 15:00, miq, shokë, familjarë, të afërm e qytetarë, janë duke bërë homazhe pranë arkivolit të së ndjerës.

Bashkëshorti i saj, Fatos Berisha, njoftoi gjatë ditës se pas homazheve, do të mbahet edhe një mbledhje komemorative, nga ora 15:00 deri në 16, për të vazhduar në orën 17:00me ceremoninë e varrimit.

Producentja e njohur, Vjosa Berisha, vdiq me 23 qershor në një spital në Londër.

 

 


APR
Romay Lift