22:52 / 30.06.2022
Lajçak: Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën është në interes të Serbisë
Blerim Halimi / RTKlive
Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në përfundim të vizitës së tij në Beograd, ka theksuar se normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën është në interesin kombëtar të Serbisë.
"Më vjen mirë që gjatë kësaj vizite u takova me partitë opozitare parlamentare në Serbi për të dëgjuar pikëpamjet dhe qëndrimet e tyre ndaj dialogut. Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën është në interesin kombëtar të Serbisë dhe si i tillë ka nevojë për mbështetje ndërpartiake”, shkroi diplomati sllovak në Twitter.
Para se të shkonte në Beograd, Lajçak qëndroi për vizitë treditore në Kosovë, ku u takua me krerët e institucioneve dhe krerët e partive të opozitës si dhe me ata të komunitetit serb.
























