Në mungesë të deputetëve mbyllet seanca
Muharrem Miftari /RTKlive
(E plotësuar) Seanca e Kuvendit të Kosovës ka vazhduar me trajtimin e pikës së rendit të ditës që ka të bëjë me raportin e AKP-së për vitin 2021.
Lidhur me këtë pikë të rendit të ditës foli deputetja nga radhët e AAK-së Time Kadrijaj, e cila kritikoi qeverinë për qasjen ndaj këtij institucioni, duke theksuar se nuk po vërehet ndonjë ndryshim nga e kaluara.
Ndërsa nga radhët e PDK-së, foli deputetja Ganimete Musliu, e cila vlerësoi punën e auditorit për AKP-në për vitin 2021.
Ajo përmendi disa parregullsi në menaxhimin e burimeve njerëzore, në mosregjistrimine pasurisë dhe mosndëshkim të kontratave për mospërmbushjen e obligimeve kontraktuese.
Sipas saj, këto vërejtje të auditorit të merren me seriozitet dhe të krijojnë një kredibilitet të lartë.
Ndërkaq deputeti Hyseni nga radhët e LVV-së ka kritikuar punën e AKP-së në sferën e zhvillimit ekonomik, duke e vlerësuar si dështim të punës së saj në zhvillimin ekonomik në mungesën e tërheqjes së investitorëve, etj.
Ai kritikoi edhe opozitën që ndaj këtij institucioni nuk ishte kritik dikur sikurse tani.
Më pas në mungesë të deputetëve, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka mbyllur punimet e seancës së sotme plenare.
Kështu, kryeparlamentari tha se seanca e sotme do të vazhdojë në një ditë tjetër.
Më 7 korrik seanca e re plenare
Valjeta Shala/ RTK
(E plotësuar) Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur që seanca e radhës të mbahet të enjten, më 7 korrik.
Kështu ka thënë shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, i cili ka kërkuar nga shumica që projektligji për deklarimin e pasurisë të kthehet në Komision dhe të largohet kategoria e mjekëve dhe profesorëve.
Deputeti Tahiri i ka quajtur skandaloze deklaratat e ministrit të Financave, Hekuran Murati, për veteranët.
“Fyerjet e tij janë të papranueshme. Kurti ta lirojë këtë ministër nga posti. Mosveprimi i Kurtit karshi kësaj çështjeje po e bën normale që kategoria e veteranëve të fyhen nga zyrtarët më të lartë”, deklaroi Tahiri në një konferencë pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
Edhe shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, bëri të ditur pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës se seanca tjetër e radhës do të mbahet javën tjetër në ditën e enjte, ku do te këtë disa pika të rendit të ditës dhe ku do të diskutohet edhe për çështjen e liberalizimit të vizave.

(E plotësuar) Opozita kundërshton raportin vjetor të AKP-së për vitin 2021, jo transparente
Muharrem Miftari/RTKlive
Deputeti Ferat Shala ka kritikuar raportin vjetor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit për vitin 2021.
Sipas tij, Qeveria Kurti që nga koha e të qenit opozitë, si strategji e koncept , kauzë, e ka pasur AKP-në, mënyrën e veprimit dhe të menaxhimit të aseteve publike.
“Dhe tani, kur po presim ndryshimin e veprimit e të menaxhimit të AKP-së, asetet nacionale të zhvillimit ekonomik, ky reflektim janë të pasqyruara në raport, kah po na çon pronën publike AKP-ja”, deklaroi deputeti Shala.
Ai vlerësoi se Bordi i AKP-së është puro politik dhe tej mase është i dëgjueshëm ndaj ekzekutivit.
“ AKP është duke i dhënë raport ekzekutivit e jo legjislativit, që është aksionar, ngase fare nuk konsultohet me Kuvendin lidhur me hapat strategjikë mbi çështjet ekonomike e zhvillimore në vend, por këtë e bënë me Qeverinë. Për këtë edhe mbështesë, por duhet të ketë një transparencë, por jo anashkalime deri në shkelje ligjore”, deklaroi Shala.
Tutje, deputeti Shala kujtoi vendimin e Qeverisë për ndërprerjen e aktivitetit të AKP-së sa ishin në mbledhje në Kuvend. Vendim që, sipas tij, pas disa muajsh qeveria e tërhoqi, duke u kthyer në veprime të vjetra.
Më tej, deputeti Shala duke kritikuar AKP-në për mungesë të transparencës me Kuvendin, pyeti për idenë e LVV-së për Fondin Sovran.
Kritika adresoi edhe deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi.
“Ne si LDK jemi kundër këtij raporti dhe nuk do të marrin pjesë në votim”, tha ajo.
Ndërsa deputetja nga mazhoranca Jeta Statovci tha se AKP-ja ka bërë një punë të mirë gjatë vitit 2021 dhe raporti duhet të miratohet.
“E shohim që ka një targetim mjaft të madh të nevojave se ku duhet investuar dhe reduktuar shpenzimet e panevojshme. Shohim se bordi ka marrë masa lidhur me kompensimin e anëtarëve të bordit dhe pagat e stafit të AKP-së”, tha ajo.
Dështon miratimi i Projektligjit për deklarimin e pasurisë
Naser Mekolli /RTKlive
(E plotësuar) Kuvendi i Kosovës ka dështuar ta miratojë në lexim të dytë Projektligjin për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave. Kjo për shkak të mungesës së kuorumit në Kuvend.
Për miratimin e Projektligjit, votuan 59 deputetë të mazhorancës, ndërsa deputetët opozitarë u përmbajtën nga votimi, njëherit kanë kërkuar që tky projektligj të kthehet në Komision.
Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar, që mjekët dhe profesorët të largohen nga detyrimi për ta deklaruar pasurinë. Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se nëse këto kategori nuk largohen nga Projektligji, atëherë partia e tij nuk do ta votojë atë.
Paraprakisht, me 60 vota për dhe një abstenim, Kuvendi miratoi amendamentet për këtë Projektligj.
Kuvendi i Kosovës më herët bëri zgjedhjen e Nexhat Kryeziut për anëtar jo-ekzekutiv i Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës, përmes votës së fshehur.
Tahiri: Të kthehet në Komision ligji për deklarimin e pasurisë
Muharrem Miftari/RTKlive
(E plotësuar) Lidhur me deklaratën e ministres Haxhiu, reagoi shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, i cili tha se si grup parlamentar kanë diskutuar në leximin e parë, "sikundër është thënë ma herët dhe kemi qenë kundër që këto dy kategori ta deklarojnë pasurinë, qoftë të publikohen ose jo".
“Në anën tjetër më vjen mirë që kanë ndjekur procedurat , duke respektuar punën time që kemi bërë nja një vit ë gjysmë në këto ligje, por në ligjin që e votuam paraprakisht kam bërë një ndryshim, që konsideroj se është në kundërshtim me Kushtetutën dhe do ta referoj në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa në çështjen e ligjit për deklarimi e pasurisë konsideroj se involvimi i këtyre dy kategorive, të cilat nuk janë të ekspozuara ndaj aferave korruptive në menaxhimin e parasë publike, veçse ngarkon punën e Agjencisë, pavarësisht a publikohen apo jo”, deklaroi Tahiri.
Tutje ai theksoi se është shumë e rëndësishme që “deklarimi i pasurive nga niveli i lartë, qoftë ministra, deputetë, drejtues të ndërmarrjeve publike, të përqendrohemi të jetë kontrolli vjetor, ashtu siç është propozuar me ligj, që prej se kemi bërë draftin e parë, sesa të jetë puna e deklarimit të kontrollit te pasurive qoftë të mjekëve, qoftë të profesorëve, sepse këta kryejnë shërbime, nuk kanë të bëjnë me menaxhimin e parasë publike”.
Ai përmendi faktin e tërheqjes nga deklarimi i pasurisë nga Agjencia kundër korrupsionit, të asamblistëve, por edhe këtyre dy kategorive që përmendëm më lartë.
Lidhur me këtë ligj, sqaroi ai, "është punuar që nga viti 2018 ku janë përfshirë tre ministra dhe është bërë punë ë madhe, ndaj nuk duhet minuar kjo punë e deritashme, përmes një problematike krejt e parëndësishme që vetëm ngarkon punën e agjencisë”, shtoi deputeti Tahiri.
“Ndaj kërkojmë mirëkuptimin e juaj që të kthehet në Komision ta diskutojmë që t’i heqim këto dy kategori, sepse nuk është se ka pasur shumë kundërshti edhe nga radhët tuaja (pozitës)e pastaj ta votojmë”, tha në fund deputeti nga radhët e PDK-së, Abelard Tahiri.
Haxhiu:Qëndrimi i opozitës për deklarimin e pasurisë, joserioz
(E plotësuar) Në seancën e sotme mes pikave të rendit të ditës po debatohet edhe ajo për shqyrtimin e Projektligjit për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave.
Lidhur me këtë pikë të rendit të ditës pati reagime nga shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, i cili tha se edhe si PDK kemi dhënë kontribut të çmueshëm edhe në draftim të ligjit, por, veçoi ai, problematike është bërja publike deklarimin e poasurisë së mjekëve dhe profesorëve universitarë.
Me këtë çështje reagoi ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se është diskutuar ky problem nëse duhet mjekët dhe profesorët ta deklarojnë pasurinë e tyre, me ç'rast jemi marrë vesh që ata të deklarojnë, por që të mos bëhet publike, duke shtuar se ky është qëndrim i qeverisë.
“Kur është hartuar strategjia për sundimin e ligjit, ka rezultuar që janë profesione të ndieshme dhe duhet të deklarohet pasuria e tyre”, sqaroi ajo.
“Mirë është që të bëhën amandamnete për një çështje me probleme të tilla dhe të votohet në Kuvend, por të kritikosh një çështje dhe të mos marrësh anjë veprim as në Komision, mendoj se është hipokrizi, ndaj Komisioni për Legjislacion ka avancu në këtrë drejtim, duke bërë publike deklarimin e pasurisë së mjekëve e profesorëve universitarë, andaj mendoj se është joserioz qëndrimi i opozitës në këtë çështje”, tha në fund ministrja Haxhiu.
Nexhat Kryeziu, anëtar jo-ekzekutiv i Bordit të BQK-së
Naser Mekolli/RTKlive
(E plotësuar) Kuvendi i Kosovës vazhdoi sot seancën e nisur dje, kjo ka nisur punimet me propozimin dhe votimin nga deputetët për përzgjedhjen e 1 anëtar jo-ekzekutiv i Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës, përmes votës së fshehur.
Komisioni i votimit konstatoi se Nexhat Kryeziu zgjedhet anëtar jo-ekzekutiv i Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës.
Kryeziu mori 72 vota nga deputetët, përmes votës së fshehur. Ndërsa, kundër kandidatë ishin edhe Lulzim Ismajli, Arta Hoxha, Nora Raci dhe Esida Bujupi.
Pikë tjetër e rendit të ditës është edhe formimi i Komisionit Ad-hoc për reformën zgjedhore në Kosovë.
Deputetët tashmë kanë hyrë në procedurën e votimit të këtij Komisioni.
Kuvendi: Nis vazhdimi i seancës plenare
Naser Mekolli/RTKlive
(E plotësuar) Kuvendi i Kosovës vazhdoi sot seancën e nisur dje, ku ishin nëntë pika të rendit të ditës.
Seanca ka filluar me propozimin dhe votimin për përzgjedhjen e 1 anëtari jo-ekzekutiv i Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës, përmes votës së fshehur.
Sot deputetët kanë në rend të ditës, shqyrtimin e Projektligjit për Agjencinë për parandalimin e korrupsionit, pastaj shqyrtimin e Projektligjit për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave si dhe shqyrtimi i Mocionit për shkarkimin e Bordit të ZRrE-së.
Pikë tjetër e rendit të ditës është edhe formimi i Komisionit Ad-hoc për reformën zgjedhore në Kosovë.
Dje në seancë pati shumë debat pasi mes pikave të rendit të ditës ishte edhe ajo për ngritjen e çmimeve.
Opozita kishte thirrur debat parlamentar për shkak të inflacionit, i cili sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës tashmë është dyshifror.
Pikë tjetër e rendit të ditës është edhe formimi i Komisionit Ad-hoc për reformën zgjedhore në Kosovë.
Sot Kuvendi i Kosovës vazhdon seancën e nisur dje
Jeton Musliu / RTKlive
Kuvendi i Kosovës vazhdon sot seancën e nisur dje, ku ishin nëntë pika të rendit të ditës.
Sot deputetët kanë në redn të ditës, shqyrtimin e Projektligjit për Agjencinë për parandalimin e korrupsionit, pastaj shqyrtimin e Projektligjit për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave si dhe shqyrtimi i Mocionit për shkarkimin e Bordit të ZRrE-së.
Dje në seancë pato shumë debat pasi mes pikave të rendit të ditës ishte edhe ajo për ngritjen e çmimeve.
Deputetët nga pozita dhe qeveria në njërën anë dhe ata të opozitës në anën tjetër, patën përplasje të forta në lidhje me gjendjen ekonomike në vend.
Të parët se situata ekonomike është në përmirësim e të dytët se ajo është përkeqësuar.
Temë tjetër ishte dhe çështja e liberalizimit të vizave ku palët kishin mospajtime.























