Molliqaj: Protesta për dorëheqjen e Muratit vazhdon
Emine Hoti/RTKlive
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj ka reaguar sot pas kërkim-faljes së ministrit Hekuran Murati rreth deklaratave për veteranët.
Ministri i Financave Hekuran Murati, pas reagimeve të shumta lidhur me komentet e më hershme ndaj ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka kërkuar falje, duke thënë se ato kanë qenë nga mllefi lidhur me fryerjen e listatave të veteranëve.
Por, kjo nuk ka mjaftuar për kryetarin e PSD-së, i cili përmes një postimi në Facebook ka thënë se pendimi i vërtetë është dorëheqja. Ai për datën 6 korrik ka paralajmëruar protestë me thirrjen për shkarkimin e Muratit.
“Pendimi i vërtetë është dorëheqja. Shihni kalendarin: dy dite reagime në rritje dhe dy orë pas thirrjes së protestës, ministri Murati reagon. Tepër vonë për të qenë e sinqertë. Çdo kërkim falje ka qëllim amortizimin e revoltës. Dhe ruajtjen e vetës, kuptohet. Presioni nuk pranohet. Protesta vazhdon”, ka shkruar Molliqaj.
Partia Socialdemokrate (PSD), ka paralajmëruar sot se do të mbajë protestë më 6 korrik në Prishtinë, për të kërkuar dorëheqjen e ministrit të Financave, Hekuran Muratit.
Molliqaj, në një konferencë për media ka bërë të ditur se protesta do të mbahet në orën 19:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe më pas në oborrin e Qeverisë.























