Shqiptarët e Luginës mbështesin reciprocitetin ndaj Serbisë
Baki Rexhepi/RTK
Derisa të arrijë një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, Kosova po vazhdon me vendosjen e reciprocitetit ndaj këtij shteti. Vendimi i fundit për të zëvendësuar letërnjoftimet e Serbisë me një fletë-deklarim gjatë hyrjes në kufijtë e Kosovës ndonëse mirëpritet nga përfaqësues politikë të shqiptarëve të Luginës, megjithatë kërkohet që për shqiptarët të krijohen lehtësira.
Çdo vendim i Qeverisë së Kosovës që ka të bëjë me forcimin sovranitetit të shtetit për shqiptarët e Luginës është i mirëseardhur.
Edhe vendimi i datës 28 qershor, rreth aplikimit të masave reciproke që i praktikojnë tash e disa vite autoritetet policore serbe për qytetarët e Kosovës gjatë kalimit të kufijve Kosovë - Serbi, ndër përfaqësuesit e shqiptarëve në Luginë të Preshevës shihet si mundësi për forcim të shtetit të Kosovës, por apelohet tek qeveritarët kosovarë që të kenë parasysh pozitën e shqiptarëve të Luginës në këtë proces.
“Duke pasur vëmendjen posaçme për pozitën diskriminuese në republikën e Serbisë, për pozitën e rënduar socio-ekonomike nëpër të cilën janë duke kaluar shqiptarët e Luginës së Preshevës, do të duhej të kenë parasysh mundësinë e krijimit të një hapësire me të cilën përjashtohen nga vendimet”, tha Kryetar i KNSh-së, Ragmi Mustafi.
Megjithatë shqiptarët e Luginës së Preshevës përshëndetin secilin vendim i cili forcon sovranitetin e Republikës së Kosovës, forcon shtetësinë e Republikës së Kosovës për të cilën kanë dhënë kontribut të çmueshëm.
Reciprociteti i paralajmëruar sipas të parit të Kuvendit në Preshevë, Sami Salihut, është reciprocitet i parcializuar vetëm për letërnjoftimet e të cilin Qeveria e Kosovës e ka menduar.
“Neve na gëzon çdo formë e forcimit të shtetit e sovranitetit të Kosovës, mirëpo duke pasur parasysh se serbët në Kosovë janë të gjithë të pajisur me dy nënshtetësi si atë letërnjoftimin e Kosovës po ashtu edhe serb, nuk do ta kenë të vështirë në vendkalimet kufitare”,tha ai.
Kurse qytetarët e Luginës e Preshevës të cilët nuk janë të pajisur me dy nënshtetësi po kryesisht janë me letërnjoftime serb, vlerësojnë se do të ketë një lloj vështirësie në vendkalimet kufitare ku duhet t`i nënshtrohen plotësimit të formularit.
"Po besoj që Qeveria e Kosovës edhe këtë çështje e ka menduar dhe do të gjej një formë që të tejkalohet që mos të e kenë të vështirë qytetarët e Luginës së Preshevës".
“Ne përshëndesim çdo vendim të Qeverisë së Kosovës sa i përket sovranitetit të Republikës së Kosovës dhe mendojmë se çdo masë e marrë karshi forcimit të shtetit të Kosovës është e mirëseardhur. Por, njëkohësisht kërkojmë që Lugina e Preshevës të trajtohet me një dokument tjetër i cili lehtëson, lëvizjen e lirë të qytetarëve të këtij rajoni për në Kosovë”, tha Enver Ramadani Kryetar i Kuvendit në Bujanoc.
Përfaqësuesit politik dhe institucional të Luginës së Preshevës, ndër kërkesat thelbësore të tyre drejtuar qeverive të Kosovës e kanë aplikimin e masave reciproke të trajtimit të pakicës serbe në Kosovë, ngjashëm siç Serbia i trajton shqiptarët e Luginës e të cilët vazhdojnë të jenë ndër qytetarët më të diskriminuarit në Europë direkt nga Qeveria e Serbisë.